Please select your page

Logo-UMT-RPUNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË

REKTORATI

Tiranë, 13.07.2014

DEKLARATË PËR MEDIAT

 

Nisur nga daljet e njëpasnjëshme në media të dekanit të pezulluar të Fakultetit të Mjekësise, Prof. Bajram Hysa, që kanë si qëllim disinformimin e opinionit publik për shkaqet e vërteta të pezullimit të tij, sqarojmë sa më poshtë:

Më datë 08.10.2013, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë është depozituar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe Rekomandimet nga institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Nga auditimi i kryer janë konstatuar mangësi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Bazuar në nenin 9 dhe 16 të Ligjit Nr.8270, datë 23.12.1997, i ndryshuar në Ligjin Nr.8599, datë 01.06.2000 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, janë dërguar rekomandimet, si dhe është kërkuar zbatimi i tyre nga ana e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT), si institucioni bazë nga i cili varet Fakulteti i Mjekësisë.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konstatuar në Fakultetin e Mjekësisë shkelje të rënda të disiplinës financiare me dëm ekonomik të llogaritur në shumën 1.990.900 lekë, dëm ky i shkaktuar nga Dekani i tij, Z. Bajram Hysa me detyrim kthimin e menjëhershëm ndaj buxhetit të institucionit. Bazuar në këto konstatime serioze mbi abuzimet e kryera në Fakultetin e Mjekësisë, rektorja e mëparshme e Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Prof. Jera Kruja, në datën 29 janar 2014, urdhëroi auditimin e Fakultetit të Mjekësisë. Rezultatet dhe rekomandimet e këtij auditi janë raportuar në datë 30.06.2014, duke konstatuar shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik, rekrutimet e personelit në tejkalim të kompetencave, moszbatim i urdhërave të nxjerra nga titullari, etj. Të gjitha këto parregullsi dhe jo vetëm, vërtetojnë se Dekani Hysa, jo vetëm nuk i ka respektuar aktet ligjore dhe nënligjore, por i ka shpërfilluar ato duke kryer shkelje të rënda të ligjit dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme administrative dhe financiare të reflektuara në dëmin ekonomik prej të paktën 55.365.479 lekë.

Bazuar në këto konstatime, Rektori i Universitetit të Mjekësisë Prof. Ali Refatllari, mbështetur në legjislacionin në fuqi, vendosi pezullimin nga detyra të Dekanit, Prof. Bajram Hysa, si dhe i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shkarkimin e tij. Në urdhërin e pezullimit përshkruhet me hollësi baza ligjore e këtij vendimi. Njëkohësisht janë marrë dhe një numër masash të tjera për anëtarë të stafit administrativ të Fakultetit të Mjekësisë. Të dhënat e botuara në media të ndryshme janë një pjesë fare e vogël e raportit final të grupit auditues që ka konstatuar shkelje të rënda administrative dhe financiare.

Pretendimet e dekanit të pezulluar të Fakultetit të Mjekësisë në lidhje me tendera ilaçesh, emërime shefash, etj. janë të pavërteta, të pabaza dhe nuk kanë asnjë lidhje me Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ato synojnë të disinformojnë opinionin publik në lidhje me shkaqet e vërteta të pezullimit që janë abuzimet e rënda administrative dhe financiare.

 

 REKTORATI I UNIVERSTITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 


Ditën e premte, më datë 20 qershor 2014, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari priti në një takim Rektorin e Universitetit të Kietit dhe Peskarës “G. D’Annunzio” të Italisë, Prof. Dr. Carmine D’Ilio dhe Drejtorin e Shërbimit të Kirurgjisë Patologjike dhe Shkollës së Specializimit në Kirurgji të Përgjithshme, Prof. Dr. Paolo Innocenti.

Universiteti i Kietit dhe Peskarës “G. D’Annunzio” është një universitet publik i njohur në Itali me një kapacitet prej rreth 30.000 studentësh dhe një profilizim të theksuar në shkencat mjekësore, i cili është krijuar në vitin 1965 dhe përbëhet nga 2 kampuse studimi (në Kieti dhe në Peskara), 12 fakultete dhe 14 Departamente.

