KONFERENCA KOMBËTARE E SHKENCAVE MJEKËSORE III
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë në bashkëpunim me Këshillin Studentor të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (KSUMT), Organizatën Brainstorm, Fakultetin e Mjekësisë, si dhe me mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT), organizojnë për të tretin vit rradhazi Konferencën Kombëtare të Shkencave Mjekësore. Në këtë edicion Konferenca do të organizohet në datat 08, 09 dhe 10 Prill 2016, në ambjentet e Tirana International Hotel.
Kjo konferencë zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata dhe vijon traditën e krijuar nga strukturat e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, përmes së cilës studentët dhe pedagogët sjellin për publikun arritjet më të spikatura të studimeve dhe kërkimeve të tyre shkencore në shkencat e shëndetit dhe të mjekësisë. Kjo konferencë është fryt i bashkëpunimit të ngushtë të krijuar mes Universitetit dhe Këshillit Studentor të tij dhe promovon angazhimin dhe përfshirjen e studentëve dhe profesionistëve të rinj në studime kërkimore.
Si çdo vit tematika e konferencës është e konceptuar që të jetë gjithëpërfshirëse dhe në fokusin e saj janë të gjitha fushat e shkencave mjekësore që studiohen në pesë Fakultetet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, përkatësisht: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Farmacisë dhe Fakulteti i Shendetit Publik. Në këtë konferencë studentët kanë mundësi që të punojnë në kërkime shkencore nën udhëheqjen e Pedagogëve sipas fushave të tyre të eksperizës.
Studentët mund të aplikojnë në temat shkencore të mëposhtme, ku do të kenë mundësinë që të përzgjedhen nga Pedagogët përkatës, të cilët do t’i udhëheqin në punën e tyre shkencore:
- Iskemia mezenterike akute, të dhëna klinike dhe kirurgjikale – Prof. Dr. Xheladin Draçini.
- Të dhëna epidemiologjike mbi Morbus Hodgkin tek adultët në Shqipëri 2010 – 2015 – Dr. Adela Perolla.
- Dilatacioni valvular perkutan – Dr. Aurel Demiraj.
- Studim krahasues i sistemit farmaceutik në disa vende të botës – Dr. Entela Haloci.
- Menaxhimi kirurgjikal i molarëve të pjekurisë – Prof. As. Merita Bardhoshi.
- Deliriumi postoperator në pacientët geriartrik – Prof. As. Rudin Domi.
- Melanoma, sa e njohim? – Dr. Monika Fida.
- Ikteri mekanik me shkak tumorin Klatskin – të dhëna klinike dhe kirurgjikale – Prof. As. Arvin Dibra.
- Tumori stromal gastro-intestinal, diagnoza diferenciale dhe trajtimi me imatimib – Dr. Teona Bushati.
Konferenca është në proces akreditimi dhe së shpejti do të njoftohet numri i krediteve i caktuar nga QKEV.
Punimet e konferencës do të prezantohen në 3 ditë dhe referuesit do të kenë mundësinë të kryejnë 3 tipologji të ndryshme prezantimi:
- Prezantime nga pedagogë dhe mjekë të specialiteteve të ndryshme.
- Prezantime nga studentë të udhëhequr nga pedagogë të Fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
- Prezantime individuale me poster.
Afati i fundit për aplikim të studentëve për të marrë pjesë në mënyrë aktive në punimet dhe referimet shkencore është, si më poshtë:
-
- – Për punime individuale me prezantim poster, abstrakti dorëzohet deri më datë 01 Mars 2016.
- – Për punime shkencore në temat e lartpërmendura aplikimi kryehet deri më datë 6 Shkurt 2016.
Aplikimi kryhet në platformën e mëposhtme:
https://form.jotformeu.com/53047708773361
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë falënderon Stafin Organizativ dhe Komitetin Shkencor për punën e tyre të vazhdueshme në realizimin e kësaj iniciative të rëndësishme për të gjitha strukturat e tij dhe fton stafin akademik dhe studentët të jenë të pranishëm në këtë aktivitet shkencor.
Për informacione të mëtejshme mbi pjesëmarrjen mund të kontaktoni në adresat e postës elektronike: med.sci.conf@gmail.com / brainstormorganisation@gmail.com, ose në numrin e kontaktit: 0692932910.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Publikuar më 04.02.2016