Në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, u zhvillua ceremonia solemne e akordimit të titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Idit Matot, Presidente e zgjedhur e Shoqatës Evropiane të Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv (ESAIC) dhe personalitet i shquar ndërkombëtar në këtë fushë.
Prof. Dr. Matot drejton Departamentin e Anesteziologjisë, Kujdesit Intensiv dhe Analgjezisë në Tel Aviv Sourasky Medical Center. Titulli iu akordua në vlerësim të arritjeve të saj shkencore dhe akademike, angazhimit në edukimin mjekësor dhe kontributit në zhvillimin e anesteziologjisë shqiptare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, vlerësoi kontributin e Prof. Dr. Matot në avancimin e mjekësisë bashkëkohore dhe forcimin e bashkëpunimit akademik e shkencor ndërkombëtar.
Ky vlerësim shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin akademik dhe mjekësor shqiptar, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe partneriteteve ndërkombëtare në zhvillimin e mjekësisë dhe edukimit shëndetësor.











