TAKIM ME PROF. FELIX UNGER NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË

TAKIM ME PROF. FELIX UNGER NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË

 

Ditën e enjte, më datë 12 Qershor 2014, në ambientet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u organizua një takim me Profesor Felix Unger, President i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (European Academy of Sciences and Arts) dhe gjithashtu personalitet i shquar në fushën e kardiokirurgjisë dhe mjekësisë botërore, i cili ditën e mërkurë, më datë 11 Qershor 2014, u nderua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

 

 

 

3

 

Në këtë takim morën pjesë Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Akademik Anastas Angjeli, Zv. Rektore Prof. As. Suela Këlliçi, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram Hysa, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Dentare Prof. Dr. Fejzi Keraj, Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik Prof. Dr. Enver Roshi, Dekanja e Fakultetit të Farmacisë Prof. As. Vilma Toska dhe përfaqësues të mirënjohur të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Prof. Felix Unger është një personalitet i mirënjohur në fushën e mjekësisë, i cili ka dhënë një kontribut të admirueshëm gjatë karrierës së tij profesionale dhe akademike, duke u vlerësuar nga shumë qendra universitare dhe shkencore ku ai ka ushtruar detyrat e tij akademike. Veprimtaria intelektuale e Prof. Unger është e orientuar drejt arsimit cilësor dhe për një bashkëpunim sa më të ngushtë të institucioneve kërkimore-shkencore mbarëevropiane.


Rektori Ali Refatllari falënderoi Profesor Felix Ungerin për vizitën e tij në Univeristetin e Mjekësisë, Tiranë dhe e vlerësoi kontributin që ai ka dhënë jo vetëm në fushën mjekësore dhe shkencore si kardiokirurg i shquar por dhe në krijimin e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve që unifikon studimet universitare me kampuset e saj në mjaft vende të Evropës. Ndër të tjera Rektori Refatllari theksoi: “Është një kënaqësi e veçantë për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë dhe për të gjithë në komunitetin universitar shqipëtar të presim sot një personalitet të shquar të shkencës në nivel evropian si Prof. Felix Unger. Prof. Unger u vlerësua, ditën e merkurë, me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe ky nderim vlen jo vetëm si vlerësim i lartë për punën e tij akademiko-shkencore por edhe për përpjekjet për integrimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në nivel evropian. Gjithashtu një ndër risitë që sjell themelimi i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve është krijimi dhe bashkimi i një kurrikule të njëjtë mjekësore dhe të ndarë nga shumë vende Evropiane që do të zhvillojë më tej integrimin e programeve të studimit në arsimin e lartë evropian”.

 

1

 

Profesor Felix Unger, pasi u njoh me të dhënat mbi universitetin, falënderoi Rektorin Ali Refatllari për pritjen e tij në Univeristetin e Mjekësisë, Tiranë dhe u shpreh i nderuar për vlerësimin e punës së tij akademike dhe profesionale. “Arsimi i lartë mjekësor dhe kërkimit shkencor është në një fazë që kërkon një zhvillim të mëtejshëm univeristar në nivel evropian. Prandaj, nëpërmjet themelimit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, kërkojmë t’i japim akoma më shumë rëndësi unifikimit, intensifikimit dhe thellimit të programeve mbarëevropiane me karakter etik, shkencor dhe akademik në shkencat mjekësore. Sepse e ardhmja universitare është bashkërendimi i politikave arsimore dhe programeve të njëhsuara të kërkimit shkencor, duke krijuar qendra të përbashkëta të studimeve interdisiplinare dhe duke përshtatur studimet mjekësore me një model ndërevropian”, u shpreh Prof. Unger.

 

Takimi vijoi me bisedimet mes të pranishmëve të cilët falenderuan Profesor Unger për vizitën dhe shprehen vlerësimin e tyre për mikun dhe intelektualin, siç është Prof. Unger, që punon dhe vepron pa rreshtur për të zhvilluar më tej studimet universitare.

 

 

                                                                                                     REKTORATI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *