Lajme te tjera

Informojmë studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë se në bazë të kërkesës së Këshillit Studentor dhe Unionit Studentor të Luginës së Preshevës, si dhe duke marrë parasysh dispozitat e Rregullores së brendshme të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në mbledhjen e Rektoratit me përfaqësuesit e Fakulteteve, zhvilluar më datë 03.04.2015, është miratuar Vendimi Nr. 40, datë 09.04.2015, "Mbi miratimin e kërkesës së Këshillit Studentor për sezonin e provimeve të mbartura të muajit Prill", dhe është vendosur:
1. Të miratohet hapja e sezonit të Prillit 2015, për studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, përveç studentëve të vitit të parë.
2. Të miratojë kërkesën e studentëve të vitit të fundit që lëndët e mbartura nga sezoni i Shkurtit 2015, të përfshihen në sezonin e Prillit 2015.
3. Datat e provimeve të jenë më: 28, 30 Prill 2015 dhe 04 Maj 2015.
4. Numri i provimeve që mund të jepen në këtë sezon të jetë jo më shumë se 3 (tre).
5. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe shtrin efektet e tij për vitin akademik 2014 - 2015.
Ftojmë studentët të interesohen pranë sekretarive mësimore për t'u njohur me datat dhe sallat e provimeve.
REKTORATI
Përditësimi i fundit: 15.04.2015

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë, Këshillin Studentor të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (KSUMT), Organizatën Brainstorm, si dhe me mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, organizon Konferencën Kombëtare të Shkencave Mjekësore II. Konferenca do të organizohet në datat 10-12 Prill 2015, në ambjentet e Tirana International Hotel.
Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore II organizohet për të dytin vit rradhazi dhe është kthyer tashmë në një traditë mjaft positive për të gjitha strukturat e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Kjo konferencë është fryt i bashkëpunimit të ngushtë, të krijuar mes strukturave të Universitetit dhe Këshillit Studentor të UMT-së për të promovuar angazhimin dhe përfshirjen e studentëve dhe profesionistëve të rinj në projekte dhe studime kërkimore. Gjithashtu, në konferencë do të prezantohen punimet shkencore të Pedagogëve të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, të cilët do të paraqesin studimet më të fundit të tyre në shkencat mjekësore.
Në këtë edicion të dytë, konferenca do të zhvillohet në 3 ditë dhe do të ketë 3 lloj prezantimesh:
1. Prezantime nga profesorë dhe mjeke të specialiteteve të ndryshme
2. Prezantime nga studentë të udhëhequr nga pedagogë të Fakultetit të Mjekësisë
3. Prezantime individuale me poster
Konferenca do të përfshijë prezantime të temave shkencore nga fushat e shkencave mjekësore që studiohen në pesë Fakultetet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, përkatësisht: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Farmacisë dhe Fakulteti i Shendetit Publik. Temat shkencore ku studentët kanë punuar dhe janë udhëhequr nga pedagogët përkatës, janë si më poshtë:
1. CPR, trajtimi fillestar i traumës - Prof. As. Rudin Domi
2. Malarja, rikthimi i një sëmundje të neglizhuar - Prof. Dr. Pëllumb Pipero
3. Trajtimi laparoskopik i cistit ovarian - Prof. As. Arben Beqiri
4. Kirurgjia në sëmundjet kirurgjikale të tiroides - Prof. As. Arvin Dibra
5. Nefropatia diabetike, konceptet e reja të trajtimit - Prof. As. Myftar Barbullushi
6. Hepatiti viral A në moshat pediatrike -Prof. Dr. Eli Foto
7. Diagnoza diferenciale midis Gliomave difuze dhe atyre te mirëkufizuara - Dr. Teona Bushati
8. Karcinoma e prostatës në Shqipëri Konsiderata epidemiologjike dhe imunohistokimike - Dr. Leart Berdica
9. Cilësia e jetës së pacientit epileptik - Prof. Dr. Jera Kruja
10. Nefrostomitë në urgjencë - Dr. Rezart Xhani
11. Qëndrimi i dentistëve ndaj trajtimit të pacientëve HIV+ - Prof. As. Dorjan Hysi
12. Trajtimi me radio kimioterapi i kancerit te nazofaringut - Prof. Dr. Besim Boçi
13. Aderenca e mire tek terapia dhe ndikimi i saj mbi efikasitetin e barnave - Prof. As. Suela Këlliçi
14. Herniet e paretit abdominal - Dr. Darjel Thereska
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë falenderon Stafin Organizativ dhe Komitetin Shkencor për punën e tyre të vazhdueshme në realizimin e Konferencës dhe fton stafin akademik dhe studentët e tij të jenë të pranishëm në këtë aktivitet shkencor.
