NJOFTIM PËR 1(NJË) VEND NË POZICIONIN E PUNËS “ADMINISTRATOR I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË”

NJOFTIM PËR 1(NJË) VEND NË POZICIONIN E PUNËS “ADMINISTRATOR I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË”

Bazuar në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në Statutin dhe Rregulloren e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në Vendimin e Bordit të Administrimit të UMT-së nr. 75, datë 28.12.2021 “Për miratimin e kritereve, dokumentacionit dhe procedurave të punësimit “Administrator” i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë” i ndryshuar, si dhe në Urdhrin e Administratorit të përkohshëm të UMT-së nr. 241, datë 21.01.2024 “Për fillimin e procedurës së punësimit, kriteret dhe dokumentacioni për pozicionin e punës “Administrator i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, shpall konkursin për vend të lirë pune, si më poshtë:

Për 1(një) vend në pozicionin e punës “Administrator i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”.

Kandidatët për pozicionin e punës “Administrator i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, duhet të plotësojnë kriteret dhe të dorëzojnë dokumentacionin si më poshtë:

 

Kritere të përgjithshme:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. Të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkurron;
  4. Të ketë arsim të lartë, së paku në nivelin “Master i Shkencave”, në fushën e drejtësisë ose të ekonomisë dhe përvojë pune së paku 7 (shtatë) vjet në këto fusha, pas përfundimit të arsimit të lartë në fushat e kërkuara;
  5. Të ketë përvojë pune në fusha lidhur me sistemin e menaxhimit financiar dhe kontrollin, përfshirë programimin, zbatimin, monitorimin e buxhetit, menaxhimit të riskut dhe proceseve të qeverisjes.
  6. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale;
  7. Të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore, që nuk është shuar sipas ligjit;
  8. Të ketë vlerësime pozitive të përvojave të mëparshme të punës;
  9. Të mos gjendet në kushtet e konfliktit të interesit;
  10. Të zotërojë me dëshmi një nga gjuhët e huaja perëndimore (Anglisht, Frëngjisht, Spanjisht, Italisht, Gjermanisht);

 

Dokumentacioni që duhet të paraqesin kandidati/ët:

  1. Kërkesë me shkrim për aplikim;
  2. Jetëshkrimin (CV), si rregull sipas formatit standard (europass);
  3. Fotokopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
  4. Kopje e noterizuar e diplomës/diplomave dhe/ose njësimin e tyre në MAS (për diplomat e marra jashtë vendit), bashkë me listë notash të noterizuara (të dy cikleve të studimit);
  5. Kopje e noterizuar e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  6. Vërtetim i gjendjes shëndetësore të marrë brenda 3 (tri) muajve të fundit (raport mjekësor për aftësinë në punë);
  7. Formular vetëdeklarimi sipas formës së kërkuar nga ligji nr. 138/2015;
  8. Vërtetim i gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti) të marrë brenda tre muajve të fundit;
  9. Vërtetim nga punëdhënës/i të mëparshëm/fundit apo aktual, që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  10. Dëshmi të njohjes së gjuhës së huaj të noterizuar;
  11. Referenca nga punëdhënës të mëparshëm, që provojnë vlerësimet pozitive në punë;
  12. Vetëdeklarim që nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit për pozicionin e punës “Administrator i UMT-së” që kandidon;
  13. Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, apo të tjera të përmendura në jetëshkrim;

 

Mungesa e një prej dokumenteve të kërkuara më sipër, sjell s’kualifikim të kandidatit.

Dokumentacioni i dorëzuar nuk do të kthehet mbrapsht kandidatit, pasi bëhet pjesë e arkivës së Institucionit.

 

Dorëzimi i dokumentacionit dhe afati i dorëzimit:

  1. Kandidatët e interesuar, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, të inventarizuar, në Zyrën e Protokoll-Arkivës, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, në adresën: Rruga e Dibrës, Nr. 371, 1005 – Tiranë, Shqipëri;
  2. Afati i dorëzimit i dokumentacionit është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike që nga dita e Shpalljes së njoftimit, në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, për këtë pozicion pune (Administrator i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë).
  3. Për çdo paqartësi mund të dërgohet e-mail në adresën info@umed.edu.al

 

Mënyra e vlerësimit:

Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurrimit me dosje dhe me intervista të drejtëpërdrejta. Në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar, kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën. Në lidhje me intervistën e punës kandidatët do të vlerësohen për njohuritë mbi legjislacionin, aftësitë, kompetencat, eksperiencën e tyre të mëparshme, motivimin, aspiratat si dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Për çdo paqartësi mund të dërgohet e-mail në adresën info@umed.edu.al