U zhvillua sot Konferenca e IX e Mikrobiologjisë Klinike me temë “Mikrobiota në Shëndet dhe Sëmundje – Një Qasje Ndërdisiplinore”, një aktivitet shkencor i cili mblodhi profesionistë, pedagogë, studiues dhe studentë të fushës së mjekësisë dhe shkencave biomjekësore.
Konferenca trajtoi zhvillimet më të fundit mbi rolin e mikrobiotës në shëndet dhe sëmundje, duke vënë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ndërdisiplinor në kërkimin shkencor, diagnostikimin dhe trajtimin bashkëkohor të patologjive të ndryshme.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e promovimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në përballimin e sfidave të mjekësisë moderne, si dhe rolin e universiteteve në nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit profesional të brezit të ri të mjekëve dhe studiuesve.
Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave dhe njohurive shkencore, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional në fushën e mikrobiologjisë klinike dhe shkencave mjekësore.














