NDAHET NGA JETA PROF. ARJAN PUSHI

NDAHET NGA JETA PROF. ARJAN PUSHI

Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen e parakohshme nga jeta të Prof. Arjan Pushi, mjekut të njohur hematolog dhe pedagogut të shquar të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Prof. Arjan Pushi ndërroi jetë me 30 qershor 2020, si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga epidemia SARS COVID-19, të cilën e përballoi në vijën e parë duke mjekuar pacientë me sëmundje të gjakut.

Prof. Arjan Pushi lindi më 30 korrik 1962 në qytetin e Beratit në një familje intelektuale me tradita qytetare dhe përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 1987. Qysh prej asaj kohe, Dr. Pushi filloi misionin e tij akademik si asistent-pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë. Prof. Arian Pushi ka qenë pjesë e Shërbimit Universitar të Hematologjisë.

Profesori i ndjerë Arjan Pushi bënte pjesë në brezin e dytë të hematologëve shqiptarë, të cilët populluan shërbimet universitare të specializuara në shërbimin spitalor kombëtar dhe në Fakultetin e Mjekësisë. Gjatë karrierës së Tij të gjatë, të përvijuar nga shkenca, modestia dhe humanizmi, Profesor Pushi ka dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e specialitetit të Hematologjisë dhe mjekësisë bashkëkohore në vendin tonë.

Ai ishte autor i disa monografive dhe teksteve mësimore për hematologjinë; mjekësinë e përgjithshme dhe gjithashtu i dhjetëra artikujve, kumtesave dhe referimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit. Largimi nga jeta i Prof. Arjan Pushit lë pas një humbje të madhe për familjen, koleget, studentët, pacientët e shumtë dhe cilindo tjetër qe ka pasur fatin dhe privilegjin ta njohë.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë u shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të Prof. Arjan Pushi.