Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike me hidhërim të thellë njoftojnë ndarjen nga jeta të dr. Shpëtim Gjebrea.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ( ish Fakulteti i Infermierisë), me hidhërim të thellë njofton ndarjen nga jeta të dr. Shpëtim Gjebrea.
Dr. Shpëtim Gjebrea, u diplomua në vitin 1958 në Fakultetin e Mjekësisë, me rezultate të shkëlqyera. Ai ka dhënë një kontribut të madh në mjekësinë shqiptare falë punës së palodhur, prej vitit 1958 deri mё 2011.
Gjatë gjithë jetёs sё tij, ka punuar me përkushtim dhe profesionalizëm tё spikatur për përgatitjen e kuadrove mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë. Nё mёnyrё tё veçantë gjatë periudhës 1997-2000, Dr. Shpёtim Gjebrea në rolin e Zv. Drejtorit të Shkollёs së Lartё tё infermierise, ka kontribuar pa u lodhur për hedhjen e bazave të qëndrueshme tё Shkollës së Lartë te Infermierisë, sot Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. Nё kёtё detyrё, Ai ishte ideatori dhe mendjehapuri i cili inicioi dhe finalizoi binjakёzimin me shkolla homologe nё Zvicёr, Finlandё e Mbretёri e Bashkuar, duke orientuar formimin bashkёkohor dhe nё pёrputhje me nevojat nё ndryshim tё vazhdueshёm pёr profesionin fisnik tё Infermierit.
Dr. Shpëtim Gjebrea ka lënë gjurmë edhe si mjek hematolog gjatë viteve qe punoi në QSUT.
Dr. Gjebrea-s, i është dhënë titulli Qytetar Nderi nga Bashkia Pukë, për kontribut të veçantë në shërbim të qytetarëve si mjeku i parë gjatё periudhёs 1958-1963.
I shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes së mjekut të nderuar Shpëtim Gjebrea!