Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit profesional dhe mbështetjes së studentëve dhe alumnëve në rrugëtimin e tyre drejt një karriere të suksesshme në fushën e mjekësisë dhe shkencave shëndetësore. Për këtë qëllim, Zyrat e Karrierës në UMT ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh dhe iniciativash që lidhin botën akademike me atë profesionale, duke përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës dhe duke i ndihmuar të zhvillojnë potencialin e tyre maksimal.
Misioni i Zyrave të Karrierës
Misioni i Zyrave të Karrierës është të mbështesë çdo student dhe alumn në zhvillimin e aftësive profesionale, përgatitjen e tyre për tregun e punës dhe orientimin drejt mundësive më të mira të karrierës. Ato shërbejnë si një urë lidhëse midis mësimdhënies dhe praktikës profesionale, duke ofruar shërbime, përfshirë:
Këshillim individual dhe orientim karriere
Një përkrahje e personalizuar ku secili student merr orientim për të kuptuar më mirë interesat dhe aftësitë e veta, për të zgjedhur fushën më të përshtatshme profesionale dhe për të ndërtuar objektiva afatgjata dhe strategji për arritjen e tyre.
Trajnime, seminare dhe aktivitete të ndryshme
Zyrat kanë në përgjegjësinë e tyre organizimin e rregullt të trajnimeve dhe workshop-eve, të fokusuara në zhvillimin e aftësive të kërkuara në tregun e punës, si komunikimi profesional, menaxhimi i kohës, shkrimi i CV-së dhe përgatitja për intervistat e punës.
Ndërmjetësim për praktika profesionale dhe punësim
Në bashkëpunim me institucione shëndetësore, organizata publike dhe private, si dhe kompani partnere, Zyrat e Karrierës lehtësojnë lidhjen e studentëve dhe alumnëve me mundësi praktikash profesionale dhe punësimi. Gjithashtu, ato i njohin studentët me institucionet dhe partnerët me të cilët universiteti ka marrëveshje bashkëpunimi, duke kontribuar në krijimin e një rrjeti të gjerë dhe të qëndrueshëm në sektorin shëndetësor.
Organizim i aktiviteteve të rrjetëzimit profesional
Zyrat e Karrierës janë pjesëmarrëse aktive në panaire pune, forume, takime me profesionistë dhe seminare tematike, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për ndërtimin e kontakteve dhe njohjeve me ekspertë të fushës. Përmes këtyre aktiviteteve, studentët kanë mundësinë të gjenerojnë dhe zhvillojnë rrjetin e tyre profesional, të domosdoshëm për integrimin në tregun e punës.
Informacion i përditësuar mbi tregun e punës
Zyrat mbledhin, përpunojnë dhe shpërndajnë informacion mbi tendencat, kërkesat dhe mundësitë në tregun e punës në sektorin shëndetësor, duke ndihmuar studentët të përshtatin dhe zhvillojnë aftësitë e tyre në përputhje me nevojat aktuale të punëdhënësve.