REKTORATI
Përditësimi i fundit: 03.04.2015

Ditën e merkurë, më datë 11 mars 2015, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë priti në ambientet e Rektoratit një përfaqësi nga Universiteti Aldent, të kryesuar nga Rektorja Dr. Entela Haloçi. Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari përshëndeti përfaqësuesit e Universitetit Aldent dhe e cilësoi këtë takim si një pikënisje për diskutime konkrete dhe projekte të përbashkëta.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes dy universiteteve. Palët shqyrtuan mundësinë e shkëmbimit të personelit akademik dhe të kërkuesve shkencorë. Gjithashtu, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë u impenjua për të asistuar Universitetin Aldent në menaxhimin institucional, në zhvillimin e veprimtarisë së kërkimit shkencor dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta, duke u bazuar në eksperiencën më të mirë të Fakulteteve të Universiteti i Mjekësisë, Tiranë në fushat mjekësore. Në takim u shqyrtuan mundësitë e një bashkëpunimi afatgjatë në zhvillimin e konferencave, seminareve dhe botimeve, me synim rritjen e cilësisë dhe shkëmbimin e eksperiencave në arsim mes dy institucioneve të arsimit të lartë. Në kuadër të diskutimeve dy Rektorët shqyrtuan mundësitë e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi mbi pikat e mëposhtme:
-
- Shkëmbimin e personelit akademik për proçesin mësimor;
- Shkëmbimin e pedagogëve, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarisë kërkimore shkencore;
- Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese;
- Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interest të dyanshëm);
- Shkëmbimin e literaturës shkencore;
- Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional.
Në fund të takimit, Rektorët nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit dhe u impenjuan për vazhdimsinë e bashkëpunimit institucional.
REKTORATI
Përditësimi i fundit: 16.03.2015

Ditën e Martë, më datë 17.03.2015, ora 12:00, në Auditoriumin “Galileo Galilei” të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për kardiokirurgun e mirënjohur amerikan Dr. Keith D. Flachsbart.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të jetës akademike, shoqërore dhe intelektuale të vendit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj.
Ceremonia u zhvillua gjatë mbledhjes së hapur të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe filloi nën intonimin e Himnit Kombëtar Shqipëtar dhe Himnit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ceremoninë e deklaroi të hapur Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari me fjalimin e tij në nder të Dr. Flachsbart. Rektori Refatllari u shpreh se, “Dita e sotme është një ditë e veçantë për të gjithë stafin akademik, për studentët dhe për mua si Rektor, pasi është hera e parë që titulli prestigjoz “Doctor Honoris Causa” jepet nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe është një nder i vertetë që të vlerësojmë sot me këtë titull Dr. Keith Flachsbart.
Me titullin “Doctor Honoris Causa” vlerësojmë, jo vetëm kontributin e parreshtur dhe angazhimin maksimal, por edhe humanizmin dhe thjeshtësinë që ka treguar Dr. Flachsbart në ndihmë të mjekësisë shqiptare. Dr. Flachsbart ka shërbyer aty ku ndjeu nevojën se duhej të ndihmonte, si mjek profesionist me përmasa krijuese, ai shëroi njerëzit dhe dha njohuritë e tij, duke kombinuar me sukses studimet shkencore dhe profesionalizmin në fushën e mjekësisë. Ky vlerësim që i bëhet sot Dr. Keith Flachsbart është një motiv krenarie për Universitetin tonë dhe për të gjithë shqiptarët që ai ka asistuar. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë e konsideron dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” si një shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme që Dr. Flachsbart ka dhënë për vendin tonë, duke shprehur kështu falënderimin e mjekëve, specializantëve, studentëve dhe pacientëve shqiptarë”.
Në vazhdim të ceremonisë e morën fjalën dy reçentët e nderuar, Prof. Dr. Artan Goda, President i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë dhe Akademik i Asociuar Prof. Dr. Anesti Kondili, Zv. Rektor i Albanian University.
