Organet Drejtuese
Bordi i Administrimit
Bordi i Administrimit është organ kolegjial vendimmarrës që mbikqyr dhe kontrollon veprimtaritë e UMT-së në aspektet administrative, financiare dhe ekonomike, si dhe në ushtrimin e mbrojtjen e të drejtave të pronësisë publike të UMT-së.
Përveç kritereve të përcaktuara posaçërisht në ligj, anëtarët e zgjedhur dhe të emëruar nuk duhet të kenë pengesa ligjore për të punuar në administratën shtetërore dhe konflikte interesi me funksionin e anëtarit të Bordi i Administrimit.
Për funksionimin dhe shpërblimin e anëtarëve të tij parashikohet një zë i veçantë në buxhetin e UMT-së.
Tarifat për pjesëmarrje në mbledhje të anëtarëve të Bordi i Administrimit përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Shpenzimet realizohen nga Kancelari me urdhër të Kryetarit të Bordi i Administrimit.
Bordi i Administrimit informon Senatin Akademik dhe Rektorin për situatën financiare dhe projektet përkatëse për të gjithë Universitetin.
Bordi i Administrimit i UMT-së përbëhet gjithsej nga 7 anëtarë. Anëtarët e UMT-së përzgjidhen nga Senati Akademik i UMT-së me një mandat 5-vjecar me të drejtë rizgjedhje prej listave të propozuara nga UMT.
Numri i përfaqësuesve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në Bordin e Administrimit është 3 anëtarë.
Numri i përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Bordin e Administrimit është 4 anëtarë.
Anëtarët e Bordit të Administrimit që përfaqësojnë personelin mësimor shkencor duhet të gëzojnë së minimalisht gradën shkencore “Doktor”.
Mandati i Bordit të Administrimit është 5 vjeçar me të drejtë rizgjedhje. Mandati i anëtarit të tij të zgjedhur merr fund:
– Me mbarimin e afatit;
– Me dorëheqje;
– Kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore apo të punës me UMT-në;
– Për shkelje të rënda të ligjit;
– Kur mungon pa arsye radhazi në 6 seanca mbledhjesh të Bordit të Administrimit;
– Për shkak të ndryshimit të raporteve të përfaqësimit në Bordin e Administrimit;
– Kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në rast se njëri nga anëtarët nuk është më pjesë e Bordit të Administrimit sipas përcaktimeve të mësipërme vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të propozuar nga UMT dhe votuar nga Senati Akademik.
Anëtarët e Bordit të Administrimit të emëruar nga Ministri i Arsimit dhe Sportit shkarkohen prej tij.
Referencë: Statuti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Nenet 17, 18, 19(2), miratuar nga Senati Akademik, më datë 07.06.2013. Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik Nr.23, datë 19.03.2016 “Për miratimin e disa ndryshimeve në Statutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, Miratuar me Shkresën e Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr.2834 Prot., datë 29.03.2016 “Miratimi i ndryshimeve të Statutit”
Senati Akademik
Senati akademik dhe përbërja e tij:
1. Senati akademik është organ më i lartë drejtues akademik i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ai përbëhet nga anëtarë, personel akademik dhe studentë, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institucionit.
2. Anëtarët e Senatit që përfaqësojnë personelin mësimor shkencor duhet të gëzojnë kategorinë “Profesor” ose të kenë gradën shkencore “Doktor” (PHD), të fituar pranë Universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së.
3. Senati përbëhet nga 21 anëtarë si më poshtë:
Rektori i Universitetit, i cili është dhe Kryetari i Senatit,
– 12 (dymbëdhjetë) përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë,
– 4 (katër) përfaqësues nga Fakulteti i Shkencave Mjekësorë Teknike
– 2 (dy) përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare,
– 2 (dy) përfaqësues të studentëve (10 %),
Me propozim të Rektorit, Senati Akademik zgjedh nga anëtarët e tij Nënkryetarin.
4. Mandati i Senatit është 4 vjeçar. Mandati i anëtarit të Senatit Akademik merr fund:
– Me mbarimin e afatit;
– Me dorëheqje;
– Kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore apo të punës me UMT;
– Kur mungon pa arsye radhazi, në 6 seanca mbledhjesh të tij;
– Kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për Senatin Akademik. Kur nuk ka të tillë, Rektori thërret zgjedhjet për anëtar të zgjedhur të Senatit Akademik.
