TAKIM ME UNIVERSITETET PARTNERE NË PROJEKTIN EVROPIAN “EUSCREEN”

TAKIM ME UNIVERSITETET PARTNERE NË PROJEKTIN EVROPIAN “EUSCREEN”

 

Sot, më datë 27.01.2017, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë priti në një takim pune delegacionin e përfaqësuesve të universiteteve partnere në kuadër të projektit evropian të fituar nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë “Euscreen” (2017-2021)nën Programin e Bashkimit Evropian “Horizon 2020”. Konsociumi i universiteteve udhëhiqet nga Universiteti Erasmus i Roterdamit (Hollandë) dhe mbledh së bashku universitetet më prestigjioze evropiane, si Universitetin e Sheffield (Angli), Universitetin e Reading (Angli), Institutin Karolinska (Suedi)Universitetin Johann Wolfgang Goethe të Trankfurtit në Main (Gjermani)Universitetin e Mjekësisë dhe Farmacisë Iuliu Hatieganu Cluj-Napoca (Rumani), Drejtorinë e Asistencës Sociale Mjekësore (Spanjë), Fondacionin e bashkëpunimit publik-komunitet për studime euscreen (Hollandë).

Takimi u hap nga Zv. Rektore Prof. Dr. Anyla Bulo, e cila përshëndeti të pranishmit në emër të Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata dhe u uroi ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë suksese në zhvillimin e projektit.

Në këtë takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe prezantimi i etapave të projektit në Shqipëri u krye nga koordinatorja e Projektit Prof. Asc. Birkena Qirjazi, Pedagoge e Departamentit të ORL-Okulistikës në Fakultetin e Mjekësisë. Me anë të këtij projekti do të realizohet depistimi neonatal i dëgjimit në dy Maternitetet e Tiranës, në atë të Kukësit dhe të Pogradecit, si dhe në tre qendra shëndetësore (nga një për çdo rreth) dhe do të diagnostikohen rastet e uljes së dëgjimit për bebet dhe rehabilitimin e atyre me probleme. Të dhënat shkencore që do të mblidhen do të analizohen nga stafi i universiteteve partnere dhe do të mundësohet ekspertiza më e mirë për efikasitetin e diagnostikimeve.

 

                      REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 27.01.2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *