Fakulteti i Shkencave Mjekesore Teknike
“Infermieria është një art dhe meqë është art, kërkon një përkushtim të veçantë, një përgatitje të vështirë ashtu si puna e piktorit ose skulptorit. Por, nëse ata kanë të bëjnë me ngjyrën apo mermerin e vdekur, infermierët kanë të bëjnë me trupin e gjallë që është tempull i frymës së Perëndisë. Prandaj infermieria është një nga Artet e Bukura, për më tepër, më i miri nga më të mirat e arteve”.
Florence Nightingale
Infermieria ka ekzistuar në forma të ndryshme në çdo kulturë dhe praktika e saj ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës. Infermieria, në kuptimin që ka sot, zë fill në kohën e luftës së Krimesë, kur Florence Nightingale (1820 – 1910), vuri gurthemelin e infermierisë profesionale.
Në Shqipëri, në vitin 1910, kujdesi infermieror ushtrohej në mënyrë individuale nga gra të arsimuara jashtë vendit. Më 30 Dhjetor 1921 përshkruhen të dhënat e para mbi zhvillimin e infermieristikës si profesion edhe si shërbim, me edukimin, shkollimin dhe formimin përkatës. Ishte Kryqi i Kuq Shqiptar, i cili themeloi në Tiranë Shkollën e Infermierëve, me programe që formonin nxënësit, kryesisht mbi mjekësinë parandaluese dhe mbi fushën e higjenës.
Në 1948 në Tiranë hapet Teknikumi i Parë Mjekësor me program më të zgjeruar, ku në përfundim të kësaj shkolle të diplomuarit punësoheshin si ndihmësmjekë.
Në 1968 në Tiranë u hap Shkolla 3-vjeçare për infermierë pas 8 – vjeçares si dhe kurse 2 – vjeçare, pranë spitalit.
1989-1990 u hapën kurse 1-vjeçare për infermierë dhe mami pas shkollës së mesme, të barazvlefshme me formimin e mesëm 4-vjeçar profesional.
Në vitin 1994 u hapën Shkollat Larta të Infermierisë me 3.5 vite studimi pas arsimit të mesëm.
Shkolla e Lartë e Infermierisë në Tiranë funksionon si e tillë që nga viti 1994, e cila varej dhe drejtohej nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo shkollë u ngrit mbi bazën e një kursi 1- vjeçar për infermierë që ekzistonte prej disa vitesh pranë Drejtorisë së Kuadrove Mjekësore në Spitalin Civil Nr.1, Tiranë. Statusin si Shkollë e Lartë e Infermierisë (SHLI), e mori me Vendim të Këshillit të Ministrave, në vitin 1996, që përkon me kalimin e kësaj Shkolle në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Në vitin 2004 u rivlerësua statusi i SHLI, Tiranë dhe u propozua dhënia e statusit: Fakultet i Infermierisë (FI) në Universitetin e Tiranës.
Me përfshirjen e FI si pjesë e strukturave universitare u bë e mundur krijimi i departamenteve në këtë fakultet, përkatësisht: Departamenti i Lëndëve Paraklinike, Departamenti i Lëndëve Klinike dhe Departamenti i Diagnostikës dhe Rehabilitimit.
Stafi akademik i këtij fakulteti ka bërë një punë kolosale për hartimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kurrikulave për programet e studimit Infermieri, Mami dhe më pas edhe në Fizioterapi, Teknikë Imazherie, Teknikë Laboratori, Logopedi duke i bërë programet më të kërkuara në vend në fushën e profesioneve mjekësore.
Programet e studimit në FSHMT janë të përafruara e lehtësisht të konvertueshme me programet e vendeve të rajonit, Europës e më gjerë.
Në janar të 2013 me vendim të Këshillit të Ministrave u krijua Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, në strukturën e të cilit u integrua Fakulteti i Infermierisë, me emërtesën Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike (FSHMT).
Sot FSHMT ofron studime në nivel Bachelor në degët infermieri, mami, teknik laboratori, imazheri, fizioterapi dhe logopedi duke vazhduar me studimet në ciklin e dytë universitar në Master Profesional e Master Shkencor, studime të ciklit të tretë Doktoraturë në Mjekësi Klinike, Mjekësi Paraklinike dhe Shkenca Infermierore në të gjitha profilet.
Këshilli Shkencor i FSHMT gjatë këtyre viteve ka marrë në shqyrtim dhe ka miratuar një numër të konsiderueshëm tekstesh shkollore për studentët e këtij Fakulteti.
Gjithashtu FSHMT publikon revistën shkencore “Mjekësia Bashkëkohore”, e cila është miratuar në vitin 2010 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
DEKANËT NDËR VITE
2004 -2016 Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike ka qenë Prof. Petrit BARA.
Në zgjedhjet universitare të vitit 2016, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike u zgjodh Prof. Tatjana ÇINA.