Senati Akademik ka këto kompetenca:
Senati me iniciativën e tij ose me propozim të Këshillit të Fakultetit i propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës hapjen, riorganizimin dhe mbylljen e programeve të studimit apo pjesë të tyre kur cënojnë objektivat bazë:
- I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës kriteret dhe kuotat e pranimeve në UMT, si dhe tarifat e regjistrimit dhe të shkollimit sipas propozimeve të Këshillave të Fakulteteve;
- Përcakton kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve për studentë të ciklit të parë sipas propozimeve të Këshillit të Fakultetit dhe ia paraqet ato për miratim MASH-it;
- Miraton projektet e marrëveshjeve apo kontratave të bashkëpunimit me të tretë, të cilat i nënshkruan Rektori në emër dhe për llogari të Universitetit;
- Me ankim apo me kërkesë, shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të Këshillit të Fakultetit. Kur konstaton se ato janë në kundërshtim me ligjin për Arsimin e Lartë dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, ia kthen për shqyrtim edhe njëherë Këshillit të Fakultetit me sugjerimet përkatëse. Nëse Këshilli i Fakultetit merr përsëri një vendim në kundërshtim me aktet normative në fuqi, Senati Akademik vendos ndryshimin ose shfuqizimin e tij;
- Miraton hapjen e filialeve, krijimin e qendrave apo kurseve të posaçme, si dhe projekteve të tjera të shërbimit, bazuar në propozimin e Këshillit të Fakultetit përkatës;
- Miraton rastet e trajtimit të posacëm të pedagogëve, studiuesve dhe studentëve me aftësi e rezultate veçanërisht të larta e të rëndësishme;
- Përzgjedh anëtarët e Këshillit të Etikës dhe miraton rregulloren e këtij këshilli;
- Me propozim të Rektorit krijon komisione të përhershme të tij për të ndjekur drejtimet më të rëndësishme të veprimtarisë së institucionit;
- I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës hapjen, riorganizimin apo mbylljen e njësive të reja kryesore;
- Shqyrton dhe vlerëson kërkesat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për hapjen e programeve të reja të studimit në fusha prioritare;
- Me propozim të Këshillit të Fakultetit, miraton pështatjen e programeve/profileve të studimeve të miratuara që nuk cënojnë objektivat bazë të tyre;
- Shqyrton kërkesën dhe merr vendimin për t’i propozuar Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë, Komisionin Vlerësues për shqyrtimin e kërkesës së kandidatit për titullin “Prof.”.
Në ushtrim të kompetencave, si dhe me dhënie mendimi kolegjial, Senati Akademik shpreh vullnetin e tij me vendime të cilat kanë fuqi të drejtpërdrejtë.
Referencë: Statuti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Nenet 14, 15 dhe 16, miratuar nga Senati Akademik, më datë 07.06.2013. Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik Nr.23, datë 19.03.2016 “Për miratimin e disa ndryshimeve në Statutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, Miratuar me Shkresën e Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr.2834 Prot., datë 29.03.2016 “Miratimi i ndryshimeve të Statutit”
Rektorati
Është organ kolegjial ekzekutiv i përbërë nga Rektori, Zv/Rektorët, Dekanët e Fakulteteve dhe Kancelari i UMT-së.
Rektorati, përveç misionit, të drejtave dhe detyrave të përcaktuara nga ligji, ka edhe këto kompetenca:
1. Ofron infrastrukturën dhe shërbimin administrativ për mbarëvajtjen e funksionimit të organeve dhe autoriteteve drejtuese të Universitetitë;
2. Ushtron në njësitë e UMT-së kontrolle tematike ose për aspekte konkrete, të njoftuara paraprakisht ose jo, për përmbushjen e detyrave dhe qëllimeve të tyre, si dhe për zbatimin e akteve ligjore e nënligjore, të Statutit, Rregullores dhe akteve të organeve dhe autoriteteve drejtuese të Universitetit;
3. Ka të drejtë të lëshojë urdhra dhe udhëzime për të gjitha strukturat përbërëse të UMT-së;
4. Jep rekomandime dhe opinione për strukturat drejtuese të UMT-së për probleme të cilat ai i vlerëson apo i kërkohet në ushtrimin e funksioneve të këtyre strukturave;
5. Jep opinionin e tij kur kjo kërkohet nga Rektori për çështje që lidhen me konflikte midis strukturave të UMT-së sipas kompetencave që ligji i njeh Rektorit;
6. Shfuqizon, kryesisht apo me kërkesë të së interesuarit, aktet e Dekanit kur bien ndesh me legjislacionin në fuqi, me këtë Statut ose me Rregullore.
Në varësi të strukturës dhe organikës së Rektoratit miratohet rregullorja e Rektoratit, në të cilën përfshihen përshkrimet e punës të secilit punonjës, me përjashtim të atyre punonjësve që i kanë të përcaktuara ato në akte të tjera.
