Bazuar në Ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, Statutin dhe Rregulloren e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë si dhe në Urdhrin e Rektorit të UMT-së nr. 51, datë 18.06.2026 “Për miratimin e kritereve dhe fillimin e procedurës së punësimit për pozicionin e punës personel ndihmës akademik me karakter administrativ “Specialist” në Sektorin e Kurrikulës dhe Pranimeve, Drejtoria e Administrimit Akademik dhe Kurrikulës, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë” shpallet konkursi për 1 (një) vend të lirë pune “Specialist”, në Sektorin e Kurrikulës dhe Pranimeve, Drejtoria e Administrimit Akademik dhe Kurrikulës, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, si më poshtë:
- Përshkrimi përgjithësues i punës:
- Ndjek procesin e pajisjes me numër matrikullimi të studentëve të cilët regjistrohen për herë të parë në UMT, në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
- Ndjek dhe monitoron proceset e pranimeve në njësitë kryesore (fakultete) të UMT-së, në përputhje me kuotat e miratuara, kriteret e pranimit, etj.;
- Përpunon projekt-propozimet e kuotave dhe kritereve të pranimit, si dhe ndjek procedurat përkatëse për miratimin e tyre;
- Shqyrton në aspektin administrativ dhe teknik propozimet për programe të reja të studimit, ndryshimit të atyre ekzistuese apo mbylljen e tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi si dhe ndjek procedurat përkatëse për miratimin e tyre;
- Përgatit dokumentacionin për emërtimet e diplomave për ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimit në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
- Trajton shkresat që vijnë nga institucionet me të cilat UMT ndërvepron (sipas detyrës), në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi;
- Kryen detyrat e tjera të ngarkuara nga eprorët, në përputhje me funksionet e pozicionit të punës.
- Kushtet dhe kriteret e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati janë:
- Të jetë shtetas shqiptar me zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar e të folur;
- Të zotërojë të paktën diplomë “Master Shkencor” ose ekuivalente me të;
- Të njohë një nga gjuhët e huaja perëndimore (Anglisht, Frëngjisht, Spanjisht, Italisht, Gjermanisht);
- Të ketë njohuri të mira të paketës Microsoft Office;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale;
- Kritere Preferenciale:
- Preferohet të ketë diplomë “Master Shkencor“ në fushën e shkencave juridike/sociale ose aplikative;
- Dokumentacioni i kërkuar:
- Kërkesë me shkrim për aplikim;
- Jetëshkrim (CV) sipas formatit standard (europass);
- Fotokopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
- Kopje e noterizuar e diplomës/diplomave dhe njësimin e tyre në Ministrinë përgjegjëse për arsimin (për diplomat e marra jashtë vendit), bashkë me listën e notave të noterizuara (për secilin program përkatës studimi);
- Kopje e noterizuar e dëshmisë së njohjes së gjuhës së huaj;
- Kopje e noterizuar e dëshmisë së njohjes së programeve bazë kompjuterike;
- Vërtetim i gjendjes shëndetësore të marrë brenda tre muajve të fundit nga data e aplikimit (raport mjekësor për aftësinë në punë);
- Dëshmi penaliteti, të marrë brenda tre muajve të fundit nga data e aplikimit;
- Formular vetëdeklarimi sipas formës së kërkuar nga ligji nr.138/2015;
- Çdo dokument tjetër që vërtetojnë trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
- Dorëzimi i dokumentacionit dhe afati i dorëzimit :
Kandidatët e interesuar, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar të inventarizuar, origjinal ose të njësuar me origjinalin, pranë zyrës së Protokoll Arkivës, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (Adresa: Rruga e Dibrës, Nr.371, 1005, Tiranë).
Mosdorëzimi i dokumentacionit të plotë të kërkuar më sipër apo dorëzimi jo në formën e specifikuar, sjell skualifikim të kandidatit.
Dokumentacioni i dorëzuar nuk do të kthehet mbrapsht, pasi bëhet pjesë e arkivës së Institucionit.
Afati i aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit nga kandidatët është brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga shpallja e njoftimit në buletinin e APP-së.
- Fusha e njohurive për të cilat do të zhvillohet intervista:
- Njohuri mbi Ligjin nr. 80/2015 datë 22.07.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”;
- Të ketë njohuri mbi aktet nënligjore të arsimit të lartë lidhur me programet e studimit, pranimet në programet sipas cikleve të studimit; sigurimi i brendshëm/i jashtëm i cilësisë për programet e studimit/institucionin;
- Të ketë njohuri mbi legjislacionin e përgjithshëm të procedurave administrative.
- Mënyra e vlerësimit nga Komisioni:
Në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën.
Në lidhje me intervistën e punës kandidatët do të vlerësohen për njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës, eksperiencën e tyre të mëparshme, motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurrimit me dosje dhe me intervista të drejtpërdrejta.
Për çdo paqartësi kandidatët mund të dërgojnë email në adresën info@umed.edu.al