PROF. BOYAN CHRISTOFOROV VLERESOHET ME “CERTIFIKATË MIRËNJOHJE” NGA UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË

PROF. BOYAN CHRISTOFOROV VLERESOHET ME “CERTIFIKATË MIRËNJOHJE” NGA UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË

Në një ceremoni të organizuar në ambjentet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ditën e enjte, datë 15.05.2014, u zhvillua vlerësimi i Prof. Dr. Boyan Christoforov me një “certifikatë mirënjohje” për kontributin e tij të veçantë në bashkëpunim me stafin mjekësor dhe akademik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

 

IMG 4641

Rektori Ali Refatllari deklaroi se nderimi i Prof. Boyan Christoforov është një mirënjohje dhe një falenderim që vjen në kuadër të arritjeve dhe sukseseve të tij në fushën shkencore, si dhe në sajë të ndihmesës së vyer që Prof. Christoforov ka dhënë për përgatitjen dhe specializimin e mjekeve shqiptare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe sidomos ne spitalin Cochin pranë Assistance publique – Hôpitaux de Paris (AP-HP) në Paris. “E nderojmë sot Prof. Boyan Christoforov më këtë certifikatë mirënjohje duke e respektuar dhe vlerësuar në mënyrë të veçantë për kontributin e tij në punën kërkimore shkencore, veprimtarinë profesionale dhe vlerat etike, angazhimin e tij të gjithanshëm në fushën e shkencave të mjekësisë, si dhe dëshirën e tij për transmetimin e njohurive të pasura dhe krijimin e kushteve për realizimin e aktiviteteve kërkimore shkencore tek mjeket shqiptarë”, deklaroi Rektori Refatllari.

2

Prof. Christoforov është mjek i mirënjohur dhe ka qenë për një kohë të gjatë Përgjegjës i Shërbimit të Mjekësisë së Brendshme në spitalin Cochin pranë Assistance publique – Hôpitaux de Paris (AP-HP) në Paris. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv në grupin e mjekëve të zgjedhur nga AP-HP për të ndihmuar në organizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, punë të cilën ai e ka përmbushur me shumë kompetencë dhe dashuri për vendin tonë. Gjithashtu, Prof. Christoforov ka qenë aktiv edhe në shoqatën Franko-Shqipëtare të Mjekëve Universitare dhe ka qenë organizator dhe lektor në shumë konferenca të perbashkëta që janë organizuar nga kjo shoqatë në Shqipëri.

Prof. Boyan Christoforov ka mbi 145 publikime në revistat më të njohura botërore dhe është dekoruar nga Presidenti i Francës me titullin “Officier De Legion d’Honneur”. Ndërkohë, Prof. Boyan Christoforov është ndjerë mjaft entusiast dhe është shprehur mirënjohës lidhur me vlerësimin e tij. Ai shtoi gjitashtu se ky vlerësim është një nga nderimet më të veçanta qe i eshte bere ne Shqiperi.

Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete shkencore dhe profesionale mjekësore të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

                                                                                               

                                                                                                 REKTORATI

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *