Takim dhe leksion i hapur me Prof. Dukagjin Blakajn në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë

Sot, më 16 Tetor 2025, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, priti në një takim Prof. Dukagjin Blakajn, mjek onko-radioterapeut dhe studiues pranë Ohio State University – The James Comprehensive Cancer Center, me përvojë ndërkombëtare në onkologji dhe kërkim shkencor.

Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimeve akademike ndërkombëtare dhe shkëmbimin e përvojave kërkimore në fushën e mjekësisë, veçanërisht në trajtimin onkologjik.

Rektori shprehu vlerësimin për kontributin e Prof. Blakajt dhe angazhimin e tij në zhvillimin e aktiviteteve akademike pranë UMT-së, duke theksuar gatishmërinë për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit në kërkim dhe edukim mjekësor.

Në vijim, në Sallën e Leksioneve ORL, u zhvillua leksioni i hapur me temë:

“Hypofractionated RT and Immunotherapy in Recurrent/Persistent H&N Cancer Patients”, mbajtur nga Prof. Blakaj.

Ky leksion prezantoi qasje bashkëkohore terapeutike në trajtimin e tumoreve të kokës dhe qafës, duke kombinuar radioterapinë hipofraksionuese me imunoterapinë, dhe duke nxitur diskutim akademik mbi sfidat klinike dhe perspektivat kërkimore në këtë fushë.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të stafit akademik dhe studentë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

U theksua rëndësia e qasjeve multidisiplinare në trajtimin onkologjik dhe integrimi i inovacioneve klinike në praktikën mjekësore dhe arsimin universitar.

Falënderim i veçantë për Prof. Dukagjin Blakajn për kontributin e tij të çmuar akademik dhe profesional, si dhe për frymën bashkëpunuese që ndan me komunitetin tonë universitar.

sqShqip

Kërko informacion, event, njoftim etj