Keshilli i Administrimit
KESHILLI I ADMINISTRIMIT (KADM)
Këshilli i Administrimit është organ kolegjial vendimmarrës që mbikqyr dhe kontrollon veprimtaritë e UMT-së në aspektet administrative, financiare dhe ekonomike, si dhe në ushtrimin e mbrojtjen e të drejtave të pronësisë publike të UMT-së.
Përveç kritereve të përcaktuara posaçërisht në ligj, anëtarët e zgjedhur dhe të emëruar nuk duhet të kenë pengesa ligjore për të punuar në administratën shtetërore dhe konflikte interesi me funksionin e anëtarit të KADM-it.
Për funksionimin dhe shpërblimin e anëtarëve të tij parashikohet një zë i veçantë në buxhetin e UMT-së. Tarifat për pjesëmarrje në mbledhje të anëtarëve të KADM-it përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Shpenzimet realizohen nga Kancelari me urdhër të Kryetarit të KADM-it. KADM-i informon Senatin Akademik dhe Rektorin për situatën financiare dhe projektet përkatëse për të gjithë Universitetin.
KADM-i i UMT-së përbëhet gjithsej nga 11 anëtarë, respektivisht nga një anëtar për çdo njësi kryesore, një anëtar student dhe 5 anëtarë të caktuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Anëtarët e KADM-it që përfaqësojnë personelin mësimor shkencor duhet të gëzojnë së minimalisht gradën shkencore “Doktor”.
Anëtari student zgjidhet nga Këshilli i Studentëve të UMT-së.
Mandati i KADM-it është 4 vjeçar. Mandati i anëtarit të tij të zgjedhur merr fund:
- Me mbarimin e afatit;
- Me dorëheqje;
- Kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore apo të punës me UMT-në;
- Kur mungon pa arsye radhazi në 6 seanca mbledhjesh të KADM-it;
-Kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Përveç rasteve të përgjithshme sipas ligjit e këtij Statuti, mandati i anëtarit të zgjedhur mbaron me rivotim të kërkuar nga KADM-i kur në ushtrimin e funksionit të anëtarit shkel rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat e brendshme të këshillit ose pa shkak e në mënyrë të përsëritur nuk ka realizuar detyrat e ngarkuara nga KADM-i.
Vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për anëtar të KADM-it. Kur nuk ka tillë, Rektori thërret zgjedhjet për anëtar të zgjedhur të tij.
Anëtarët e KADM-it të emëruar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës shkarkohen prej tij.
Kancelari i Universitetit përgatit propozimet për në KADM dhe realizon aspektet administrative të veprimtarisë së tij.
Vendimet e KADM-it janë të vlefshme kur nënshkruhen nga Kryetari i tij.
Mënyra e thirrjes së mbledhjeve të KADM-it, e përcaktimit të rendit të ditës, pjesëmarrja, shumica për marrjen e vendimeve dhe çështje të tjera parashikohen në rregulloren e Universitetit dhe në rregulloren e brendshme të tij.
Regjistrohu
Regjistrohu ne portalin e Universitetit te Mjekesise Tirane duke plotesuar te dhenat e meposhtme.
×