Please select your page

 

Me hidhërim të thellë, njoftojmë se më datë 13 nëntor 2016, në qytetin e Bilbao-s, në Spanjë, u nda nga jeta Prof. Dr. Pëllumb Jani Bitri. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Profesorit të nderuar dhe ndan me familjen Bitri dhimbjen për humbjen e të dashurit të tyre. 

Vdekja e Prof. Bitri është një humbje e dhimbshme për familjen, për shkencat mjekësore, për pedagogjinë, kulturën dhe shoqërinë shqiptare, duke lëne në pikëllim familjen, të afërmit, studentët, kolegët, miqtë e shumtë në Shqipëri, Spanje, Kosovë dhe Maqedoni.
Prof. Dr. Pëllumb Bitri lindi në vitin 1928 në një familje të thjeshtë elbasanase, por arsimdashëse, të cilët, me gjithë vështirësitë ekonomike, arritën të shkollonin tre djemtë e tyre.
Pas çlirimit të vendit, Prof. Pëllumbi u diplomua në mjekësi dhe në filozofi në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1954, ai u kthye në atdhe dhe u emërua shefi i katedrës së Anatomisë Patologjike, që e drejtoi për shume vite me radhë dhe me nivel të lartë, duke krijuar shkollën shqiptare të Anatomisë Patologjike, ku u formuan profesionalisht me dhjetra specialistë dhe me dhjetra mijëra studentë.
Prof. Pëllumb Bitri është autori i tekstit “Patologjia Morfologjike”, teksti i parё historik i Fakultetit tё Mjekёsisё. Në kohën kur u botua ky libër voluminoz, ai ishte 38 vjeç; i ri në moshë, por me formim dhe përvojë tё pasur profesionale dhe shkencore. Prof. Pëllumb Bitri është personaliteti publik, intelektuali i shquar, patrioti i çështjes tonë kombëtare. Ai është shkencëtari dhe profesori i famshëm, lektori i admiruar nga mijëra e mijëra studentë dhe mjekë, oratori i paimitueshëm, poligloti dhe poliedriku, bashkëshorti dhe prindi shembullor. Prof. Pëllumb Bitri mbetet simbol i pedagogut, që me dinjitet dhe aftësi profesionale e shkencore kontribuoi në edukimin dhe formimin profesional të dhjetra mijëra mjekëve, në veçanti me botimin e shumë teksteve universitare, të monografive dhe studimeve shkencore. Prof. Dr. Pëllumb Bitri është personifikim i intelektualit, që me kurajo ndoqi rrugën e së vërtetës, të progresit social, kulturor dhe shkencor të shoqërisë shqiptare, duke u bërë protagonist dinjitoz i saj. Ai gjithë jetën luftoi dhe punoi për një mjekësi të fortë, shkencore e të zhvilluar në nivelet bashkëkohore, duke u renditur ndër figurat e shquara të historisë, të kulturës dhe të shkencës shqiptare.
Trashëgimia profesionale, shkencore dhe kulturore e Prof. Pëllumbit është një thesar me vlera të veçanta për kombin tonë. Kontributet në fushën e mjekësisë, të pedagogjisë dhe të shkencës, janë vlerësuar dhe nderuar me çmime kombëtare, me urdhra dhe dekorata të shumta, që shprehin qartë vlerat e larta shkencore të veprave që ai krijoi. Prof. Pëllumb Bitri, profesori i madhi dhe i paharruar, është në mendjet dhe zemrat tona si pedagogu ynë i zjarrtë, shkencëtari, personaliteti dhe poligloti me vlera të larta kulturore, me inteligjencë të veçantë. Këto aftësi ai i vuri në dispozicion të shoqërisë shqiptare nëpërmjet veprave të tij, me studimet e shumta të botuara dhe të prezantuara në konferenca e kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare. Njëzet vjet më parë ai emigroi familjarisht në Spanje, ku jetoi e punoi në Bilbao. Dhe në Spanje, Profesor Pëllumbit ia vlerësuan aftësitë e tij pedagogjike dhe shkencore dhe e pranuan si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Publik De Pais Vasco, ku dha leksione dhe drejtoi seminare me studentët. Për aftësitë e tij të shquara didaktike dhe shkencore, Prof. Pëllumb Bitri u zgjodh anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit. 
Humbja e papritur e Prof. Dr. Pëllumb Bitri, personalitetit të shquar të shkencës, të mjekësisë, të pedagogjisë dhe të kulturës shqiptare, është një dhimbje e madhe për të gjithë ne. Shkencëtari i shquar Pëllumb Bitri, profesori i famshëm i mjekësisë, burri i mençur dhe prindi shembullor, na mungon fizikisht, por emri dhe vepra e tij e shquar do të jetojnë në jetë të jetëve.

I paharruar qoftë kujtimi i Tij.


Ngushëllime të sinqerta,

 

                REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 14.11.2016


 

Ditën e premte, më datë 11.11.2016, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë organizon Ceremoninë e dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa" për Prof. Alva B. Weir në shenjë falenderimi për kontributin e tij në zhvillimin e Onkologjisë dhe Hematologjisë. Në këtë ceremoni do të jenë të ftuar anëtarët e Senatit Akademik, personalitete nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, nga Shoqata Mjekësore "Albanian Health Fund" dhe personalite të tjera të vendit.

 

                REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 10.11.2016


Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, Ju fton në aktivitetin sportiv mbarëkombëtar "Universiada Tirana 2016", në datat 11-12 nëntor 2016, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", të organizuar në bashkëpunim me Shoqatën Sportive Studentore Shqiptare. Kjo veprimtari, ku marrin pjesë më shumë se 25 universitete nga të gjitha trevat shqiptare, synon të promovojë zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta sportive ndërmjet universiteteve në nivel mbarëkombëtar dhe të nxisë e inkurajojë studentët për t'u angazhuar në aktivitete të tilla fizike e sportive.


Ju mirëpresim!

 

                REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 07.11.2016


 

Informojmë pedagogët dhe studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë se nga dita e nesërme, më datë 10.11.2016, procesi mësimor do të zhvillohet normalisht.

 

                REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 09.11.2016


Të dashur studentë,

Ditën e premte, më datë 04.11.2016, Rektorati i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë do të organizojë aktivitetin "Të studiosh në UMT". Ky aktivitet do të zhvillohet në Sallën "Blu" të Rektoratit, në orën 10:00 dhe do të mbledhë së bashku të gjithë studentët e viteve të para, që janë të interesuar të njohin më mirë Universitetin tonë. Aktiviteti është një rast i mirë për t'u njohur me shërbimet që ofrohen, mundësitë e shkëmbimeve me universitetet e huaja, sallat e studimit dhe Bibliotekën Universitare.

Ju mirëpresim!

 

                REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 02.11.2016


Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Shëndetësisë
Universiteti i Tiranës
Universiteti i Prishtinës
Universiteti i Kamerinos
Instituti Alb-Shkenca
Research 4 Life
Google for Education
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit
Rrjeti Akademik Shqiptar - Qendra Nderuniversitare e Sherbimeve dhe Rrjetit Telematik
Central European Exchange Program for University Studies
Università degli Studi dell'Aquila
Università degli Studi di Bari
Università degli Studi di Padova
Charles University

Regjistrohu


Regjistrohu ne portalin e Universitetit te Mjekesise Tirane duke plotesuar te dhenat e meposhtme.


{instantpaypal}{/instantpaypal}

  ose   Identifikohu

 

×