Në Hotel Maritim Plaza, Tiranë, u zhvillua Konferenca e 26-të Kombëtare Dentare, një aktivitet i rëndësishëm shkencor që bashkoi profesionistë, akademikë, studiues dhe ekspertë të fushës së stomatologjisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori, Prof.Dr. Xheladin Draçini vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave profesionale, si dhe rolin e konferencave shkencore në shkëmbimin e përvojave, prezantimin e arritjeve kërkimore dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes dhe mbështetjes së studiuesve dhe profesionistëve të rinj në veprimtaritë shkencore.
Konferenca, e organizuar nga Shoqata Dentare Shqiptare, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë dhe institucione e organizata të tjera partnere, trajtoi një gamë të gjerë temash shkencore, përfshirë kirurgjinë orale dhe maksilofaciale, implantologjinë, endodontinë, ortodontinë, periodontologjinë, protetikën, si dhe zhvillimet e teknologjisë 3D dhe inteligjencës artificiale në stomatologji.
Kjo konferencë krijoi hapësira për diskutim shkencor, bashkëpunim profesional dhe njohje me risitë në fushën e stomatologjisë.





