Please select your page

Në kuadër të projektit "Ofrimi i Arsimit të Lartë dhe Mundësitë e Tregut të Punës në Vendet e Ballkanit Perëndimor" i financuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Edukimin dhe Kulturën e Komisionit Evropian dhe i zbatuar nga London School of Economics, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i bashkohet ftesës së Komisionit Evropian që të marrë pjesë në këtë projekt të rëndësishëm.

Përmes këtij njoftimi, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë fton të gjithë studentët e diplomuar në të gjitha Programet dhe Ciklet e Studimit (bachelor, master dhe doktoratë) në tre vitet e fundit 2012, 2013, 2014 për të plotësuar pyetësorin e shkurtër që është pjesë e anketimit të financuar nga Komisioni Evropian dhe i mbështetur nga Qeveria Shqiptare.

Objektivat e studimit janë të mbledhë informacion rreth arsimit të lartë dhe kalimit të të diplomuarve në tregun e punës në Shqipëri. Ky anketim mund të kontribojë në përmirësimin e punësimit të të rinjve të diplomuar përmes reformave të përshtatshme në politikat arsimore dhe ato të tregut të punës.

Si i diplomuar në Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, përgjigja juaj do të sigurojë kuptim më të mirë mbi aktualitetin e programeve të studimit dhe problematikave që mund të ndeshin të diplomuarit për gjetjen e punësimit të përshtatshëm dhe përputhjen me studimet e kryera.

Pyetësori do t'ju marrë rreth 15 minuta për t'u plotësuar.

Informacioni që ju do të jepni do të jetë konfindencial dhe anonim. Përgjigjet automatikisht do t'i shkojnë London School of Economics Enterprice, e cila është duke realizuar këtë studim.

Për të marrë pjesë në anketim, ju lutemi të ndiqni udhëzimet e mëposhtme:

- Plotësoni anketën duke klikuar në adresën online
- Ose kopjoni linkun e mëposhtëm dhe vendoseni në një faqe interneti:

https://lse.qualtrics.com/SE/?SID=SV_3DxsInwzkXmLjZX

Ju lutemi të mos ngurroni ta përcillni adresën e mësipërme tek miqtë tuaj dhe tek të diplomuar të tjerë.

Ju falenderojmë për kontributin Tuaj!

 

REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 


 

Ditën e Enjte, më datë 16.07.2015, në Sallën e Profesorëve të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Asim Kurjak. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe personalite të tjera të vendit. Ceremonia ishte një vlerësim në sajë të kontributit të madh që Prof. Dr. Asim Kurjak ka dhënë në Shqipëri, duke asistuar mjekët obstetër-gjinekologë.

Ceremoninë e çeli Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata. Rektori Arben Gjata vlerësoi kontributin e madh shkencor që Prof. Asim Kurjak ka dhënë ndër vite duke zhvilluar më tej mendimin shkencor në mjekësinë botërore dhe duke qenë pikë e rëndësishme referimi për mjekët obstetër dhe gjinekologë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë. Gjithashtu, ai vlerësoi ndihmesën e tij në përgatitjen të mjekëve shqiptarë me njohuritë themelore dhe trajnimet e vazhdueshme. Rektori Gjata përmendi dhe vlerësimet e shumta që Prof. Dr. Asim Kurjak, aktualisht Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Dubrovnikut (DIU), ka marrë ndër vite nga universitete, institucione dhe organizata të ndryshme mjekësore.

"Me anë të kësaj ceremonie Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh Prof. Asim Kurjak vlerësimin dhe mirënjohjen duke e nderuar sot me titullin "Doctor Honoris Causa" me motivacionin "Për kontribut të çmuar në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë Shqiptare", tha Rektori Prof. Dr. Arben Gjata.

