Konferenca Kombëtare “AMSA MS Day Albania 2026” Promovon Zhvillimet më të Fundit në Neuroimunologji”

Shkenca, kërkimi dhe inovacioni në shërbim të pacientëve me sëmundje neuroimunologjike ishin në fokus të konferencës kombëtare “AMSA MS Day Albania 2026”, e organizuar nga Shoqata AMSA dhe e mbështetur nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë!

Ky aktivitet mblodhi së bashku neurologë, profesionistë të shëndetësisë, pedagogë, studiues dhe studentë, të cilët diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në diagnozën, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve me Sklerozë Multiple dhe sëmundje të tjera neuroimunologjike.

Në ceremoninë e hapjes, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, u përfaqësua nga Prof. Dr. Ilirjana Klironomi Bakalli, e cila në fjalën e saj përshëndetëse vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla shkencore në avancimin e njohurive mjekësore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërdisiplinor në fushën e neuroimunologjisë.

Prof. Dr. Ilirjana Klironomi Bakalli theksoi se Universiteti i Mjekësisë, Tiranë mbetet i përkushtuar në mbështetjen e kërkimit shkencor, edukimit të vazhdueshëm profesional dhe promovimit të inovacionit në shërbim të përmirësimit të kujdesit ndaj pacientëve.

Konferenca shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave profesionale dhe prezantimin e risive bashkëkohore në neurologji dhe neuroimunologji, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe klinik në vend.

en_GBEnglish (UK)

The search for information, event notification, etc.