Përmbledhje e pjesëmarrjes në takimin hapës (Kick-off) të projektit PIECES
Në datat 22-23 Qershor 2023 në Barcelonë u zhvillua takimi i parë (Kick-off meeting) i projektit PIECES, me pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve drejtues dhe zbatues.
Në këtë takim Shqipëria, si një prej partnerëve zbatues, u përfaqësua nga Prof. Dr. Gentiana Qirjako dhe Prof. Asoc. Ervin Toçi.
Takimi filloi me prezantimin e të gjithë pjesëmarrësve dhe një përshkrim të shkurtër të rolit të gjithësecilit. Pas fjalës së mirëseardhjes, u zhvillua një prezantim lidhur me bazat dhe rezultatet e pritshme të projektit PIECES, duke u përqëndruar në një përshkrim të bazave të Shkencës së Zbatimit dhe rezultateve dhe potencialit të projektit për të përmirësuar zbatimin e projekteve/ndërhyrjeve ekzistuesve apo edhe të reja në fushën e parandalimit parësor të kancerit. Në vazhdim u realizua prezantimi i detajuar i Paketave të Punës (8 paketa gjithsej), duke përshkruar fillimisht 3 paktetat e para.
Gjatë prezantimit të dy përfaqësuesve të Shqipërisë në këtë takim u ofrua informacion lidhur me institucionet zbatuese të projektit PIECES ne Shqipëri, si dhe lidhur me ndërhyrjet ekzistuese në fushën e parandalimit parësor të kancerit, për të vazhduar më pas me aktorët kryesorë në këtë fushë në vendin tonë, vendet e mundshme të zbatimit të ndërhyrjeve për parandalimin parësor të kancerit, mundësitë dhe barrierat për zbatimin e ndërhyrjeve ekzistuese apo ndërhyrjeve të reja në të ardhmen, etj.