Fjalën përshëndetëse e vijoi Prof. Dr. Orion Gliozheni, Përgjegjës i Departamentit të Obstetrikë-Gjinekologjisë dhe Reçezenti i parë i titullit "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Asim Kurjak. Prof. Gliozheni, në nder të Prof. Kurjak, e ligjëroi reçenzën e tij në gjuhën angleze dhe theksoi kontributin e madh të Prof. Dr. Asim Kurjak në përgatitjen shkencore të mjekëve obstetër dhe gjinekologë për operacionet dhe diagnostikimet në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë. Gjithashtu, Prof. Gliozheni informoi të pranishmit mbi kontributin e dhënë nga Prof. Dr. Asim Kurjak në Shqipëri, që më ardhjen e tij për herë të parë në vitin 1995, i ftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, për të promovuar përdorimin e ekografisë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë në vendin tonë, duke kontribuar me aparate të reja ekografie, si donacion për Maternitetin e Tiranës; trajnimin e mjekëve shqiptarë në fushën e ekografisë gjatë viteve, duke dhënë eksperiencën e tij në trajtimin e një sërë rastesh të ndërlikuara; asistencën e tij në hapjen e Degës së Shkollës Ndërkombëtare pasuniversitare të studimeve të avancuara në lemin e diagnostikës ultrasonografike - ekografike "Ian Donald" që u hap për herë të parë në vitin 2007 e deri më sot ku ka qenë përherë i pranishëm në kuadër të kurseve dhe aktiviteteve shkencore, si konferenca, seminare, trajnime me mjekët shqiptarë, si dhe mjekëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi në fushën e gjinekologji-obstetrikës. Prof. Gliozheni informoi gjithashtu se Prof. Asim Kurjak është themeluesi i Shkollës Ndërkombëtare "Ian Donald", e cila konsiderohet sot si struktura më e madhe dhe më e rëndësishme ndërkombëtare e trajnimit në fushën e ekografisë obstetrikale dhe gjinekologjike, e pranishme në 75 vende të botës dhe janë me mijëra mjekë që ndjekin çdo vit kurset e kësaj shkolle në mbarë botën. Në reçenzën e tij Prof. Gliozheni përmendi kontributin shkencor të Prof. Asim Kurjak që deri më sot ka botuar mbi 111 libra (nga të cilat 65 janë në gjuhën angleze) dhe më shumë se 550 artikuj, të cituara si referencë kryesore në fushëm shkencore me mbi 5350 herë dhe ndër vite ai ka qenë Përgjegjës i Departamentit të Obstetrikë-Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i Institutit të Ekografisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i World Health Organisation Collaboration Centre for Ultrasound in Developing Countries, dhe së fundi Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Dubrovnikut (DIU). Prof. Orion Gliozheni paraqiti gjithashtu një prezantim me foto nga ceremonitë "Doctor Honoris Causa" ku Prof. Asim Kurjak është vlerësuar në 11 universitete të ndryshme dhe nga aktivitetet e tij në Shqipëri.

"Unë jam i lumtur për faktin që këtu kemi sot Prof. Asim Kurjak, i cili i ka shërbyer shumë mjekësisë me studimet e tij, si dhe është bërë një shembull për të gjithë ne", tha Prof. Dr. Orion Gliozheni.

Në reçenzën e tij, Prof. Dr. Myftar Barbullushi, Reçezenti i dytë i titullit "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Asim Kurjak, theksoi rëndësinë e Prof. Kurjak në mjekësi, jo vetëm si mjek i njohur, por edhe si kurues i mirëfilltë i shkencave mjekësore, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për avancimin e shkencës në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë. Prof. Barbullushi shprehu nderimin dhe konsideratën e tij të lartë për personalitetin e shkencës mjekësore, siç është Prof. Asim Kurjak, dhe vlerësoi anazhimin e tij në Shqipëri, si një mundësi e mirë për mjekët tanë për të përfituar nga njohuritë e tij themelore në mjekësi.

"E them me bindje që CV e tij, diskutimin e tij, debatet që kemi bërë me të kanë qenë gati gati si një gur kilometrik, emocionues, nxitës për karrierën natyrisht, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që kanë qenë bashkë dhe kanë marrë pjesë në këto aktivitete që drejtoheshin në drejtimin e profesorit"- tha Prof. Dr. Myftar Barbullushi.

Prof. Asim Kurjak mori fjalën duke falenderuar Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për vlerësimin e tij dhe konsideratën për punën e tij shkencore. Gjithashtu, Prof. Asim Kurjak u shpreh se nga eksperienca e tij në mbarë botën ka rezultuar se mjekët shqiptarë janë ndër më të mirët dhe i kanë dhënë mjaft kënaqësi gjatë punës së tij 10 vjeçare në seminaret dhe konferencat e ndryshme të organizuara në Shqipëri.

