Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është një institucion dinamik që promovon kërkimin shkencor dhe inovacionin si shtylla themelore të zhvillimit akademik. Përmes pjesëmarrjes në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përmes bashkëpunimeve me universitete dhe institucione prestigjioze, ne krijojmë mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe shkëmbim përvoje për studentët dhe stafin tonë. Programet e mobilitetit, përfshirë Erasmus+, janë një element kyç në ndërkombëtarizimin e universitetit.
Në vizionin tonë strategjik, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë synon të konsolidohet si një qendër reference në rajon për studimet mjekësore dhe kërkimin shkencor, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shëndetit publik dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet integrimit të teknologjive të avancuara në procesin mësimor dhe kërkimor. Transformimi dixhital dhe aplikimet e inteligjencës artificiale po ndryshojnë mënyrën se si kuptojmë dhe praktikojmë mjekësinë. Universiteti ynë angazhohet për t’i përfshirë këto zhvillime në mënyrë të përgjegjshme dhe etike, duke siguruar që teknologjia të jetë në shërbim të njeriut dhe jo zëvendësim i tij.
Në të njëjtën kohë, ne mbetemi të përkushtuar ndaj dimensionit human të mjekësisë. Pacienti është dhe do të mbetet gjithmonë në qendër të çdo veprimtarie akademike dhe klinike. Formimi i profesionistëve të ndjeshëm, empatikë dhe të përgjegjshëm është një nga prioritetet tona kryesore.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë përmbush gjithashtu rolin e tij në shoqëri përmes promovimit të shëndetit publik, edukimit të komunitetit dhe mbështetjes së stileve të shëndetshme të jetesës. Ne synojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi me institucione vendase dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave më të mira në fushën e shëndetit.
Të dashur studentë, ju jeni në qendër të këtij misioni. Universiteti ynë do të jetë një udhërrëfyes i rëndësishëm në rrugëtimin tuaj profesional dhe personal. Ju inkurajoj të përfitoni nga çdo mundësi që ofron ky institucion, të jeni aktivë, kërkues dhe të përkushtuar në ndërtimin e së ardhmes suaj.
Në përfundim, Ju uroj të gjithëve suksese në rrugëtimin tuaj akademik, shëndet dhe arritje të vazhdueshme!