HOMAZHE PER PROF. AGIM SALLAKUN

HOMAZHE PER PROF. AGIM SALLAKUN

Ditë e trishtuar për Mjekësinë Shqiptare. Ndahet nga jeta një personalitet i bluzave të bardha, Prof. Agim Sallaku.

Prof.Agim Sallaku u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, më 1981 dhe po atë vit emërohet si mjek radioterapeut onkolog në Shërbimin Onkologjik,.
Nga viti 1998 ishte pedagog i brendshëm i Fakultetit të Mjekësisë në Katedrën e Onkologjisë dhe luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e specialitetit të Onkologjisë klinike, si një kurs pasuniversitar specializimi prej 3 vitesh. Në këtë mënyrë, falë kontributit të tij, Onkologjia zuri vendin që meriton në kurrikulën universitare si një përgjigje e zhvillimeve bashkëkohore të onkologjisë në përgjithësi.
Prof.Agim Sallaku ka qenë në krye të Shërbimin Onkologjik që prej vitit 2004. Nën drejtimin e tij, ky Shërbim ka ndryshuar përqasjen ndaj pacientit onkologjik, duke funksionuar si një qendër multidisiplinore reference. Në këtë shërbim në këtë dekadë, u transformua radioterapia nga ajo me kobalt, në radioterapinë me akselerator linear duke i mundësuar një qendre shëndetësore publike një ndër trajtimet më bashkëkohore onkologjike.
Prof.Agim Sallaku është autor i disa teksteve mësimorë për studentë dhe mjekë specialistë, i artikujve shkencorë në revistat brenda dhe jashtë vendit, si dhe organizues i konferencave vjetore te Shoqatës Mediko-Onkologjike Shqiptare në bashkëpunim me shoqata ndërkombëtare onkologjike si ESMO, IAEA, etj.
Prof.Agim Sallaku ka punuar me ndershmëri dhe pasion duke vendosur në qendër të vëmendjes pacientin dhe kujdesin për të.
Prof.Agim Sallaku është një nga themeluesit e RYDER Albania në vitin 1993 , i cili hodhi themelet e kujdesit paliativ ne Shqipëri, 
që nga viti 2002-2004 ka kryer edhe funksionin e drejtorit mjekësor të QSUT.
Në kujtesën e Mjekësisë Shqiptare Dr. Agim Sallaku do të mbetet si personaliteti i vlerave të mëdha.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve të tij për këtë humbje të madhe.

Homazhet do të mbahen më datë 30.12.2017 ;ora 10.00-12.00 në Godinën e Lëndëve Paraklinike në QSUT (përballë Spitalit Infektiv)