"Ndjehem i nderuar për çmimin që kam marrë sot. Nga eksperienca ime rezulton se në çdo konferencë ndërkombëtare që kemi patur, mjekët dhe studentët shqiptarë kanë shkëlqyer gjithmonë. E gjitha kjo vjen falë punës së shkëlqyer të profesorëve dhe të studentëve të mjekësisë."- u shpreh Prof. Dr. Asim Kurjak.

Pas fjalës së tij, Prof. Kurjak paraqiti një prezantim të shkurtët mbi rëndësinë bioetike të të konsideruarit të fetusit si një qenie njerëzore që në momentet e krijimit të tij dhe të përcaktimit të zhvillimit të tij që në stadet e para të rritjes brenda barkut të nënës, ku foshnja zhvillohet duke dhënë jetë gjymtyrëve dhe qelizave eseciale. Prezantimi i Prof. Kurjak u shoqërua me një video të përgatitur për të paraqitur të dhënat e fundit mbi stadet e zhvillimit të fetusit, të konstatuara nga teknologjia më e fundit të diagnostikimin 3D në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë.

 

Reportazh i përgatitur nga Televizioni A1 Report. 

Artikull i përgatitur nga Gazeta Shqiptarja.com

Foto nga Ceremonia Doctor Honoris Causa

 

                          REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 

 


logo finale 2
UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË

 

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë informon pedagogët, studiuesit shkencor, doktorantët dhe studentët e interesuar rreth mundësisë së pjesëmarrjes në Konferencën Botërore vjetore të 11-të mbi Bioetikën, Etikën mjekësore dhe Ligjin shëndetësor (World Conference on Bioethics, Medical Ethics and Health Law) që organizohet nga Departamenti i UNESCO-s për Bioetikën, në bashkëpunim me Shoqatën Botërore të Mjekësisë (World Medical Association - WMA) dhe me Universitetin e Napolit "Federico II" (Këshilli i Etikës i Universitetit të Napolit), në qytetin e Napolit, Itali, në datat 20-22 tetor 2015.

Departamenti i UNESCO-s për Bioetikën fton pedagogët dhe studiuesit shkencor të kontribojnë në diskutimet e konferencës duke dërguar punime shkencore mbi temën e Bio-etikës mjekësore. Konferenca është projektuar për të ofruar një platformë për shkëmbimin e informacionit dhe njohurive, duke përfshirë diskutime, leksione, seminare dhe paraqitje të të dhënave brenda ditëve të konferencës.

Grupet e synuara për pjesëmarrje janë, si më poshtë:

Studiuesit e Bioetikës • Filozofët • Studiuesit shkencor • Shkrimtarët • Anëtarët e Komisionit Etik • Mjekët • Infermierët • Punonjësit socialë • Psikologët • Psikiatërit • Mjekët e përfshirë në mjekësinë ligjore • Avokatët • Gjykatësit • Mësuesit • Edukatorët • Rektorët, Dekanët dhe Administratorët e instituteve akademike • Menaxherët e spitaleve • Pedagogët dhe studentët e fakulteteve të mjekësisë, infermierisë, etikës, psikologjisë, filozofisë dhe drejtësisë • Oganizatat dhe shoqatat profesioniste, kulturore dhe vullnetare • Organet qeveritare dhe publike • Logopedistët • Veterinerët.

Temat kryesore 

    • Bioetika, etika mjekësore dhe Ligji për Shëndetësinë
    • Komitetet Etike
    • Hulumtimi dhe Eksperimentimi Biomjekësor
    • Mjekësia Ligjore, Ligji dhe Etika
    • Edukimi Bioetik

Temat e veçanta (të drejtuara nga WMA)

    • Implikimet etike dhe ligjore mbi bazat e të dhënave shëndetësore dhe bio-arkivat
    • Kujdesi në fund të jetës.

(Për listën e detajuar të temave, ju lutem të konsultoni: www.bioethics-conferences.com/scientific-program)

 

Kjo konferencë organizohet nën kujdesin e organizmave, si më poshtë:

    • Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO)
    • Shoqata Botërore e Mjekësisë (WMA)
    • Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të studentëve të mjekësisë (IFMSA) 
    • Shoqata Mjekësore e Izraelit
    • Shoqëria Italiane për Ligjin Mjekësor dhe Sigurimet
    • Forumi i Bioetikës Zefat 
    • Qendra Ndërkombëtare për Shëndetësi, Ligj dhe Etikë, Universiteti Haifa

 

Për më shumë informacione, mund të vizitoni faqen e internetit të Konferencës: http://www.isas.co.il/bioethics2015-Naples/

http://www.unesco-chair-bioethics.org/UI/D0101.aspx?uid=D8D256C0F2B1A7C2

http://www.unesco-chair-bioethics.org/NTUDOC/D/act_doc/D8D256C0F2B1A7C2/Ethics%20-%20Naples%202015%20-%20first%20announcement.pdf

Ose te kontaktoni me email në adresën e sekretarisë së Konferencës: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

 

 

ZYRA E KOMUNIKIMIT DHE MARRËDHËNIEVE ME JASHTË

Konktakt: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.


