
Ditën e Enjte, më datë 04 Qershor 2015, në sallën e Amfiteatrit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT), Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë së Biointegruar të Romës, Itali, organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare me temë: "Mjekësia natyrale e biointegruar dhe shkencat bashkëkohore". Punimet e konferencës së përbashkët shkencore u zhvilluan në dy gjuhë, Shqip dhe Anglisht, në datat 04 - 05 Qershor 2015.
Kjo konferencë u realizua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të stafit akademik dhe shkencor të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike për prezantimin dhe promovimin e njohurive të reja bashkëkohore shkencore në fushat e shkencave mjekësore.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj, Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Nora Malaj, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike Prof. Dr. Petrit Bara, Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Mira Rakacolli, Rektori i Universitetit të Shkencave Mjekësore Rezonanca në Prishtinë Prof. Dr. Arian Idrizaj, Drejtori i Kursit të Naturologjisë Psikosomatike dhe Ndihmës të Akademisë Ndërkombëtare të Kërkimit dhe Shkencës (Aires - Romë) dhe Aron (WLO World) Dr. Natale Petti dhe Prof. Mark Ulrich pedagog i Universitetit St. John's i New York-ut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët përshëndetën iniciativën e bashkëpunimit shkencor me synim zhvillimin e përbashkët dhe përditësimin e të dhënave shkencore të arritura nga Departamentet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Institutin e Mjekësisë së Biointegruar të Romës.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin stafi akademik i Fakultetit e Shkencave Mjekësore Tëknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, pedagogët e fakulteteve të tjera shqiptare dhe shqipfolëse, studentët e shkollave doktorale dhe ata të ciklit të dytë të studimeve master, mjekë, farmacistë, infermierë, teknikë laboratori, etj.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Ditën e Enjte, më datë 4 Qershor 2015, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë priti në ambjentet e Rektoratit Dr. Ariel Ahart, bashkëshorten e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Shkëlqesisë së Tij Z. Donald Lu. Zonja Ariel Ahart ishte e ftuar nga Fakulteti i Shëndetit Publik në kuadër të nismës së informimit kundër Dhunës ndaj Grave. Në këtë vizitë, Dr. Ariel Ahart u prit nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik Prof. Dr. Enver Roshi dhe Pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Me këtë rast, në Sallën Blu të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u zhvillua një leksion i hapur me praninë e Dr. Ariel Ahart. Dr. Ahart, e doktoruar dhe me një eksperiencë 20 vjeçare në Fushën e Shëndetit Publik, asistoi në aktivitetin e përgatitur nga studentët e Fakultetit të Shëndetit Publik.
Qëllimi i këtij leksioni të hapur ishte prezantimi i punës informuese së studentëve të vitit të parë, të cilët me ndihmën e Pedagoges së tyre, Znj. Orjola Pampuri, kishin mbledhur të dhëna zyrtare dhe kishin zhvilluar anketa në disa vende të Shqipërisë për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe informimin mbi statistikat, përhapjes së fenomenit, si dhe identifikimin e diferencave psikosociale në dhunën ndaj grave në Republikën e Shqipërisë.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, pasi falënderoi Znj. Ahart për vizitën, bëri një prezantim të shkurtër të rëndësisë së punës informuese të aktorëve social dhe publik në orientimin e politikave dhe organizimin e aktiviteteve për ndërgjegjësimin dhe parandalimin me anë të informacionit të dhunës ndaj gruas. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është promotor i aktiviteteve informuese me bazë sociale dhe shkencore dhe përkrah studentët e tij në zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese.
Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik Prof. Dr. Enver Roshi u shpreh i kënaqur nga puna e studentëve, të cilët kishin bërë një punë të mirë statistikore duke identifikuar dhe trajtuar faktorët socialë, si dhe duke i krahasuar ato me realitetin shoqëror të vendit tonë. Ai u uroi studentëve suksese të mëtejshme në studimet e tyre në fushën e Shëndetit Publik dhe angazhim të vazhdueshëm në aktivitete informuese.
Në fjalën e saj, Dr. Ariel Ahart shprehu vlerësimin e saj për punën e studentëve dhe përgëzoi ata për gatishmërinë e tyre për të punuar të dhënat dhe statistikat ndërgjegjësuese të fenomeneve sociale dhe publike. "Kjo është një punë ekselente që duhet të promovohet dhe të vazhdojë më tej, si nga studentët, ashtu dhe nga institucionet që kryejnë një punë shkencore për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e dhunës ndaj gruas", u shpreh Znj. Ahart.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Ditën e Enjte, më datë 15.05.2015, delegacioni i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë vizitoi Universitetin e Palermos, në Palermo, Itali. Vizita u zhvillua me ftesë të Universitetit të Palermos në kuadër të bashkëpunimit të dy universiteteve dhe në vijim të vizitës së delegacionit të Universitetit të Palermos në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në muajin mars 2015. Delegacioni i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë ishte i përbërë nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Zëvendësrektori Prof. Dr. Arben Gjata dhe Përgjegjësi i Departamentit të Sëmundjeve të Zemrës dhe Enëve të Gjakut Prof. Dr. Artan Goda.
