Konferenca shkencore “From Genome to Life: Advances in Reproductive Medicine” u zhvillua si një aktivitet i rëndësishëm akademik dhe profesional, duke mbledhur ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë në fushat e gjenetikës riprodhuese, obstetrikë-gjinekologjisë, embriologjisë dhe mjekësisë fetale.Kjo konferenë shërbeu si një platformë e rëndësishme për prezantimin e zhvillimeve më të fundit në diagnostikën gjenetike, teknologjitë riprodhuese dhe mjekësinë e personalizuar, me fokus të veçantë në rolin e gjenomit në zhvillimin e jetës që nga fazat më të hershme.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor dhe avancimin e kërkimit shkencor në fushën e mjekësisë riprodhuese dhe gjenetikës. Ai theksoi se zhvillimet e vazhdueshme në këto fusha përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve mjekësore, duke nënvizuar gjithashtu rolin kyç të shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit mes institucioneve akademike dhe profesionistëve të shëndetësisë.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë mbetet i angazhuar në krijimin e hapësirave të vlefshme për shkëmbimin e njohurive, ndarjen e eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet specialistëve, studiuesve dhe profesionistëve të shëndetësisë.