Takim-me-Rektorin-Carmine-D-Ilio

 

Në këtë takim morën pjesë Zv. Rektore Prof. Dr. Anyla Bulo, Zv. Rektor Prof. As. Arben Gjata, Zv. Rektore Prof. As. Suela Këlliçi dhe përfaqësues të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë e ndryshme për bashkëpunim dhe shkëmbim të eksperiencave në arsimin e lartë, ndër të cilat mund të përmenden shkëmbimi i studentëve dhe pedagogëve midis dy universiteteve, kualifikimi i stafit akademik duke ofruar bursa trajnimi në fusha me rëndësi të veçantë për të dy institucionet, ofrimi i programeve të përbashkëta të specializimeve afatgjata në fushat mjekësore. Gjithashtu, u shpreh dëshira e përbashkët për konkretizimin e propozimeve të këtij takimi me një marrëveshje bashkëpunimi mes dy universiteteve.

Rektori Carmine D'Ilio u njoh nga Rektori Ali Refatllari rreth ecurisë akademike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe u shpreh mjaft entuziast për të krijuar një frymë bashkëpunimi, duke e vlerësuar punën universitare dhe shkencore të deritanishme të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe gjithashtu duke u impenjuar për ta vazhduar më tej atë me një bashkëpunim sa më të ngushtë të dy institucioneve të arsimit të lartë.

 

Foto-nga-takimi-me-Rektorin-Carmine-D-Ilio

 

Gjithashtu, më datën 21.06.2014, në auditoriumin "Galileo Galilei" të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë nën frymën e bashkëpunimit konkret u zhvillua një leksion i hapur nga Prof. Dr. Paolo Innocenti me temë "Roli i Robotikës në Kirurgjinë Onkologjike". Në këtë leksion morën pjesë pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe mjekë urologë, kardiokirurgë dhe kirurgë të përgjithshëm të shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT). Prof. Innocenti theksoi me këtë leksion se e ardhmja e kirurgjisë është robotika dhe se ne jemi të gjithë pjesë të një proçesi që është duke u informatizuar dhe në një të ardhme të shpejtë do të vazhdojë të ofrojë përmirësimin dhe modernizmin e specialiteteve në fushat mjekësore.

 

REKTORATI 

 

 

 

 


 

Në sajë të kërkesës së Këshillit Studentor të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, për të ardhur në ndihmë të studentëve për të cilët ka qenë i pamundur dorëzimi i dokumentacionit të plotë për përfitimin e bursës studentore brenda afatit të caktuar, informohen studentët e interesuar se Rektorati ka shqyrtuar pozitivisht këtë kërkesë.

Për të qenë sa më pranë studentëve në çdo nevojë të tyre dhe për të mundësuar mbarëvajtjen e procedurës së bursave studentore, me urdhër të Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof.Dr. Ali Refatllari është vendosur të pranohet dokumentacioni i munguar në dosjet e studentëve aplikantë për trajtimin me bursë nga data 18.06.2014 deri më datë 28.06.2014.

Njoftohen të gjithë studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, të cilët rezultojnë me mungësë dokumentacioni, të plotësojnë atë pranë Zyrës së Financës në Fakultetin përkatës, brenda afatit të caktuar.

 

 

REKTORATI


 

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë informon studentët, doktorantët dhe studiuesit shkencorë mbi mundësinë e pjesëmarrjes në shkollën verore universitare "Erasmus Summer Programme 2014" që organizohet nga Qendra NIHES (Research Training in Medicine and the Health Sciences) e Universitetit Erasmus të Roterdamit, në Hollandë, në datat 11 - 29 gusht 2014.

Çdo vit, programi 3 javor i shkollës verore universitare të Qendres NIHES të Universitetit Erasmus të Roterdamit pret qindra studentë, shkencëtarë dhe profesionistë nga vende të ndryshme të botës dhe është i hapur për studentët të cilët duan të thellojnë studimet e tyre në shkencat e shëndetit. Programi përfshin kurse trajnimi dhe leksione metodologjike me tema të ndryshme. Gjatë këtij programi 3-javor, të interesuarit kanë mundësinë të zgjedhin nëse dëshirojnë të regjistrohen në një kurs të vetëm ose në kurse të një disipline të vetme. Gjithashtu, është e mundur që kurset të zgjidhen nga disiplina të ndryshme sipas një programi individual.

Për më tepër informacione rreth programit, mund të konsultoni linkun e mëposhtëm: http://erasmussummerprogramme.nl/course-information/

Informohen studentët dhe studiuesit e interesuar se meqenëse Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është Partner me Universitetin Erasmus të Roterdamit në programin ErasmusMundus-WesternBalkans (ERAWEB), përfitojnë një ulje prej 25% në pagesën e pjesëmarrjes.

Afati i fundit për regjistrim është data 1 korrik 2014.