Ditën e Enjte, më datë 16.07.2015, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë organizon Ceremoninë e dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Asim Kurjak. Ceremonia do të zhvillohet në Sallën e Profesorëve të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në orën 10:00.

Në këtë ceremoni do të jenë të ftuar personalitete nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë, si dhe personalite të tjera të vendit. Kjo ceremoni është një vlerësim në sajë të kontributit të madh që Prof. Dr. Asim Kurjak ka dhënë në Shqipëri, duke asistuar mjekët obstetër-gjinekologë. Prof. Dr. Asim Kurjak ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1995, i ftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, për të promovuar përdorimin e ekografisë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë në vendin tonë. Ai ka kontribuar me aparate të reja ekografie, si donacion për Maternitetin e Tiranës, në një kohë kur nevoja e spitalit për këto aparatura ishte e madhe. Prof. Kurjak ka zhvilluar trajnimin e mjekëve shqiptarë në fushën e ekografisë, duke dhënë eksperiencën e tij në trajtimin e një sërë rastesh të ndërlikuara në fushën e diagnozës, parandalimit dhe trajtimit të patologjive të ndryshme obstetrikale dhe gjinekologjike.

Prof. Dr. Asim Kurjak është themeluesi i Shkollës Ndërkombëtare pasuniversitare të studimeve të avancuara në lemin e diagnostikës ultrasonografike - ekografike "Ian Donald", e cila konsiderohet sot si struktura më e madhe dhe më e rëndësishme ndërkombëtare e trajnimit në fushën e ekografisë obstetrikale dhe gjinekologjike. Ajo është e pranishme në 75 vende të botës dhe janë me mijëra mjekë që ndjekin çdo vit kurset e kësaj shkolle në mbarë botën (vetëm në vitin 2014 ndoqën kurset e kësaj shkolle rreth 6069 mjekë). Ai ka dhënë një ndihmesë të çmuar për hapjen edhe në Shqipëri të Degës së Shkollës "Ian Donald" të ekografisë. Dega u hap për herë të parë në vitin 2007 nga Shoqata Shqiptare e Perinatologjisë dhe Prof. Kurjak ishte prezent në të gjitha kurset vjetore të ofruara nga kjo shkollë. Ai ka ardhur mbi 10 herë në Shqipëri në kuadër të kurseve dhe aktiviteteve shkencore, si konferenca, seminare, trajnime dhe ka asistuar me njohuritë e tij të gjithë mjekët shqiptarë në fushën e gjinekologji-obstetrikës, po dhe shumë mjekë nga Kosova, Meqedonia dhe Mali i Zi. Me njohuritë e tij të vyera pedagogjiko-shkencor, ka dhënë një kontribut të shquar duke ndihmuar me pasion dhe me profesionalizëm të lartë ekipin e mjekëve tanë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë.
Prof. Asim Kurjak merr pjesë vazhdimisht si i ftuar nderi në Kongreset e Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë Perinatale dhe në Kurset e Avancuara të Ekografisë në Obstetrikë-Gjinekologji, të Shkollës "Ian Donald", që organizohen nga Shoqata Shqiptare e Perinatologjisë dhe Departamenti i Obstetrikë–Gjinekologjisë i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Prof. Kurjak ka dhënë, gjithashtu, një kontribut shkencor të jashtëzakonshëm duke botuar mbi 111 libra (nga të cilat 65 janë në gjuhën angleze) dhe më shumë se 550 artikuj, të cituara si referencë kryesore në fushën shkencore me mbi 5350 herë.
Prof. Kurjak ka qenë ndër vite Përgjegjës i Departamentit të Obstetrikë-Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i Institutit të Ekografisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i World Health Organisation Collaboration Centre for Ultrasound in Developing Countries, dhe së fundi Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Dubrovnikut (DIU). Është "Doctor Honoris Causa" në 11 universitete të ndryshme në mbarë botën. Në vitin 2000 ai është nderuar nga Shoqata Europiane e Mjekësisë Perinatale me medaljen "Maternity Prize", si mjeku obstetër me produktiv në fushën e mjekësisë perinatale.