Me rastin e kësaj vizite u zhvilluan një sërë takimesh me udhëheqësit më të lartë të Universitetit të Palermos, i cili është një ndër universitetet më të vjetra në Evropë me një traditë 210 vjeçare. Delegacioni i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u prit nga Rektori i Universitetit të Palermos Prof. Dr. Roberto Lagalla, Dekani i Fakultetit te Mjekësisë Prof. Dr. Francesco Vitale, Shefi i Katedrës së Kardiologjisë Prof. Dr. Pasquale Assennato dhe Drejtori i Departamentit të Emodinamikës në Spitalin S.Antonio Abate – Erice të Trapanit Prof. Asc. Arian Frashëri. Qëllimi i kësaj visite institucionale ishte konsolidimi i bisedimeve të mëparshme në fushat e përbashkëta prioritare, si dhe finalizimi i projekteve të miratuara me nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Universitetit të Palermos.
Bashkëpunimi mes dy universiteteve do të shtrihet në fushat prioritare dhe pikësynimi i këtij bashkëpunimi do të jetë rritja e performancës dhe përmirësimi i kurrikulave akademike në Shkollat e Specializimit pasuniversitare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, bazuar në rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe standardet e aplikuara Italiane. Gjithashtu, një pikë tjetër bashkëpunimi do të jetë ngritja e Rrjetit të Trasfuzionit të Infarktit të Miokardit në rang vendi, si dhe implementimi i një sërë projektesh të përbashkëta, të cilat iniciohen me nënshkrimin e marrëveshjes.
Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit krijon mundësinë e shkëmbimeve dhe trajnimeve me kohëzgjatje të shkurtër për specializantët e UMT-së në Universitetin e Palermos, me qëllim që të përgatiten specialistë në fushat prioritare si Kadiologjia, Kardiokirurgjia, Kirugjia, Laboratori, Shëndeti publik, Farmacia, Imazheria, etj. Në këtë kuadër do të mundësohen shkëmbimet studentore në tri ciklet e studimit, Bachelor, Master dhe Doktoratë, si dhe për shkëmbimet nga stafi akademik dypalësh me synim rritjen e cilësisë dhe arritjen e standardeve evropiane. Me anë të këtij bashkëpunimi synohet që specialistët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë të asistohen dhe trajnohen në mënyrë shkencore me njohuri të avancuara nga specialistët e lartë të Universitetit të Palermos, të Qendrës Spitalore Universitare Poliklinike të Palermos "Paolo Giaccone", Spitalin S. Antonio Abate – Erice të Trapanit, si dhe të Qarkut të Siçiljes, në Itali. Gjithashtu, në takim u shqyrtuan mundësitë e një bashkëpunimi afatgjatë në projekte të përbashkëta të cilat do të jenë të financuara nga Koopeacionit Italian për Zhvillim dhe nga shtetet përkatëse për rritjen e cilësisë me shkëmbim të eksperiencave në arsim mes dy institucioneve të arsimit të lartë, ku synohet jo vetëm objektiva të larta akademike, por edhe promovimin e punës kërkimore të fakulteteve, të pedagogëve dhe studentëve të tyre.
Në vijim të bashkëbisedimeve bilaterale dhe të shqyrtimit të pikave të marrëveshjes, dy Rektorët e Universiteteve nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit midis Universitetit të Palermos dhe Universitetit të Mjekësisë Tiranë.
Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të krijuara midis dy Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë dhe theksoi, në veçanti, dëshirën e mirë të Rektorit Prof. Dr. Lagalla për të asistuar Universitetin e Mjekësisë, Tiranë në çdo hap të zhvillimit të tij. Ai u shpreh se ishte i nderuar nga pritja e rezevuar në Universitetin e Palermos dhe e vlerësoi këtë vizitë si një zhvillim të natyrshëm të miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit për diskutime konkrete mbi projekte të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e të dy institucionet e arsimit të lartë. Me ketë rast, në emër të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari i dhuroi Rektorit Prof. Dr. Roberto Lagalla një dhuratë simbolike me stemës zyrtare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin dhe angazhimin e treguar të Rektorit Lagalla në finalizimin më së mirë të marrëveshjes së bashkëpunimit.