Veç sa parashikohet nga ligji dhe në këtë Statut, organizimi dhe funksionimi i Rektoratit kryhet në realizim të detyrave dhe objektivave që i njeh ligji për arsimin e lartë, në mënyrën që përcaktohet në Rregulloren e punës e cila propozohet nga Rektorati dhe miratohet nga Senati Akademik.
Funksionimi i Rektoratit
Rektorati si organ kolegjial funksionon me mbledhje. Vendimet merren në mbledhje të organizuara rregullisht me tematikë të paracaktuar e të njoftuar të paktën dy ditë para mbledhjes. Në raste urgjente, tematika komunikohet në fillim të mbledhjes.
Mbledhja e Rektoratit kryesohet nga Rektori dhe është e vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se gjashtë anëtarë të tij. Në mungesë të Rektorit dhe autorizim të posaçëm të tij, mbledhjen mund ta drejtojë njëri nga Zv/Rektorët e UMT-së.
Referencë: Statuti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Nenet 30 dhe 31, miratuar nga Senati Akademik, më datë 07.06.2013. Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik Nr.23, datë 19.03.2016 “Për miratimin e disa ndryshimeve në Statutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, Miratuar me Shkresën e Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr.2834 Prot., datë 29.03.2016 “Miratimi i ndryshimeve të Statutit”
Këshilli i Etikës
Është organ drejtues në UMT dhe në rastet e parashikuara në Rregullore edhe në njësitë përbërëse të tij.
Këshilli ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë me iniciativë informacione nga personeli akademik, ndihmës mësimor – shkencor dhe administrativ dhe njësitë përbërëse të UMT-së përveç Senatit Akademik, Rektorit dhe KADM-it, si dhe hallkave paralelele dhe këshillat e studentëve lidhur me respektimin e kërkesave të moralit dhe të etikës në realizim të funksioneve e detyrave të secilit.
Për rastet dhe mënyrën e verifikimeve në organe drejtuese të UMT-së dhe bashkëpunimit me individë, organe dhe institucione jashtë tij. Këshilli i Etikës duhet të marrë miratimin e Senatit Akademik. Në pamundësi, të marrë miratimin e Rektorit, i cili kërkon miratimin për këtë në mbledhjen më të parë, në të kundërt, konstatimet janë të pavlefshme.
Këshilli i Etikës ia paraqet konstatimet e tij Rektorit me rekomandimet përkatëse.
Kur konstatimet lidhen me personelin akademik dhe kur është marrë miratimi për verifikim, Rektori vë në dijeni Senatin Akademik.
Anëtarët e Këshillit të Etikës emërohen nga Senati Akademik prej personelit akademik sipas propozimeve të Rektorit. Këshilli i Etikës përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë. 4 (katër) anëtarë janë personel akademik dhe 1 (një) anëtar përcaktohet nga Rektorati. Këshilli i Etikës zgjedh kryetarin e tij dhe i propozon Senatit Akademik për miratim Kodin e Etikës të UMT-së.
Mënyra e shqyrtimit të ankesave, vendimet, sanksionet përkatëse dhe ekzekutimi i këtyre vendimeve parashikohen në rregulloren e tij.
Referencë: Statuti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Nenet 24 dhe 25, miratuar nga Senati Akademik, më datë 07.06.2013. Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik Nr.23, datë 19.03.2016 “Për miratimin e disa ndryshimeve në Statutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, Miratuar me Shkresën e Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr.2834 Prot., datë 29.03.2016 “Miratimi i ndryshimeve të Statutit”
Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë
Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë është organ kolegjial. Ai përbëhet nga 7 anëtarë, nga të cilët 5 anëtarë janë përfaqësues të personelit akademik nga njësitë kryesore, një përfaqësues i Këshillit Studentor të UMT dhe një ekspert i jashtëm. Anëtarët e njësisë nga UMT miratohen nga Senati Akademik me propozim të Rektorit.
Kompetencat e Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë janë:
1. Të vlerësojë në mënyrë periodike efikasitetin e veprimtarive mësimore dhe kërkimore në njësitë kryesore të UMT në përputhje me standartet;
2. Të vlerësojë në mënyrë periodike efikasitetin e veprimtarive administrative dhe financiare;
3. Pas çdo vlerësimi të raportojë para Senatit Akademik rezultatet dhe propozimet përkatëse.
Njësitë përbërëse të UMT janë të detyruara të vënë në dispozicion të Njësisë të Sigurimit të Brenshsëm të Cilësisë gjithë dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e funksioneve të saj.