 

Për informacione të mëtejshme, mund të konsultoni linkun e mëposhtëm: http://erasmussummerprogramme.nl/

 

ZYRA E KOMUNIKIMIT DHE MARREDHENIEVE ME JASHTE


 

Ditën e enjte, më datë 12 Qershor 2014, në ambientet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u organizua një takim me Profesor Felix Unger, President i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (European Academy of Sciences and Arts) dhe gjithashtu personalitet i shquar në fushën e kardiokirurgjisë dhe mjekësisë botërore, i cili ditën e mërkurë, më datë 11 Qershor 2014, u nderua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

 

 

 

3

 

Në këtë takim morën pjesë Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Akademik Anastas Angjeli, Zv. Rektore Prof. As. Suela Këlliçi, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram Hysa, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Dentare Prof. Dr. Fejzi Keraj, Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik Prof. Dr. Enver Roshi, Dekanja e Fakultetit të Farmacisë Prof. As. Vilma Toska dhe përfaqësues të mirënjohur të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Prof. Felix Unger është një personalitet i mirënjohur në fushën e mjekësisë, i cili ka dhënë një kontribut të admirueshëm gjatë karrierës së tij profesionale dhe akademike, duke u vlerësuar nga shumë qendra universitare dhe shkencore ku ai ka ushtruar detyrat e tij akademike. Veprimtaria intelektuale e Prof. Unger është e orientuar drejt arsimit cilësor dhe për një bashkëpunim sa më të ngushtë të institucioneve kërkimore-shkencore mbarëevropiane.


Rektori Ali Refatllari falënderoi Profesor Felix Ungerin për vizitën e tij në Univeristetin e Mjekësisë, Tiranë dhe e vlerësoi kontributin që ai ka dhënë jo vetëm në fushën mjekësore dhe shkencore si kardiokirurg i shquar por dhe në krijimin e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve që unifikon studimet universitare me kampuset e saj në mjaft vende të Evropës. Ndër të tjera Rektori Refatllari theksoi: “Është një kënaqësi e veçantë për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë dhe për të gjithë në komunitetin universitar shqipëtar të presim sot një personalitet të shquar të shkencës në nivel evropian si Prof. Felix Unger. Prof. Unger u vlerësua, ditën e merkurë, me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe ky nderim vlen jo vetëm si vlerësim i lartë për punën e tij akademiko-shkencore por edhe për përpjekjet për integrimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në nivel evropian. Gjithashtu një ndër risitë që sjell themelimi i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve është krijimi dhe bashkimi i një kurrikule të njëjtë mjekësore dhe të ndarë nga shumë vende Evropiane që do të zhvillojë më tej integrimin e programeve të studimit në arsimin e lartë evropian”.

 

1

 

Profesor Felix Unger, pasi u njoh me të dhënat mbi universitetin, falënderoi Rektorin Ali Refatllari për pritjen e tij në Univeristetin e Mjekësisë, Tiranë dhe u shpreh i nderuar për vlerësimin e punës së tij akademike dhe profesionale. “Arsimi i lartë mjekësor dhe kërkimit shkencor është në një fazë që kërkon një zhvillim të mëtejshëm univeristar në nivel evropian. Prandaj, nëpërmjet themelimit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, kërkojmë t’i japim akoma më shumë rëndësi unifikimit, intensifikimit dhe thellimit të programeve mbarëevropiane me karakter etik, shkencor dhe akademik në shkencat mjekësore. Sepse e ardhmja universitare është bashkërendimi i politikave arsimore dhe programeve të njëhsuara të kërkimit shkencor, duke krijuar qendra të përbashkëta të studimeve interdisiplinare dhe duke përshtatur studimet mjekësore me një model ndërevropian”, u shpreh Prof. Unger.

 

Takimi vijoi me bisedimet mes të pranishmëve të cilët falenderuan Profesor Unger për vizitën dhe shprehen vlerësimin e tyre për mikun dhe intelektualin, siç është Prof. Unger, që punon dhe vepron pa rreshtur për të zhvilluar më tej studimet universitare.

 

 

                                                                                                     REKTORATI


Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Shëndetësisë
Universiteti i Tiranës
Universiteti i Prishtinës
Universiteti i Kamerinos
Instituti Alb-Shkenca
Research 4 Life
Google for Education
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit
Rrjeti Akademik Shqiptar - Qendra Nderuniversitare e Sherbimeve dhe Rrjetit Telematik
Central European Exchange Program for University Studies
Università degli Studi dell'Aquila
Università degli Studi di Bari
Università degli Studi di Padova
Charles University

Regjistrohu


Regjistrohu ne portalin e Universitetit te Mjekesise Tirane duke plotesuar te dhenat e meposhtme.


{instantpaypal}{/instantpaypal}

  ose   Identifikohu

 

×