Historiku i Fakultetit
Historiku i Fakultetit të Mjekësisë Dentare fillon me themelimin e Degës së Stomatologjisë në vitin 1959. Dega e Stomatologjisë u krijua pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe përfaqësohej nga tre pedagogë të brendshëm: Dr. Dhori Pojani, Dr. Osman Hoxha dhe Dr. Dhimitra Lira dhe dy pedagogë të jashtëm: Dr. Xhevdet Asllani dhe Dr. Skender Topulli. Ky staf pedagogësh ishte iniciatori i parë për studimet dentare në Republikën e Shqipërisë.
Në vitin 1964, Dega e Stomatologjisë u organizua në tre katedra kryesore: Katedra e Terapisë Stomatologjike, Katedra e Kirurgjisë Stomatologjike dhe Katedra e Ortopedisë Stomatologjike.
Katedra e Terapisë Stomatologjike, nga viti 1964 deri në vitin 1979, u drejtua nga Dr. Xhevdet Asllani dhe më pas, deri në vitet 2000, ajo u drejtua nga Prof. Pavli Kondo. Sot kjo katedër drejtohet nga Prof. Lindita Xhemnica.
Katedra e Kirurgjisë Stomatologjike u drejtua fillimisht nga Prof. Dhori Pojani dhe më pas nga Prof. Samedin Gjini. Që nga viti 2000, kjo katedër drejtohet nga Prof. Ramazan Isufi.
Katedra e Ortopedisë Stomatologjike, në fillimet e saj u drejtua nga Dr. Osman Hoxha dhe më pas vazhdoi të drejtohej për shumë vite nga Prof. Foto Toti. Sot kjo katedër drejtohet nga Prof. Ruzhdie Qafmolla.
Në vitin 1998, tre katedrat u bashkuan duke formuar një Departament të vetëm nën drejtimin e Prof. Samedin Gjini, i cili u zgjodh si Shefi i parë i Departamentit të Stomatologjisë. Kjo mënyrë organizimi vazhdoi deri në vitin 2011, kur si rezultat i shpërbërjes së Departamentit të Stomatologjisë u krijuan tre seksionet dhe shërbimet përkatëse në shërbim dhe funksion të Departamenteve të Terapisë, Kirurgjisë Oro-Maxila-Faciale dhe Protetikës Stomatologjike. Këto shërbime ishin të përmbledhura në një njësi bazë të Stomatologjisë që drejtohej nga një koordinator i vetëm, Prof. Dr. Ruzhdie Qafmolla.
Në vitin 2013, me themelimin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT), tre Departamentet e Shkencave Stomatologjike formuan Fakultetin e Mjekëisë Dentare. Dekane e parë e Fakultetit të Mjekësisë Dentare u emërua Prof. Dr. Ruzhdie Qafmolla.
Fakulteti i Mjekësisë Dentare është i ndarë në tre Departamente:
Departamenti i Kirurgjisë Stomatologjike
Departamenti i Ortopedisë Stomatologjike
Departamenti i Terapisë Stomatologjike
Regjistrohu
Regjistrohu ne portalin e Universitetit te Mjekesise Tirane duke plotesuar te dhenat e meposhtme.
×