Projekti me temë “Modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë shëndetësore të neurokirurgjisë përmes përdorimit të mikroskopit operator, me qëllim rritjen e cilësisë së ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ruajtjen e cilësisë së jetës pas operacionit”, me drejtues projekti Prof. Arsen Seferi.
Projekti synon rritjen e cilësisë së shërbimit neurokirurgjikal në Shqipëri përmes pajisjes me mikroskop operator të avancuar, implementimit të teknikave inovative kirurgjikale, forcimit të kërkimit shkencor dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale të stafit mjekësor.
Projekti me temë “Zhvillimi i kompetencave profesionale në teknikat e riprodhimit të asistuar (ART) përmes një programi të integruar trajnimi.”, Drejtues Projekti Prof. Dr. Eljona Demaliaj;
Qëllimi i këtij projekti është zhvillimi dhe forcimi i kompetencave profesionale të stafit mjekësor në fushën e infertilitetit dhe teknikave të riprodhimit të asistuar (ART), përmes implementimit të një programi të integruar trajnimi dhe standardizimit të praktikës klinike.
Projekti me temë “Studim epidemiologjik kombëtar i prevalences se infeksionit me virusin e Hepatitit D tek popullata HBsAg-pozitive në Shqipëri”, Drejtues Projekti Prof. Dr. Adriana Babameto;
Qëllimi i projektit është të vlerësojë prevalencën e infeksionit me virusin e Hepatitit D (HDV) tek individët HBsAg-pozitivë në Shqipëri përmes një studimi epidemiologjik kombëtar dhe shumëqendror. Projekti synon të sigurojë të dhëna të besueshme mbi shpërndarjen e HDV, të përmirësojë diagnostikimin dhe menaxhimin klinik të pacientëve me bashkëinfeksion HBV/HDV, si dhe të mbështesë forcimin e survejancës, krijimin e një regjistri kombëtar të hepatitit D dhe hartimin e politikave shëndetësore të bazuara në evidencë.
Projekti me temë “Vlerësimi i lidhjes ndërmjet sëmundjeve autoimune sistemike dhe patologjive të mukozës orale” Drejtues Projekti Prof. Asoc. Silvana Bara;
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është të vlerësojë në mënyrë sistematike lidhjen ndërmjet
sëmundjeve autoimune sistemike dhe patologjive të mukozës orale, duke analizuar prevalencën, tipologjinë klinike dhe ndikimin e këtyre manifestimeve në gjendjen shëndetësore dhe cilësinë e jetës së pacientëve.
Projekti me temë “Ekspozimi ndaj teknologjisë dixhitale dhe përdorimi problematik i saj: ndikimi në shëndetin seksual dhe mirëqenien psikosociale të studentëve të UMT-së”, Drejtues Projekti Prof. Asoc. Rozeta Shahini;
Qëllimi kryesor i projektit është të vlerësojë në mënyrë gjithëpërfshirëse ekspozimin dhe përdorimin problematik të teknologjisë (screen time, rrjete sociale, aplikacione komunikimi, platforma digjitale) si faktor risku për shëndetin seksual dhe mirëqenien psikosociale të studentëve në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë (UMT), si dhe të zhvillojë dhe pilotojë një model institucional të vigjilencës shëndetësore për monitorimin e efekteve të padëshiruara, identifikimin dhe klasifikimin e sinjaleve të riskut, dhe krijimin e rekomandimeve të zbatueshme për minimizimin e riskut në mjedisin universitar.
Projekti me temë “Roli i profilizimit molekular gjithëpërfshirës të tumoreve cerebrale në udhëheqjen e terapisë së precizionit në onkologjinë neurokirurgjikale”, Drejtues Projekti Prof. Dr. Artur Xhumari;
Qëllimi i këtij projekti është të vlerësojë rolin e profilizimit molekular gjithëpërfshirës të tumoreve cerebrale në përmirësimin e vendimmarrjes terapeutike dhe në udhëheqjen e terapisë së precizionit në onkologjinë neurokirurgjikale, përmes integrimit të të dhënave molekulare me parametrat klinikë dhe histopatologjikë në popullatën shqiptare.
Projekti me temë “Biomarkerët e hershëm të dëmtimit të organeve target në sindromën kardio–reno–metabolike: qasje integruese për depistim dhe stratifikim rreziku”, Drejtues Projekti Prof. Margarita Gjata.
Qëllimi i këtij projekti është të vlerësojë vlerën klinike të një paneli të përzgjedhur biomarkerash të rinj në identifikimin e hershëm të dëmtimit të organeve target (kardiak dhe renal) te individët me faktorë risku kardio–reno–metabolik, si dhe të zhvillojë një algoritëm praktik depistimi të hershëm, të aplikueshëm në praktikën klinike shqiptare.
Kërko informacion, event, njoftim etj