REKTORI I UMT-SË PRET DELEGACIONIN E ALBANIAN HEALTH FUND

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, priti në ambientet e Rektoratit delegacionin e Albanian Health Fund, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve institucionale dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e edukimit mjekësor dhe kërkimit shkencor.

Gjatë takimit u vlerësua partneriteti ndërmjet Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Albanian Health Fund, një bashkëpunim me traditë që prej vitit 1992, i cili ndër vite ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e edukimit mjekësor, trajnimin e profesionistëve të shëndetësisë, organizimin e konferencave shkencore dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shqiptarë dhe institucioneve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një etapë e rëndësishme në konsolidimin e këtij partneriteti ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Albanian Health Fund, në janar 2025. Marrëveshja krijon mundësi të reja për bashkëpunim në kërkimin shkencor, shkëmbimet akademike dhe zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit akademik.

Në vijim të diskutimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit me universitete dhe institucione akademike e shëndetësore amerikane, shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, si dhe zhvillimit të nismave të përbashkëta në fushën e mjekësisë, shëndetit publik dhe kërkimit shkencor.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë mbetet i angazhuar në ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike, promovimin e ekselencës dhe ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me institucione të njohura akademike dhe shëndetësore.

Takimi shërbeu si një mundësi për të diskutuar hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe për të identifikuar iniciativa konkrete në shërbim të studentëve, stafit akademik, profesionistëve të shëndetësisë dhe zhvillimit të sistemit shëndetësor në vend.

en_GBEnglish (UK)

The search for information, event notification, etc.