HOMAZH PËR PROF. SIMON ÇAPELI

HOMAZH PËR PROF. SIMON ÇAPELI

Me hidhërim të thellë, njoftojmë se më datë 17.06.2017 është ndarë nga jeta mjeku dhe Profesori i mirënjohur Simon Çapeli. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Profesor Çapelit, të afërmve, miqve, kolegëve dhe studentëve të Tij.

NEKROLOGJI

Kirurgu i mirënjohur Simon Çapeli, ndryshe i quajtur “kirurgu me duart të arta”, ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Ai ishte një ndër pedagogët e vjetër të mjekësisë dhe të fushës së kirurgjisë.

Profesor Simon Çapeli kreu studimet universitare në Rusi dhe filloi aktivitetin si kirurg në Klinikën e përbashkët Kirurgji e Përgjithshme-Urologji, që drejtohej nga Prof. Paparisto. Në vitin 1979, pas kualifikimit dhe pajisjes më të mire me aparatura, u bë e mundur hapja e Klinikës Urologjike, me kapacitet 70 shtetër, dhe drejtimin e Klinikës Urologjike e mori Prof. Simon Çapeli. Prof. Çapeli është hartuesi i tekstit bazë të Urologjisë, që edhe sot ruan aktualitetin e parime themelore në këtë fushë. Gjatë aktivitetit pedagogjik dhe shkencor Prof. Çapeli ka kryer një numër të lartë studimesh dhe ka përgatitur breza të shumtë studentësh, që sot janë mjekë të njohur të vendit tonë, si Mustafa Xhani, Flamur Tartari, Veli Toto, Kastriot Dautaj, Lutfi Balili, Shaban Malaj, Njazi Ganaj, etj. Aktiviteti i tij shkencor përfshinte edhe udhëheqjen e temave të studimore dhe doktoratave për shumë mjekë urologë të klinikës dhe rretheve të vendit. Në thuajse të gjitha teknikat kirurgjikale të aplikuara në Klinikën Urologjike ka qenë dora e Prof. Çapelit, veçanërisht në aplikimin për herë të parë të metodave endoskopike diagnostike dhe intervencionuese. Një aspekt interesant i karrierës inovative të tij ishte përdorimi për herë të parë i anestezisë endotrakeale në ndërhyrjet kirurgjikale në zemër dhe mushkëri.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe, njëkohësisht, i përulet me nderim dhe mirënjohje të lartë Prof. Simon Çapelit për përkushtimin dhe punën e Tij të çmuar në përgatitjen e brezave të tërë të urologëve shqiptarë dhe në zhvillim të Mjekësisë Shqiptare.

REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË