HOMAZH PËR AKADEMIK PROF. DR. KRISTO FRASHËRI

HOMAZH PËR AKADEMIK PROF. DR. KRISTO FRASHËRI

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Akademikut, Profesorit dhe Historianit të nderuar Prof. Kristo Frashëri dhe ndan me familjen Frashëri dhimbjen për humbjen e të dashurit të tyre. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh, gjithashtu, ngushëllimet e tij Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe studentëve për këtë humbje të pazëvendësueshme. Vdekja e Akademik Prof. Dr. Kristo Frashëri është humbje e madhe për mbarë kombin dhe kulturën shqiptare.

Akademik Prof. Dr. Kristo Frashëri punoi për vite me rradhë si punonjës shkencor në shumë institute shkencore të vendit tonë, si në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai u emërua Zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitet 1997 dhe 1999 dhe e vazhdoi atë funksion deri në pension. Si pedagog i Historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor, Prof. Frashëri ka dhënë një ndihmesë të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj dhe në hulumtimin e Historisë Shqiptare, duke kontribuar me studime të shumta dhe duke zhvilluar një prodhimtari të pasur shkencore që shtrihet në të gjitha periudhat historike, si antikiteti, mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe koha e sotme. Ai ka trajtuar tema shkencore jo vetëm nga historia, por edhe nga jeta politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore e vendit tonë. Gjatë viteve të punës shkencore, ai ka marrë pjesë me referate dhe hulumtime të ndryshme në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit.

Akademik Prof. Kristo Frashëri ka marrë dy herë “Çmimin e Republikës” të klasit të Parë, në vitet 1961 dhe 1984, dhe është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Kontributi mësimdhënes dhe puna e palodhshme shkencore 70-vjeçare e Prof. Kristo Frashëri na bëjnë të gjithëve të ndihemi krenar dhe t’i jemi shumë mirënjohës këtij personaliteti të shquar të historisë e të mbarë kulturës shqiptare.

Ngushëllime të sinqerta,

REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

       

Publikuar më 02.02.2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *