CEREMONIA E DIPLOMIMIT TË STUDENTËVE TË FAKULTETIT TË SHKENCAVE MJEKËSORE TEKNIKE
Me rastin e ditës së Diplomimit të studentëve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike ditën e Merkurë, më datë 14.10.2015, në sallën e Amfiteatrit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u organizua Ceremonia e Diplomimit dhe Vlerësimit të studentëve të shkëlqyer për vitin akademik 2014-2015 nga Dekanati i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Në këtë event nderuan me pjesëmarrjen e tyre Znj. Nora Malaj, Zv. Ministre e Arsimit dhe Sportit, Prof. Asc. Suela Këlliçi, Zv. Rektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Petrit Bara, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, si dhe stafi i nderuar akademik dhe administrativ i Fakultetit. Gjatë këtij eventi u krye proklamimi i të diplomuarve dhe u shpërndanë certifikata vlerësimi për studentët e shkëlqyer të programeve të ndryshme të studimit që ofrohen nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike.
Prof. Dr. Petrit Bara, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, falënderoi personalitet e pranishme dhe shprehu falënderimin e tij, jo vetëm për studentët, të cilët diplomohen, por edhe për pedagogët e tyre, të cilët kanë kontribuar çdo ditë për t’i përgatitur ata në diplomimin e suksesshëm të tyre. “Ne jemi të nderuar që Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ofron lëndë si Infermieria e Përgjithshme dhe Programet e tjera të studimit të cilat janë kaq shumë të kërkuara për punësim. Sepse detyra e Fakultetit tonë është që të përgatisim profesionistë të shëndetit që të jenë të aftë dhe të kenë mundësi të mira punësimi. Prandaj, jemi të nderuar që Fakulteti ynë është një histori suksesi për punësimin e studentëve tanë”, tha Prof. Dr. Petrit Bara. “Gjithashtu, dua të kujtoj se Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka qenë një ndër Fakultetet e para që ka zbatuar reformën e Kartës së Bolonjës dhe se është i gatshëm të zbatojë reformën në arsimin e lartë që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë”, shtoi Prof. Dr. Petrit Bara.
Zv. Ministre e Arsimit dhe Sportit Znj. Nora Malaj falënderoi Dekanin Petrit Bara për ftesën dhe përgëzoi studentët që diplomohen në shkencat mjekësore teknike. “Puna e profesionistëve të shëndetit është një punë me përgjegjësi të madhe dhe përkushitmin e tyre secili prej nesh e provon vetëm kur ndodhet në vështirësi”, u shpreh Znj. Nora Malaj. “Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dua të falënderoj pedagogët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike për punën që bëjnë çdo ditë dhe sot infermieria është ndër degët më të vlerësuara në Shqipëri. Sot të diplomuarit në këtë Fakultet hapin një faqe të re dhe të suksesshme në jetën e tyre”, tha Znj. Nora Malaj.
Prof. Asc. Suela Këlliçi, Zv. Rektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, u shpreh se përgëzon Fakultetin për këtë iniciativë. “Në emër të Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata, ju uroj të gjithëve suksese të mëtejshme në jetën tuaj profesionale. Dua të falënderoj edhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, i cili ka kontribuar çdo ditë që ju të arrini këtë ditë të shënuar diplomimi. Jemi të bindur se vitet tuaja në Universitetin tonë nuk kanë qenë vetëm vite studimi dhe angazhimi, por edhe vite të vyera formimi të personalitetit tuaj si profesionistë të denjë të Shëndetësisë Shqiptare. Në auditorët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, ju nuk keni marrë vetëm dijen e arsimit dhe profesionit tuaj shëndetësor, por edhe përkushtimin e profesionit human në shkencat mjekësore teknike. Sot, ju diplomoheni si Inferimierë, Mami, Teknikë të Imazherisë, Logopedistë, Teknikë të Lartë të Laboratorit dhe Fizioterapistë dhe jeni një vlerë e shtuar për shëndetësinë e vendit tonë”, tha Prof. Asc. Suela Këlliçi.
Në këtë event vlerësime të veçanta u dhanë edhe për studentët nga Trojet Shqipëtare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, të cilët u vlerësuan nga Dekani Prof. Dr. Petrit Bara për përkushtimin e tyre në studime. “Angazhimi i tyre në degët e ofuara nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike vjen nga puna e mirë që Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka bërë për të përgatitur studentët në kuadër të marrëveshjes me Komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës”, tha Dekani Petrit Bara.
FOTO NGA CEREMONIA E DIPLOMIMIT
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Publikuar më 16.10.2015