Prof. Asim Kurjak është anëtar i rregullt i Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës, Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Akademisë Ndërkombëtare për Riprodhimin Njerëzor, Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve të Pulias, Akademisë së Shkencave Mjekësore të Katalonjës; anëtar nderi i Institutit Amerikan të ultrazërit në Mjekësisë dhe Biologji; anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave Mjekësore të Rusisë. Nënkryetar i Akademisë Ndërkombëtare të Mjekësisë Perinatale dhe Drejtor i Ian Donald Inter-University School of Medical Ultrasound.

Në sajë të mirënjohjes për veprimtarinë e shquar në mjekësi dhe kontributit të dhënë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë në Shqipëri, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë organizon Ceremoninë e dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Asim Kurjak, duke shprehur kështu falenderimin e mjekëve dhe pacientëve shqiptarë për këtë personalitet të nderuar të mjekësisë.

 

                      REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 


 

Në bazë të nenit 33 të Ligjit nr. 10107, datë 30.03.2009 "Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë" dhe në përputhje me vendimin e Bordit të Ricertifikimit dhe Akreditimit nr.97, datë 24.02.2015 "Për provimin e ricertifikimit të profesionistëve të shëndetësisë", Universiteti i Mjekësisë, Tiranë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), si dhe në kuadër të punës hartuese nga departamentet përkatëse të tij dhe bashkëpunimit me Urdhrat Profesionalë dhe shoqatat e profesionistëve, njofton mbi Rregulloren për organizimin e provimit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë.

Lutemi të klikoni në linkun më poshtë për të shkarkuar rregulloren e plotë:

Rregullore për organizimin e provimit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë

 

PROGRAMET ORIENTUESE PËR PROVIMIN E RICERTIFIKIMIT

Profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë përmbushur detyrimet e Programit të Ricertifikimit 2010-2014 dhe, që për pasojë, bazuar në nenin 3, pika 5 të Rregullores për organizimin e provimit të ricertifikimit janë të detyruar të kryejnë Provimin e Ricertifikimit mund të njihen me programet orientuese për këtë provim sipas fushës së specialitetit përkatës, si më poshtë:

Obstetrikë Gjinekologji

Dermatologji

Nefrologji

Psikiatri

Kirurgji e përgjithshme

Imazheri

Sëmundjet Infektive

Endokrinologji

Pneumologji

Ortopedi

Mjeku i Familjes

Kardiologji

Pediatri

Mjekësi Urgjence

Farmaci

ORL

Anestezi Reanimacion

Hematologji

Stomatologji

 

Për çdo paqartësi ose pyetje që keni në lidhje me programin orientues të fushës suaj të specialitetit, mund të kontaktoni Departamentin përkatës në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Për t'u njohur me mënyrën e organzimit të Provimit të Ricertifikimit, Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV) ka publikuar në faqen zyrtare të saj Rregulloren për organizimin e provimit të ricertifikimit dhe informacione e nevojshme http://www.qkev.gov.al. Çdo profesionist që duhet të kryejë Provimin e Ricertifikimit ka përgjegjësinë të interesohet pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) - www.akp.gov.al - për procedurat e regjistrimit, datat e provimit dhe informacionet e nevojshme që lidhen me kryerjen e provimit.

 

                                REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

Publikuar më 29.06.2015

 

 


Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Shëndetësisë
Universiteti i Tiranës
Universiteti i Prishtinës
Universiteti i Kamerinos
Instituti Alb-Shkenca
Research 4 Life
Google for Education
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit
Rrjeti Akademik Shqiptar - Qendra Nderuniversitare e Sherbimeve dhe Rrjetit Telematik
Central European Exchange Program for University Studies
Università degli Studi dell'Aquila
Università degli Studi di Bari
Università degli Studi di Padova
Charles University

Regjistrohu


Regjistrohu ne portalin e Universitetit te Mjekesise Tirane duke plotesuar te dhenat e meposhtme.


{instantpaypal}{/instantpaypal}

  ose   Identifikohu

 

×