Një tjetër sukses në fushën e kërkimit shkencor në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë (UMT)!
Në kuadër të mbështetjes së studimeve të doktoratës dhe zhvillimit të kërkimit shkencor, doktorantja Denisa Golemi është shpallur fituese e financimit për projektin e saj kërkimor me temë:
“Bashkëshoqërimi i HPV dhe Ureaplasmës te gratë me citologji jo normale të qafës së mitrës.”
Ky projekt trajton një çështje me rëndësi të veçantë në fushën e gjinekologjisë dhe shëndetit publik, duke u fokusuar në analizimin e lidhjes ndërmjet infeksionit nga Virusi i Papilomës Humane (HPV) dhe Ureaplasmës te gratë me ndryshime citologjike jo normale të qafës së mitrës. Studimi synon të kontribuojë në përmirësimin e njohurive mbi faktorët që ndikojnë në shëndetin cervikal, diagnostikimin më të hershëm dhe menaxhimin më efektiv të këtyre patologjive.
Ky sukses pasqyron angazhimin e doktorantëve dhe stafit akademik të UMT-së në zhvillimin e kërkimit shkencor bashkëkohor dhe në adresimin e çështjeve me rëndësi për shëndetin e grave.