Kongresi Europian të Bioteknologjisë 2025 (EBTNA 2025)

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini mori pjesë në Kongresin Europian të Bioteknologjisë 2025 (EBTNA 2025), i cili po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në datat 11–13 Shtator, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Xheladin Draçini theksoi rëndësinë e këtij eventi shkencor për vendin tonë, duke e vlerësuar si një mundësi unike për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, për të ndarë arritjet më të fundit në fushën e bioteknologjisë dhe për të nxitur zhvillimin e kërkimit shkencor e inovacionit në Shqipëri.

Ai nënvizoi se kongrese të tilla janë ura lidhëse mes shkencës bazë, teknologjisë së aplikuar dhe formimit profesional të brezave të rinj të studiuesve.

Kongresi, i organizuar nga European Biotechnology Thematic Network Association (EBTNA) – një rrjet evropian i themeluar në vitin 1996 që lidh universitetet, industrinë dhe institucionet kërkimore në fushën e bioteknologjisë – mblodhi studiues, pedagogë, studentë dhe ekspertë nga e gjithë bota. Aktivitetet e kongresit përfshinë sesione shkencore, punëtori praktike, shkolla trajnimi dhe tryeza diskutimi mbi tema kyçe si bioteknologjia mjekësore, bioteknologjia e gjelbër, bioteknologjia industriale, nanobioteknologjia, bioteknologjia mjedisore dhe shumë të tjera.

Urime organizatorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve për këtë arritje historike në avancimin e shkencës dhe inovacionit në Shqipëri!

sqShqip

Kërko informacion, event, njoftim etj