Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) vijon angazhimin e tij në nismat evropiane që synojnë forcimin e cilësisë, integritetit dhe kulturës etike në arsimin e lartë, përmes pjesëmarrjes në projektin SINCERE – Strengthening Integrity and Ethical Culture in Regional Higher Education, të financuar nga Programi Erasmus+.
Në kuadër të këtij angazhimi, u zhvillua një prezantim mbi projektin SINCERE nga znj. Anila Prendi, Koordinatore e Projektit për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.
Gjatë prezantimit u paraqitën qëllimi, objektivat dhe fushat kryesore të projektit, si dhe rëndësia e forcimit të integritetit akademik dhe kulturës etike në institucionet e arsimit të lartë.
SINCERE synon të promovojë parimet e ndershmërisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe qeverisje universitare. Projekti mbështet zhvillimin dhe përmirësimin e politikave institucionale, forcimin e mekanizmave të integritetit akademik dhe përdorimin e mjeteve digjitale për parandalimin dhe evidentimin e praktikave që cenojnë integritetin akademik, përfshirë plagjiaturën.
Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe rritja e kapaciteteve të stafit akademik dhe studentëve, duke synuar krijimin e një mjedisi universitar ku integriteti dhe etika të jenë pjesë e pandashme e kulturës institucionale.
SINCERE bashkon institucione partnere nga Shqipëria, Kosova, Rumania, Polonia, Serbia dhe Hungaria, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, si dhe për zhvillimin e qasjeve të përbashkëta në fushën e integritetit dhe etikës në arsimin e lartë.
Pjesëmarrja e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në këtë projekt përbën një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në zhvillimin e standardeve institucionale dhe në forcimin e një kulture universitare të bazuar në integritet, etikë, transparencë dhe përgjegjshmëri.
Përmes angazhimit në SINCERE, UMT synon të vijojë kontributin e tij në promovimin e një arsimi të lartë cilësor, të besueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane, duke vendosur integritetin akademik në themel të zhvillimit të komunitetit universitar.