Prof. Dr. Artan Goda mori fjalën në reçenzën e tij, duke vlerësuar karrierën e gjatë dhe të sukseshme të Dr. Flachsbart, i cili ka shërbyer si Kirurg Kardiotoraksi në Klinikën e Marshfield, në Wisconsin. Ka qenë themeluesi i Departamentit të Kirurgjisë Kardiotoraksi në Qendrën Mjekësore “Kaiser Permanente Medical Center”, në San Francisco të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka shërbyer si Përgjegjës i Departamentit për shumë vite. Përveç aktiviteteve humanitare dhe vizitave të shumta në Shqipëri, Dr. Flachsbart ka shërbyer edhe në Saint Petersburg të Rusisë ku ka asistuar mjekët rusë me trajnime në teknikat e avancuara të kirurgjisë dhe kryerjen e procedurave komplekse. Në Shqipëri, Dr. Flachsbart ka dhënë kontributin e tij të vyer në Shërbimin e Kadiokirurgjisë së Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” (QSUT) dhe ka transmetuar njohuritë e tij pedagogjiko-shkencor, duke ndihmuar dhe trajnuar me profesionalizëm të lartë ekipin e mjekëve tanë kardiokirurgë. Dr. Flachsbart ka dëshmuar se ka është një profesionist i fushës së kardiokirurgjisë dhe ka ndihmuar Shërbimin tonë të zhvillojë ndërhyrje që më parë nuk ishin të menduara t’u realizonin në Shqipëri. Ai ka asistuar në periudhën më të vështirë të vendit tonë dhe ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme. Prof. Dr. Goda kujtoi, gjithashtu, se janë të shumta leksionet dhe seminaret që Dr. Keith D. Flachbart ka dhënë gjatë viteve për studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe veçanërisht specializantet e kardiokirurgjisë, duke i ndihmuar ata edhe në sallat e operacionit.
Në reçenzën e tij, Prof. Dr. Anesti Kondili u shpreh se sot nderohet nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë një mik i shquar i popullit shqiptar. Ky është një vlerësim në sajë të kontributit të madh që Dr. Flachsbart ka dhënë në Shqipëri, duke asistuar kardiokirurgët shqiptar në operacionet e klasit të parë. Prof. Dr. Kondili kujtoi, gjithashtu, faktin që Dr. Keith D. Flachbart, për një periudhë shumëvjeçare, ka qenë mbi 25 herë në Shqipëri në kuadër të bashkëpunimit me Qendrën Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” (QSUT) dhe Albanian Health Foundation. Ai ka asistuar në ndërhyrjet e shumta kirurgjikale dhe duke transmetuar dijet e tija në zhvillimin e Kardiokirurgjisë Shqiptare në pergjithësi dhe realizimin e by-passit koronar në veçanti. Gjithashtu, ai ka dhënë edhe një suport me vlera të konsiderueshme materiale dhe financiare në favor të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, duke sjellë proteza valvulare, oksigjenatorë, instrumenta kirurgjikale, etj. Të këto dëshmojnë qartë se Dr. Keith D. Flachsbart se ka qenë dhe është jo vetëm një një specialist i mirëfilltë në fushën e kardiokirurgjisë por mbi të gjitha një mik i mirë i vendit tonë.
Pas fjalës së dy reçentëve, rradhën e kishte ceremonia e dorëzimit të diplomës nga ana e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, i cili i dha titullin “Doctor Honoris Causa” Dr. Keith D. Flachsbart me motivacionin “Për kontributin e tij të veçantë në bashkëpunim me shkollat e larta dhe posaçërisht me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, në fushën shkencore, të metodave të mësimdhënies dhe kualifikimit profesional në Profilin e Kardiokirurgjisë”. Së bashku me titullin, Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari i dhuroi Dr. Keith D. Flachsbart edhe një skulpturë të Dorës së Rodinit, në shënjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e duarve të tij të arta prej kardiokirurgu.
Në vazhdim fjalën e mori Dr. Keith D. Flachsbart, i cili shprehu falënderimin e tij për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për pritjen dhe vlerësimin e lartë që iu dha. Dr. Flachsbart u shpreh se është një nder i vërtetë të marrësh sot një titull kaq të rëndësishëm siç është titulli “Doctor Honoris Causa” dhe ky vlerësim e angazhon moralisht për të dhënë një kontribut të mëtejshëm në të mirë të Shqipërisë dhe të Kardiokirugjisë Shqiptare.
Kronikë e realizuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), me rastin e ceremonisë
REKTORATI
Përditësimi i fundit: 18.03.2015

Ditën e shtunë, më datë 06 mars 2015, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë priti në ambientet e Rektoratit delegacionin e Universitetit të Palermos, të kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Roberto Lagalla, Dekani i Fakultetit te Mjekësisë Prof. Dr. Francesco Vitale, Shefi i Katedrës së Kardiologjisë Prof. Dr. Pasquale Assennato dhe Drejtori i Departamentit të Emodinamikës në Spitalin S. Antonio Abate – Erice të Trapanit Prof. Asc. Arian Frashëri.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari u shpreh i nderuar nga vizita e delegacionit të Universitetit të Palermos dhe e vlerësoi këtë vizitë si një pikënisje për diskutime konkrete dhe projekte të përbashkëta në fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin e të dy institucionet e arsimit të lartë. Në takim morën pjesë edhe Zv. Rektor Prof. Dr. Anyla Bulo, Zv. Rektor Prof. Dr. Arben Gjata, Zv. Rektore Prof. As. Suela Këlliçi dhe Kancelari i Universitetit të Mjekësisë Z. Mirjel Dollani.