Rektori Prof. Dr. Roberto Lagalla u shpreh se u ndje mjaft i kënaqur dhe i nderuar nga vizita e delegacionit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe theksoi, edhe një here, angazhimin e tij personal në realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat u nënshkruan në marrëveshjen e bashkëpunimit. Ai vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe miqësinë e mirë, të krijuar mes dy universiteteve dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Universitetit të Palermos për të asistuar Universitetin e Mjekësisë, Tiranë në zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tij. Gjithashtu, Rektori Prof. Dr. Roberto Lagalla, në emër të Universitetit të Palermos, i dhuroi Rektorit Prof. Dr. Ali Refatllari një dhuratë simbolike tradicionale të qytetit të Palermos si mirënjohje dhe vlerësim për bashkëpunimin mes dy universiteteve.
Në fund të takimit, Rektorët shqyrtuan mundësitë e një bashkëpunimi afatgjatë mes dy Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në zhvillimin e konferencave të përbashkëta, pjesëmarrjen e dy universiteteve në kërkime shkencore me ekspertë të fushave përkatëse, ligjërata, seminare, shkëmbimin e literatures dhe materialit kërkimor në fushën e interesit të përbashkët dhe promovimin e botimeve të shkencore. Ky bashkëpunim synon rritjen e cilësisë dhe shkëmbimin e eksperiencave në arsim dhe përfshin angazhimin serioz të gjithë strukturave të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në zhvillimin dhe implementimin e projekteve ndërmjet fakulteteve, studentëve dhe kërkuesve shkencor. Rektorët ranë dakord për shkëmbime vizitash, axhenda të përbashkëta bisedimesh dhe konsultime të vazhdueshme mes tyre dhe grupeve të punës të ngritura në dy universitetet për finalizimin e projekteve të nënshkruara në marrëveshje, si dhe vazhdim e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Përditësimi i fundit: 26.05.2015

Në kuadër të Vendimit nr. 395, datë 29 Prill 2015, të Këshillit të Ministrave "Për Miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore dhe Institucionet e tjera Publike", Universiteti i Mjekësisë, Tiranë njofton Profesionistët e rinj mbi mundësinë e aplikimit në Thirrjen e parë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore dhe Institucionet e tjera Publike që organizohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar Për Rininë.
Programi synon të përfshijë çdo vit rreth 6-8 mijë profesionistë të rinj në një eksperiencë pune pranë administratës shtetërore në nivel qendror dhe lokal. Qëllim i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të këtyre praktikave në njohje me sistemin administrativ publik.
Thirrja e parë do të jetë 3 mujore dhe parashikohet t'u japë mundësi rreth 2.000 profesionistëve të rinj të zhvillojnë praktika pune në institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike në të gjithë Shqipërinë. Zbatimi i programit ka filluar që më datë 1 qershor 2015 me shpalljen e thirrjes për aplikim. Target group janë të rinj profesionistë të moshës 21 deri 26 vjeç të cilët kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve bachelor, si dhe të rinj që mund të kenë përfunduar cikle të tjera studimi apo që janë në proces, si programet master.
Thirrja e aplikimit zhvillohet në datat 1 deri 14 qershor.
Për më tepër informacione, si dhe për aplikim, mund të vizitoni adresën web: http://praktika.sociale.gov.al
Institucionet ku mund të kryhet praktika: http://praktika.sociale.gov.al/?page_id=31
Personi përgjegjës për fushatën e komunikimit është:
Dikensa Topi, MMRS, Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Duhanit, 31 Majit, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) organizon një takim sensibilizues me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shëndetit Publik dhe Fakultetit të Farmacisë, ditën e Hënë, datë 25 Maj 2015, në orën 10:00, pranë Sallës Blu të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
Ky aktivitet është pjesë e takimeve sensibilizuese të ndërmarra nga Departamenti i Promocionit të Shëndetit i Institutit të Shëndetit Publik në kuadër të ndërgjegjësimit të popullatës në luftën kundër pirjes së duhanit. Aktivitetet sensibilizuese synojnë të udhëzojnë të gjithë popullatën shqiptare që të informohen për dëmet që shkakton pirja e duhanit dhe të ndërgjegjësojë ata që pinë duhan për të mos e konsumuar më atë. Në këtë takim studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë do të kenë mundësinë të informohen më mirë mbi efektet dhe sëmundjet e ndryshme të cilat shfaqen dhe përforcohen përmes konsumimit të duhanit. Mjekët, farmacistët dhe specialistët e Shëndetit e së ardhmes do të jenë më të aftë të informojnë pacientët mbi dëmet reale që mund të shkaktohen nga duhani.
Dita Botërore Kundër Duhanit është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilat u angazhuan në sensibilizimin e opinionit publik mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit dhe vendosën të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të tij. Për këtë arsye, në këtë ditë në të gjithë botën organizohen aktivitete sensibilizuese mbi luftën kundër duhanit.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Përditësimi i fundit: 20.05.2015
Regjistrohu
Regjistrohu ne portalin e Universitetit te Mjekesise Tirane duke plotesuar te dhenat e meposhtme.
×