NJOFTIM PËR 1 (NJË) VEND NË POZICIONIN E PUNËS “SPECIALIST NË SEKTORIN E PROKURIMEVE”, ME KOHË TË PLOTË ME KONTRATË ME AFAT TË PACAKTUAR, NË DREJTORINË E SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE, UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË
Bazuar në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, Statutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në Vendimin e Bordit të Administrimit nr. 63, datë 08.10.2021“Për miratimin e kritereve të punësimit të personelit administrativ të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, si dhe në Urdhërin e Administratorit të UMT-së nr. 179, datë 20.09.2022 “Për fillimin e procedurës së punësimit për pozicionin e punës 1 (një) vend “Specialist në Sektorin e Prokurimeve”, me kohë të plotë dhe kontratë me afat të pacaktuar, pranë Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”, shpall konkursin për 1 (një) vend të lirë pune si më poshtë:
Fillimin e procedurës së punësimit për 1 (një) vend në pozicionin e punës “Specialist në Sektorin e Prokurimeve”, me kohë të plotë me kontratë me afat të pacaktuar, në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë.
Përshkrimi përgjithësues i punës:
- Mbjatja e përgjegjësive për respektimin e të gjitha rregullave dhe afateve të caktuara në aktet ligjore dhe nënligjore për prokurimin publik, për saktësinë dhe bazueshmërinë ligjore të të gjitha akteve që dalin nga Sektori i Prokurimit , duke u mbështetur në legjislacionin përkatës;
- Përgatitja e Dokumenteve Standarte të Tenderit në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit , për zbatimin e procedurave të prokurimit sipas kërkesave të parashikuara në ligj;
- Merr pjesë gjithë procesin për përcaktimin e kritereve ligjore për lidhjen e kontratave me operatorët fitues;
- Përgatit rregjistrin e parashikimit të prokurimeve, konform buxhetit të miratuar për investime dhe për shpenzime;
- Hartimin e specifikimeve teknike nëse nuk janë hartuar nga struktura të tjera;
- Përllogaritjen e fondit limit, nëse kjo detyrë nuk i është ngarkuar një strukture të posaçme;
- Përgatit procedurën për KVO-në;
- Asiston në mbledhjet e KVO-së dhe jep mendim si dhe bën interpretim ligjor për dokumentat e tenderit , atëherë kur i kërkohet nga anëtarët e KVO-së;
- Zbaton detyrat e ngarkuara sipas rregullores në fuqi dhe përshkrimit të vendit të punës si dhe planeve të punës të miratuara nga Drejtori përkatës;
- Informon eprorin direkt mbi rezultatet e punës në vazhdimësi dhe mbi vështirësitë e hasura në lidhje me to;
- Realizon çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga eprorët;
- Detyrat e tjera janë specifikuar në rregulloren e përgjithshme.
Kandidatët për “Specialist në Sektorin e Prokurimeve”, me kohë të plotë me kontratë me afat të pacaktuar , në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, duhet të plotësojnë këto kritere:
Kritere:
- Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor” ose “Master Profesional” ose “Bachelor”, në shkencat “Ekonomi”/ “Juridike”/ “Inxhinierike”;
- Të ketë 1 vit eksperiencë pune në profesion;
- Të ketë aftësi të mira kompjuterike, njohja e programeve bazë;
- Njohuri të gjuhës së huaj anglisht, dhe/ose ndonjë gjuhë tjetër;
Kushtet:
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
- Ndaj tij të mos jetë marrë ndonjë masë disiplinore për largimin nga detyra, që nuk është shuar sipas ligjit;
Kërkesat e Përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati janë:
- Të jetë shtetas shqipëtar;
- Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesave të tjera të posaçme për kategorinë, klasën, grupin dhe pozicionin përkatës;
- Të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore që nuk është shuar sipas ligjit;
- Të ketë vlerësime pozitive të përvojave të mëparshme të punës;
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar e të folur.
Dokumentacioni i kërkuar:
Kandidatët që aplikojnë, duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
- Kërkesë me shkrim për aplikim;
- Jetëshkrimin (CV) sipas formatit standard (europass);
- Fotokopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
- Kopje e noteruar e diplomës/diplomave dhe/ose njëhsimin e tyre në MAS (për diplomat e marra jashtë vendit), bashkë me listën e notave të noteruara (për ciklet përkatëse të studimit);
- Kopje e librezës së punës e noteruar (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Vërtetim i gjendjes shëndetësore të marrë brenda tre muajve të fundit (raport mjekësor për aftësinë në punë);
- Vërtetim i Gjendjes Gjygjësore (Dëshmi Penaliteti të marrë brenda tre muajve të fundit).
- Formular vetdeklarimi sipas formës së kërkuar nga ligji nr.138/2015;
- Vërtetim nga punëdhënës të mëparshëm, që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
- Dëshmi të njohjes së gjuhës së huaj të noteruar;
- Çertifikatë/Dëshmi të noteruar që vërtetojnë njohuritë kompjuterike në programet bazë;
- Dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
- Referenca nga punëdhënës të mëparshëm, që provojnë vlerësimet pozitive në punë.
Mungesa e një prej dokumentave të kërkuara më sipër, sjell skualifikim të kandidatit.
Dokumentacioni i dorëzuar nuk do të kthehet mbrapsht, pasi bëhet pjesë e arkivës së Institucionit.
Kandidatët e interesuar, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar me listë inventari, (procesverbal) dorëzimi do të bëhet në Sektorin e Protokoll- Arkivës, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Adresa: Rruga e Dibrës, Nr.371, 1005, Tiranë.
Afati i dorëzimi të dokumentacionit është brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike që nga dita e shpalljes se njoftimit në Buletinin e APP-së.
Fusha e njohurive, aftësive dhe cilësitë të cilat do të zhvillohet intervista:
- Njohuri mbi ligjin nr. 80/2015 datë 22.07.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”;
- Njohuri mbi ligjin nr. 44/2015, “Kodi i procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
- Njohuri mbi ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik në RSH”
- Vendimin nr. 285 datë 19.05.2021 PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK
- Njohuri të akteve nënligjore në fuqi për fushën e arsimit të lartë, procedurave administrative, prokurimit publik dhe buxhetit.
Mënyra e vlerësimit:
Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurimit me dosje dhe me intervista të drejtëpërdrejta.
Në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar, kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën.
Në lidhje me intervistën e punës kandidatët do të vlerësohen për njohuritë mbi legjislacionin e sipërcituar, aftësitë, kompetencat, eksperiencën e tyre të mëparshme, motivimin, aspiratat si dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Për çdo paqartësi mund të dërgohet email në adresën info@umed.edu.al