Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare me temë:
“Akreditimi i Laboratorëve Mjekësorë në Shqipëri sipas ISO 15189:2022”, e zhvilluar në Hotel Hilton, Tiranë.
Konferenca mblodhi profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të shëndetësisë për të diskutuar mbi rëndësinë e standardizimit dhe akreditimit të laboratorëve mjekësorë sipas standardit ndërkombëtar ISO 15189:2022, si një hap i rëndësishëm për garantimin e cilësisë, sigurisë dhe besueshmërisë së shërbimeve laboratorike në vendin tonë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori theksoi rëndësinë e përmirësimit të standardeve laboratorike dhe përafrimit me praktikat ndërkombëtare, duke vënë në dukje rolin që luajnë laboratorët e akredituar në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe sigurisë së pacientit. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional në funksion të forcimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë mbetet i përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve shkencore dhe profesionale që kontribuojnë në avancimin e cilësisë në arsimin mjekësor, kërkimin shkencor dhe shërbimet shëndetësore.










