SENATI AKADEMIK I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Senati Akademik është organi më i lartë kolegjial i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT). Ai përbëhet nga 21 anëtarë, përfshirë Rektorin (kryetar), 18 përfaqësues të personelit akademik dhe 2 përfaqësues të studentëve (10%). Anëtarët akademikë duhet të kenë titullin “Profesor” ose gradën shkencore “Doktor” (PhD), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së.
Mandati i Senatit Akademik është katërvjeçar. Numri i anëtarëve, mënyra e funksionimit dhe përfaqësimi i njësive kryesore në senat përcaktohen në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
KOMPETENCAT KRYESORE TË SENATIT AKADEMIK
Garanton autonominë e institucionit të arsimit të lartë, lirinë akademike, si dhe të drejtat e studentëve;
Harton strukturën e përgjithshme të institucionit të arsimit të lartë dhe i propozon Bordit të Administrimit numrin e personelit të institucionit në të gjitha nivelet;
Miraton rregulloret e institucionit dhe aktet e tjera, sipas përcaktimeve të bëra në statut;
Miraton programet e reja të studimit, të kërkimit shkencor, ndryshimet si dhe mbylljen e tyre.
Miraton hapjen, riorganizimin ose mbylljen e njësive të institucionit të arsimit të lartë mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë.
Miraton planin vjetor të veprimtarive akademike dhe kërkimore-shkencore;
Krijon Komisionin e Përhershëm për Promovimin e Personelit Akademik, si edhe komisionet e tjera të përcaktuara në statutin e institucionit etj.
Senati Akademik ushtron kompetencat e tij përmes vendimeve me fuqi të drejtpërdrejtë.