NJOFTIM PËR SHTYP
Në kuadër të nismës së Shoqatës së Universiteteve Evropiane (EUA), e cila i drejtohet të gjithë universiteteve evropiane për t’u solidarizuar në ndihmë të viktimave të sulmit makabër në Universitetin Garissa në Kenia, ku humbën jetën 147 studentë të pafajshëm, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë shpreh mbështetjen maksimale dhe solidarizimin e tij duke dënuar sulme të tilla në arsim, të cilat dhunojnë lirinë e mendimit, të shprehjes si dhe lirinë akademike. Me këtë rast, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i bën thirrje opinionit publik të ruajë vlerat njerëzore duke ndaluar të gjithë aktet e dhunshme në ambientet universitare, kundër studentëve dhe lirive akademike, si dhe të kontribuojë aktivisht në të ardhmen për mbrojtjen e këtyre të drejtave universale.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, si pjesë e shoqërisë evropiane, i bashkohet ftesës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe së bashku me të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë në vend solidarizohet me këtë nismë duke mbajtur një minutë heshtje, ditën e hënë datë 27 Prill 2015, ora 12:00 për studentët e vrarë më 2 prill të këtij viti në Kenia.
Thirrja e Shoqatës së Universiteteve Evropiane drejtuar të gjithë universiteteve
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Përditësimi i fundit: 25.04.2015