CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT “DOCTOR HONORIS CAUSA” PËR  PROF. DR. ASIM KURJAK NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË

CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT “DOCTOR HONORIS CAUSA” PËR PROF. DR. ASIM KURJAK NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË

 

Ditën e Enjte, më datë 16.07.2015, në Sallën e Profesorëve të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Asim Kurjak. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe personalite të tjera të vendit. Ceremonia ishte një vlerësim në sajë të kontributit të madh që Prof. Dr. Asim Kurjak ka dhënë në Shqipëri, duke asistuar mjekët obstetër-gjinekologë.

Ceremoninë e çeli Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata. Rektori Arben Gjata vlerësoi kontributin e madh shkencor që Prof. Asim Kurjak ka dhënë ndër vite duke zhvilluar më tej mendimin shkencor në mjekësinë botërore dhe duke qenë pikë e rëndësishme referimi për mjekët obstetër dhe gjinekologë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë. Gjithashtu, ai vlerësoi ndihmesën e tij në përgatitjen të mjekëve shqiptarë me njohuritë themelore dhe trajnimet e vazhdueshme. Rektori Gjata përmendi dhe vlerësimet e shumta që Prof. Dr. Asim Kurjak, aktualisht Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Dubrovnikut (DIU), ka marrë ndër vite nga universitete, institucione dhe organizata të ndryshme mjekësore.

“Me anë të kësaj ceremonie Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh Prof. Asim Kurjak vlerësimin dhe mirënjohjen duke e nderuar sot me titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin “Për kontribut të çmuar në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë Shqiptare”, tha Rektori Prof. Dr. Arben Gjata.

Fjalën përshëndetëse e vijoi Prof. Dr. Orion Gliozheni, Përgjegjës i Departamentit të Obstetrikë-Gjinekologjisë dhe Reçezenti i parë i titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Asim Kurjak. Prof. Gliozheni, në nder të Prof. Kurjak, e ligjëroi reçenzën e tij në gjuhën angleze dhe theksoi kontributin e madh të Prof. Dr. Asim Kurjak në përgatitjen shkencore të mjekëve obstetër dhe gjinekologë për operacionet dhe diagnostikimet në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë. Gjithashtu, Prof. Gliozheni informoi të pranishmit mbi kontributin e dhënë nga Prof. Dr. Asim Kurjak në Shqipëri, që më ardhjen e tij për herë të parë në vitin 1995, i ftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, për të promovuar përdorimin e ekografisë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë në vendin tonë, duke kontribuar me aparate të reja ekografie, si donacion për Maternitetin e Tiranës; trajnimin e mjekëve shqiptarë në fushën e ekografisë gjatë viteve, duke dhënë eksperiencën e tij në trajtimin e një sërë rastesh të ndërlikuara; asistencën e tij në hapjen e Degës së Shkollës Ndërkombëtare pasuniversitare të studimeve të avancuara në lemin e diagnostikës ultrasonografike – ekografike “Ian Donald” që u hap për herë të parë në vitin 2007 e deri më sot ku ka qenë përherë i pranishëm në kuadër të kurseve dhe aktiviteteve shkencore, si konferenca, seminare, trajnime me mjekët shqiptarë, si dhe mjekëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi në fushën e gjinekologji-obstetrikës. Prof. Gliozheni informoi gjithashtu se Prof. Asim Kurjak është themeluesi i Shkollës Ndërkombëtare “Ian Donald”, e cila konsiderohet sot si struktura më e madhe dhe më e rëndësishme ndërkombëtare e trajnimit në fushën e ekografisë obstetrikale dhe gjinekologjike, e pranishme në 75 vende të botës dhe janë me mijëra mjekë që ndjekin çdo vit kurset e kësaj shkolle në mbarë botën. Në reçenzën e tij Prof. Gliozheni përmendi kontributin shkencor të Prof. Asim Kurjak që deri më sot ka botuar mbi 111 libra (nga të cilat 65 janë në gjuhën angleze) dhe më shumë se 550 artikuj, të cituara si referencë kryesore në fushëm shkencore me mbi 5350 herë dhe ndër vite ai ka qenë Përgjegjës i Departamentit të Obstetrikë-Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i Institutit të Ekografisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i World Health Organisation Collaboration Centre for Ultrasound in Developing Countries, dhe së fundi Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Dubrovnikut (DIU). Prof. Orion Gliozheni paraqiti gjithashtu një prezantim me foto nga ceremonitë “Doctor Honoris Causa” ku Prof. Asim Kurjak është vlerësuar në 11 universitete të ndryshme dhe nga aktivitetet e tij në Shqipëri.

