CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT “DOCTOR HONORIS CAUSA” PËR PROF. ARNDT ROLFS NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË
Ditën e martë, më datë 29 Qershor 2021, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë organizoi ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Arndt Rolfs. Në këtë ceremoni ishin të ftuar personalitete nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, anëtarët e Senatit Akademik si dhe personalitete të fushës si Prof. Paskal Cullufi dhe Prof. Anila Godo.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata, u shpreh se Senati Akademik vendosi të akordojë këtë titull duke njohur dhe njëkohësisht duke qënë i vetëdijshëm për kontributin e çmuar që Prof. Rolfs ka dhënë në zhvillimin e fushës së sëmundjeve të rralla.
Për një periudhë më shumë se tre vjeçare Prof. Rolfs ka mbështetur në mënyrë të pandërprerë shërbimin e pediatrisë dhe sëmundjeve metabolike duke kryer një numër të madh analizash gjenetike, enzimologjike dhe biomarkuesve të posatshëm. Falë dedikimit të tij dhe bashkëpunimit me laboratorin Centogene, ku dhe Prof. Rolfs është CEO, janë shtrirë më tej studimet dhe kërkimet shkencore kryesisht në fushën e sëmundjeve të rralla.Një punë e spikatur e tij është dhe përfshirja e pacientëve tanë të dyshuar me sëmundje hereditare, të cilët do ti nënshtrohen ekzaminimeve gjenetike për identifikimin e mutacioneve përkatëse.
Është nder për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, t’i akordojë titullin “‘Doctor Honoris Causa” Prof. Arndt Rolfs, një personaliteti të nderuar të mjekësisë, duke shprehur në këtë mënyrë falënderimin e mjekëve dhe pacientëve shqiptarë.