Në Marriott Hotel, Tiranë, u zhvillua Konferenca Kombëtare e Sëmundjeve Infektive 2026, një aktivitet i rëndësishëm shkencor që bëri bashkë profesionistë të shëndetësisë, akademikë dhe kërkues shkencorë për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat bashkëkohore në fushën e sëmundjeve infektive.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori, Prof. Dr. Xheladin Draçini vlerësoi rëndësinë e konferencës në nxitjen e bashkëpunimit shkencor dhe profesional, si dhe në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mbi diagnostikimin, parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive.
Programi shkencor trajtoi një gamë të gjerë çështjesh aktuale, ndër të cilat infeksionet emergjente, rezistenca antimikrobike, survejanca epidemiologjike, infeksionet respiratore, HIV/AIDS, hepatitet virale dhe sfidat në diagnostikimin e trajtimin e rasteve komplekse. Konferenca përfshiu gjithashtu prezantime shkencore dhe sesione E-Poster, duke krijuar hapësirë për ndarjen e rezultateve të kërkimit dhe përvojave klinike.
UMT mbështet veprimtaritë që forcojnë lidhjen ndërmjet arsimit mjekësor, kërkimit shkencor dhe praktikës klinike, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.










