NJOFTIM

NJOFTIM

Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen e parakohshme nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë të Prof. Asc. Aleksander Hoxha, mjekut shumë të njohur anestezist – reanimator dhe pedagogut të shquar të Fakultetit të Mjekësisë.
Prof. Asc. Aleksander Hoxha përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në Anestezi – Reanimacion pas viteve 90‘. Profesori i ndjerë ka pasur mbi 30 vjet eksperiencë pune në këtë specialitet të vlerësuar; 5 vjet në Shërbimin e Kardiokirurgjisë dhe 18 vjet në Shërbimin e Neurokirurgjisë dhe kudo ka shkëlqyer si profesionist dhe njeri. Me një eksperience të pasur 10 – vjecare si pedagog i ftuar në lënden e Farmakologjisë së Përgjithshme; në vitin 2005 filloi misionin e tij akademik si pedagog me kohë te plotë në fakultet dhe në shkollën e specializimit në Anestezi – Reanimacion. Pjesë e Shërbimit Universitar të Anestezi – Reanimacionit. Prof. Asc. Aleksander Hoxhën e shkëputi dhimbshëm nga pacientët dhe studentët, vetëm sëmundja e rëndë dhe vdekja; leksionet e Tij të muajve të fundit janë ende në platformën online të fakultetit.
Gjatë karrierës së Tij të gjatë, të përvijuar nga shkenca, modestia dhe humanizmi, Profesori i nderuar ka dhënë një kontribut të cmuar për përparimin e specialitetit të Anestezi – Reanimacionit dhe mjekësisë bashkëkohore në vendin tonë. Ai ka qënë anetar aktiv i bordeve drejtuese të Shoqatës Kombëtare të Anestezi – Reanimacionit, Shoqatës Evropiane të Anestezisë (ESA), Këshillit Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë dhe plot redaksive të periodikëve shkencore të njohur.
Ai ishte autor i pesë monografive dhe teksteve mësimore për Anestezi – Reanimacionin; Farmakologjinë e Përgjithshme, trajtimin e dhimbjes dhe gjithashtu i dhjetra artikujve, kumtesave dhe referimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit. Largimi nga jeta i Prof. Asc. Aleksander Hoxha le pas një humbje të madhe për familjen, kolegët, studentët, pacientët e shumtë dhe cilindo tjetër që ka pasur fatin dhe privilegjin ta njohë.
Fakulteti i Mjekësisë përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe kolegët, me respekt e dhimbje të thellë,
I paharruar qoftë kujtimi i Tij!
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË