NJOFTIM PËR VEND VAKANT: PËR 2 (DY) VENDE NË POZICIONIN SPECIALIST FINANCE NË SEKTORIN E FINANCËS, DREJTORIA EKONOMIKE, PRANË UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË.
Bazuar në ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në vendimin e Bordit të Administrimit Nr.11, datë 03.02.2020 “Për miratimin e kritereve të punësimit të personelit administrativ të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, si dhe në mbështetje të shkresës nr.678 prot., datë 25.02.2020 “Kërkesë për punësim” dhe 1237/1 dt.09.06.2020 si dhe Urdhri nr. 48 datë 16.06.2020, i Administratorit, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, shpall konkurrimin për vende të lira pune, si më poshtë:
- Për 2 (dy) vende në pozicionin Specialist Finance në Sektorin e Financës, Drejtoria Ekonomike, pranë Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
Përshkrimi përgjithësues i punës:
- Ndjek dhe zbaton të gjitha procedurat të lidhura me veprimet që gjenerojnë shpenzimet dhe të ardhurat dhe garanton përputhshmëri me ligjin.
- Ndjek dhe kryen regjistrimet në librat e llogarisë të të gjitha veprimeve që lidhen me të ardhurat.
- Ndjekin dhe kryejnë regjistrimet në librat e llogarisë të të gjitha veprimeve që lidhen me shpenzimet e njësisë qëndrore të UMT-së. Regjistron në bazë të dokumentacionit, të gjitha veprimet ekonomike financiare në mënyrë kronologjike dhe sistematike në regjistrat kontabël, ditarë: (ditari i shpenzimeve, ditari i bankës, ditari i magazinës, ditari i pagave, ditari i veprimeve të ndryshme).
- Përgatit e përpilon situacionet e raportimit të të ardhurave dhe shpenzimeve si UMT, si dhe tabelat e raportimit progresiv, periodikisht çdo 4 -mujor, në bazë të raportimeve progresive të dërguara nga çdo njësi shpenzuese.
- Mban dhe azhornon në mënyrë kronologjike gjendjen e Aktiveve të Qëndrueshme, kartelat e AQT-ve në përdorim (zyrë dhe çdo punonjës) për njësinë qëndrore të UMT-së si dhe llogarit amortizimin e tyre.
- Mban, azhornon dhe kontabilizon të gjitha veprimet e magazinës qëndrore të UMT-së dhe përgatit raportet mujore të gjëndjes.
- Mban, azhornon dhe kontabilizon të gjitha veprimet e pagave të punonjësve dhe të gjitha detyrimet që rrjedhin prej tyre (sig. shoqërore, pensionet etj).
- Raporton për punën e kryer dhe problemet e konstatuara përpara përgjegjësit të sektorit.
- Realizon çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga epërorët.
- Detyrat e tjera janë specifikuar në rregulloren e përgjithshme.
Kritere:
- Të ketë përfunduar studimet universitare dhe të jetë i pajisur me një diplomë të studimeve, “master profesional” ose “bachelor” në “shkencat ekonomike” apo të barasvlefshme me to, sipas kuadrit ligjor të arsimit të lartë;
- Të ketë 1 vit eksperiencë pune të mëparshme në të njëjtin pozicion ose pozicione të ngjashme;
- Aftësi të mira kompjuterike, njohja e programeve bazë;
- Njohuri të gjuhës së huaj anglisht dhe/ose ndonjë gjuhë tjetër.
Kërkesat e përgjithshme, që duhet të plotësojnë kandidatët për punësim si personel administrativ në UMT janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesat e tjera të posaçme për kategorinë, klasën, grupin dhe pozicionin përkatës;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje;
- Të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore, që nuk është shuar sipas ligjit;
- Të jetë në kushte shëndetësore të mira për të kryer detyrat përkatëse;
- Të ketë vlerësime pozitive të përvojave të mëparshme të punës;
- Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur.
Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë Sektorit të Protokollit dhe Arkivës në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë këto dokumente:
- Kërkesë me shkrim për aplikim;
- Jetëshkrimin (CV) sipas formatit standard (europass);
- Fotokopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
- Kopje e noteruar e diplomës/diplomave dhe/ose njëhsimin e tyre në MAS (për diplomat e marra jashtë vendit), bashkë me listë notash të noteruara (për ciklet përkatëse të studimit, sipas rastit);
- Kopje e librezës së punës e noteruar (të gjitha faqet që vëretojnë përvojën në punë);
- Vërtetim i gjendjes shëndetësore (raport mjekësor për aftësinë në punë);
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore, vetë deklarim sipas formës së kërkuar nga ligji;
- Vërtetim nga punëdhënës të mëparshëm, që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
- Dëshmi të njohjes së gjuhës së huaj të noteruar;
- Dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, apo të tjera të përmendura në jetëshkrim;
- Referenca nga punëdhënës të mëparshëm, që provojnë vlerësimet pozitive në punë;
- Dëshmi penaliteti.
Mungesa e një prej dokumentacioneve të kërkuara më sipër, sjell s’kualifikim të kandidatit.
Dokumentacioni i dorëzuar nuk do të kthehet mbrapsht, pasi bëhet pjesë e arkivës së Institucionit.
Kandidatët e interesuar, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar në Sektorin e Protokoll- Arkivës, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë (Adresa: Rruga e Dibrës, Nr.371, 1005, Tiranë)
Afati i dorëzimit të dokumentacionit: 29.06.2020 – 10.07.2020 (10 ditë pune).
Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurrimit me dosje dhe me intervista të drejtpërdrejta. Për çdo paqartësi mund të dërgohet email në adresën info@umed.edu.al
Fusha e njohurive, aftësive dhe cilësitë të cilat do të zhvillohet intervista:
- Njohuritë mbi Ligjin nr.80/2015 “Për arsimin e larte dhe kërkimin shkencor në IAL në R.SH.”
- Njohuritë mbi Ligjin nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
- Njohuri mbi ligjin nr. 9936, datë 26.06.2006 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Njohuri të akteve nënligjore në fuqi për fushën e procedurave financiare e administrative.
Mënyra e vlerësimit:
Në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën.
Në lidhje me intervistën e punës kandidatët do të vlerësohen për njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës; Eksperiencën e tyre të mëparshme; motivimin, aspiratat dhe pritshmërinë e tyre për karrierën.