Vizita u zhvillua me ftesë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në kuadër të bashkëpunimit mes të dy universiteteve. Me këtë rast, dy Rektorët e Universiteteve shqyrtuan mundësitë e mëtejshme të një bashkëpunimi në fushat prioritare, si më poshtë:
-
- Protokoll bashkëpunimi për krijim e një Rrjeti të përbashkët për formimin dhe trajtimin e specialistëve mjekësor shqiptar për rastet dhe ndërhyrjet e veçanta që nuk mund të trajtohen aktualisht në Shqipëri.
- Protokoll bashkëpunimi në projekte të financuara nga Koopeacionit Italian për Zhvillim dhe shtetet përkatëse.
- Protokoll bashkëpunimi për njohjen e titujve akademikë në Republikën e Italisë dhe në Bashkimin Evropian të ciklit të tretë të studimeve, specilizime afatgjata, që ofrohen Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
- Asistencë teknike nga Universiteti i Palermos në hartimin e kurrikulave të studimit të specializimeve që ofrohen nga Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
- Konsultimi dhe shkëmbimi i mendimeve për implementime të programeve të studimit.
- Përpilimi i një marrëveshje bashkëpunimi mes të dy universiteteve dhe qendrave spitalore përkatëse në të cilat kryhen praktikat klinike.
- Mundësi për trajnime të përbashkëta për specializantët e UMT-së me kohëzgjatje të shkurtër me qëllim që të përgatiten specialistë në fushën e kadiologjisë, kardiokirurgjisë, kirugjisë, laboratori, shëndetit publik, imazherisë.
- Shkëmbime studentore në fushën e farmacisë.
- Mundësi për shkëmbime studentore në tri ciklet e studimit (Bachelor, Master dhe Doktoratë).
- Mundësi për shkëmbime të stafit akademik dhe bashkëpunim në fushat e specializimeve me synim rritjen e cilësisë dhe arritjen e standardeve evropiane.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e krjimit të një Rrjeti të përbashkët formimi ku specialistët e mjekësor shqiptar do të asistohen dhe trajnohen në mënyrë shkencore me njohuri të avancuara nga specialistët e lartë të Universitetit të Palermos, të Qendrës Spitalore Universitare Poliklinike të Palermos “Paolo Giaccone”, Spitalin S. Antonio Abate – Erice të Trapanit, si dhe të Qarkut të Siçiljes, në Itali. Palët diskutuan për një uniformitet të standardeve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë me ato evropiane dhe zhvillimin e kurrikulave të ciklit të tretë të studimeve të Specilizimeve, duke u bazuar në eksperiencën më të mirë të dekreteve të fundit evropiane në fushat e specializimeve. Gjithashtu, në takim u shqyrtuan mundësitë për hartimin e një bashkëpunimi afatgjatë në projekte të tjera të përbashkëta të cilat do të jenë të financuara nga Koopeacionit Italian për Zhvillim dhe nga shtetet përkatëse për rritjen e cilësisë me shkëmbim të eksperiencave në arsim mes dy institucioneve të arsimit të lartë, ku synohet jo vetëm objektiva të larta akademike, por edhe promovimin e punës kërkimore të fakulteteve, të pedagogëve dhe studentëve të tyre.
Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari informoi delegacionin e pranishëm se Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është në një periudhë inovacioni të përgjithshëm dhe asistenca e vyer e Universitetit të Palermos vjen në momentin e duhur për të rinovuar dhe ndërtuar çdo program studimi sipas standardeve evropiane.
Rektori Prof. Dr. Roberto Lagalla u shpreh se u ndje mjaft i kënaqur dhe i nderuar nga pritja e bërë nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe nënvizoi angazhimin e tij personal në realizimin e diskutimeve dhe projekteve të përbashkëta. Ai vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe gatishmërinë e Universiteti i Mjekësisë, Tiranë për organizimin e grupeve të punës, të cilat do të jenë pika e kontaktit e universitetit, jo vetëm për projektet e diskutuara por edhe për projekte me rëndësi të veçantë që do të vijonë.
Në fund të takimit, Rektorët ranë dakord për shkëmbime vizitash dhe bisedime të vazhdueshme për finalizimin e projekteve të diskutuara në dy marrëveshje të cilat do të synojnë vazhdimsinë e mëtejshme të bashkëpunimit institucional.
REKTORATI
Përditësimi i fundit: 16.03.2015
Regjistrohu
Regjistrohu ne portalin e Universitetit te Mjekesise Tirane duke plotesuar te dhenat e meposhtme.
×