Ceremonia e Dhënies së Titujve ‘Profesor’ dhe ‘Profesor i Asociuar’
Në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë u mbajt Ceremonia e Dhënies së Titujve ‘Profesor’ dhe ‘Profesor i Asociuar’ për 20 pedagogë dhe kërkues shkencorë të universitetit e spitaleve universitare.
Respekt dhe mirënjohje për punën e palodhur të kolegëve të nderuar, të cilët për vite me rradhë kanë ndjekur tematikat studimore të kërkimit shkencor dhe sot morën diplomat në ceremoninë e organizuar nga Rektori në Sallën e Senatit Akademik UMT.
Në fjalën e tij, Rektori i UMT-së Prof. Dr. Xheladin Draçini theksoi rolin e rëndësishëm të kërkimit shkencor në universitet dhe lidershipin e stafit akademik në këtë proces; duke vlerësuar e falenderuar kolegët e promovuar për përkushtimin dhe ekselencën e treguar ndër vite; të shprehur qartë edhe nëpërmjet rritjes së ndjeshme të cilësisë dhe përmbajtjes së mësimdhënies në universitet. Ceremoninë e nderoi me praninë e saj Zëvendësrektorja e Kërkimit Shkencor Prof. Dr. Suela Këlliçi, me kontribut të veçantë në procesin e promovimit të stafit akademik në UMT.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i uron përzemërsisht kolegëve të promovuar suksese të mëtejshme, shëndet e mbarësi!