IN MEMORIAM!

IN MEMORIAM!

Nuk ka të bëjë me moshën, me numrat! Ka të bëjë me veprat, gjurmët, historinë që lë pas…
Me hidhërim te thellë njoftojmë sot ndarjen nga jeta të Prof. Isuf Kalo.
Korifejve të Mjekësisë sonë, që përveç emrit, kohës, profesionalizmit, humanizmit i dhanë shpirtin, jetën Mjekësisë. E midis tyre në mënyrë të padiskutuar është dhe Prof. Isuf Kalo.
Prof. Kalo u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1964. U specializua për Endokrinologji dhe Sëmundje Metabolike në Kinë. Në vitet 1966 –1967 në bashkëpunim me Profesorë të tjerë të Nderuar krijuan specialitetin e Endokrologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Shqipëri, në kuadrin e “Klinikës Universitare të Terapisë Hospitalore”.
Prof. Kalo ishte mjeku i parë shqiptar në stafin permanent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kopenhagën si drejtues i Programit Europian për Diabetin dhe i Departamentit të Cilësisë të Sistemeve Shëndetësore në Europë.  Jo vetëm themelues i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, po edhe vizionar, ideator dhe metodist bashkëkohorë për sistemin tonë shëndetësor.
Ka qenë konsulent i Bankës Botërore në projekte shëndetësore, konsulent i ministrave të Shëndetësisë, lektor në Universitetin e Dubrovnikut, ekspert i Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë për programin e diabetit.
Ka themeluar shoqatat mjekësore “Hypokrati” dhe “Jetë dhe shëndet”. Është autor i shumë veprave në shtypin mjekësor vendas dhe të huaj, anëtar nderi në shoqata mjekësore ndërkombëtare dhe të vendeve të veçanta të Europës si dhe President Nderi i Shoqatës së Diabetit në vendim tonë.
Prof. Kalo ishte themelues dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës si dhe Kryeredaktor i revistës shkencore mjekësore “Medicus”.
Diabeti ishte pasioni, sfida profesionale e jetës së Prof. Kalos. Në asnjë ditë profesori nuk e ndërpreu punën dhe përkushtimin ndaj profesionit. “Mjekësia është mision i vullnetshëm, një zotim para vetvetes e ndaj qytetarëve, për t’iu përkushtuar vuajtjeve të tyre me pasion, me dije dhe me zemër. Si e tillë ndërpritet po të mbaronin këto vuajtje ose kur na pushon zemra jonë përgjithmonë.”
Kush më mirë se ai diti të prijë Endokrinologjinë shqiptare! Jo thjesht në përditshmëri, por mbi të gjitha një kontribut të vyer në betejën kundër Covid-19 si anëtar i Task Forcës të burimeve njerëzore dhe edukimit.
Dje dhe Sot ditë zie për Mjekësinë tonë, mbi të gjitha për Endokrinologjinë. Nuk do jenë më 2 emra! Prof. Kalo dhe Prof. Fureraj!
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllime më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve të tij!
U prehshi në Paqe Prof. Kalo!