“Unë jam i lumtur për faktin që këtu kemi sot Prof. Asim Kurjak, i cili i ka shërbyer shumë mjekësisë me studimet e tij, si dhe është bërë një shembull për të gjithë ne”, tha Prof. Dr. Orion Gliozheni.

Në reçenzën e tij, Prof. Dr. Myftar Barbullushi, Reçezenti i dytë i titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Asim Kurjak, theksoi rëndësinë e Prof. Kurjak në mjekësi, jo vetëm si mjek i njohur, por edhe si kurues i mirëfilltë i shkencave mjekësore, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për avancimin e shkencës në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë. Prof. Barbullushi shprehu nderimin dhe konsideratën e tij të lartë për personalitetin e shkencës mjekësore, siç është Prof. Asim Kurjak, dhe vlerësoi anazhimin e tij në Shqipëri, si një mundësi e mirë për mjekët tanë për të përfituar nga njohuritë e tij themelore në mjekësi.

“E them me bindje që CV e tij, diskutimin e tij, debatet që kemi bërë me të kanë qenë gati gati si një gur kilometrik, emocionues, nxitës për karrierën natyrisht, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që kanë qenë bashkë dhe kanë marrë pjesë në këto aktivitete që drejtoheshin në drejtimin e profesorit”- tha Prof. Dr. Myftar Barbullushi.

Prof. Asim Kurjak mori fjalën duke falenderuar Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për vlerësimin e tij dhe konsideratën për punën e tij shkencore. Gjithashtu, Prof. Asim Kurjak u shpreh se nga eksperienca e tij në mbarë botën ka rezultuar se mjekët shqiptarë janë ndër më të mirët dhe i kanë dhënë mjaft kënaqësi gjatë punës së tij 10 vjeçare në seminaret dhe konferencat e ndryshme të organizuara në Shqipëri.

“Ndjehem i nderuar për çmimin që kam marrë sot. Nga eksperienca ime rezulton se në çdo konferencë ndërkombëtare që kemi patur, mjekët dhe studentët shqiptarë kanë shkëlqyer gjithmonë. E gjitha kjo vjen falë punës së shkëlqyer të profesorëve dhe të studentëve të mjekësisë.”- u shpreh Prof. Dr. Asim Kurjak.

Pas fjalës së tij, Prof. Kurjak paraqiti një prezantim të shkurtët mbi rëndësinë bioetike të të konsideruarit të fetusit si një qenie njerëzore që në momentet e krijimit të tij dhe të përcaktimit të zhvillimit të tij që në stadet e para të rritjes brenda barkut të nënës, ku foshnja zhvillohet duke dhënë jetë gjymtyrëve dhe qelizave eseciale. Prezantimi i Prof. Kurjak u shoqërua me një video të përgatitur për të paraqitur të dhënat e fundit mbi stadet e zhvillimit të fetusit, të konstatuara nga teknologjia më e fundit të diagnostikimin 3D në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë.

 

Reportazh i përgatitur nga Televizioni A1 Report. 

Artikull i përgatitur nga Gazeta Shqiptarja.com

Foto nga Ceremonia Doctor Honoris Causa

 

                          REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *