Studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dëshmojnë se mjekësia nuk është vetëm shkencë, por edhe ndjeshmëri, empati dhe krijimtari. Përmes një formati ndryshe dhe frymëzues, ata lidhën artin me mjekësinë, duke sjellë në skenë emocione, mesazhe shprese dhe solidariteti.
Në këtë aktivitet artistik, të organizuar nga Medtalent, u përcoll fuqishëm mesazhi “Ende ka Shpresë”, ku arti u shndërrua në një gjuhë universale që plotëson misionin e mjekut: të kurojë jo vetëm trupin, por edhe shpirtin.
Performancat artistike reflektuan anën humane të profesionit të mjekësisë, duke treguar se ndjeshmëria dhe kreativiteti janë pjesë thelbësore e formimit të një mjeku të ardhshëm.
Ky format inovativ theksoi se studentët e mjekësisë janë jo vetëm profesionistë në formim, por edhe individë të angazhuar shoqërisht, të aftë të ndërtojnë ura mes shkencës dhe artit, duke përcjellë mesazhin se shërimi shpesh fillon përmes emocioneve, shpresës dhe humanizmit.
Një falënderim i veçantë shkon për Universitetin e Arteve për mikpritjen, vënien në dispozicion të ambienteve dhe mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij aktiviteti artistik dhe humanitar.















