VIZITA E DELEGACIONIT TË UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË NË UNIVERSITETIN E PALERMOS DHE NËNSHKRIMI I MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT MES DY UNIVERSITETEVE

VIZITA E DELEGACIONIT TË UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË NË UNIVERSITETIN E PALERMOS DHE NËNSHKRIMI I MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT MES DY UNIVERSITETEVE

Ditën e Enjte, më datë 15.05.2015, delegacioni i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë vizitoi Universitetin e Palermos, në Palermo, Itali. Vizita u zhvillua me ftesë të Universitetit të Palermos në kuadër të bashkëpunimit të dy universiteteve dhe në vijim të vizitës së delegacionit të Universitetit të Palermos në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në muajin mars 2015. Delegacioni i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë ishte i përbërë nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Zëvendësrektori Prof. Dr. Arben Gjata dhe Përgjegjësi i Departamentit të Sëmundjeve të Zemrës dhe Enëve të Gjakut Prof. Dr. Artan Goda.

Me rastin e kësaj vizite u zhvilluan një sërë takimesh me udhëheqësit më të lartë të Universitetit të Palermos, i cili është një ndër universitetet më të vjetra në Evropë me një traditë 210 vjeçare. Delegacioni i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u prit nga Rektori i Universitetit të Palermos Prof. Dr. Roberto Lagalla, Dekani i Fakultetit te Mjekësisë Prof. Dr. Francesco Vitale, Shefi i Katedrës së Kardiologjisë Prof. Dr. Pasquale Assennato dhe Drejtori i Departamentit të Emodinamikës në Spitalin S.Antonio Abate – Erice të Trapanit Prof. Asc. Arian Frashëri. Qëllimi i kësaj visite institucionale ishte konsolidimi i bisedimeve të mëparshme në fushat e përbashkëta prioritare, si dhe finalizimi i projekteve të miratuara me nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Universitetit të Palermos.

Bashkëpunimi mes dy universiteteve do të shtrihet në fushat prioritare dhe pikësynimi i këtij bashkëpunimi do të jetë rritja e performancës dhe përmirësimi i kurrikulave akademike në Shkollat e Specializimit pasuniversitare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, bazuar në rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe standardet e aplikuara Italiane. Gjithashtu, një pikë tjetër bashkëpunimi do të jetë ngritja e Rrjetit të Trasfuzionit të Infarktit të Miokardit në rang vendi, si dhe implementimi i një sërë projektesh të përbashkëta, të cilat iniciohen me nënshkrimin e marrëveshjes.
Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit krijon mundësinë e shkëmbimeve dhe trajnimeve me kohëzgjatje të shkurtër për specializantët e UMT-së në Universitetin e Palermos, me qëllim që të përgatiten specialistë në fushat prioritare si Kadiologjia, Kardiokirurgjia, Kirugjia, Laboratori, Shëndeti publik, Farmacia, Imazheria, etj. Në këtë kuadër do të mundësohen shkëmbimet studentore në tri ciklet e studimit, Bachelor, Master dhe Doktoratë, si dhe për shkëmbimet nga stafi akademik dypalësh me synim rritjen e cilësisë dhe arritjen e standardeve evropiane. Me anë të këtij bashkëpunimi synohet që specialistët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë të asistohen dhe trajnohen në mënyrë shkencore me njohuri të avancuara nga specialistët e lartë të Universitetit të Palermos, të Qendrës Spitalore Universitare Poliklinike të Palermos “Paolo Giaccone”, Spitalin S. Antonio Abate – Erice të Trapanit, si dhe të Qarkut të Siçiljes, në Itali. Gjithashtu, në takim u shqyrtuan mundësitë e një bashkëpunimi afatgjatë në projekte të përbashkëta të cilat do të jenë të financuara nga Koopeacionit Italian për Zhvillim dhe nga shtetet përkatëse për rritjen e cilësisë me shkëmbim të eksperiencave në arsim mes dy institucioneve të arsimit të lartë, ku synohet jo vetëm objektiva të larta akademike, por edhe promovimin e punës kërkimore të fakulteteve, të pedagogëve dhe studentëve të tyre.

Në vijim të bashkëbisedimeve bilaterale dhe të shqyrtimit të pikave të marrëveshjes, dy Rektorët e Universiteteve nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit midis Universitetit të Palermos dhe Universitetit të Mjekësisë Tiranë.

Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të krijuara midis dy Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë dhe theksoi, në veçanti, dëshirën e mirë të Rektorit Prof. Dr. Lagalla për të asistuar Universitetin e Mjekësisë, Tiranë në çdo hap të zhvillimit të tij. Ai u shpreh se ishte i nderuar nga pritja e rezevuar në Universitetin e Palermos dhe e vlerësoi këtë vizitë si një zhvillim të natyrshëm të miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit për diskutime konkrete mbi projekte të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e të dy institucionet e arsimit të lartë. Me ketë rast, në emër të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari i dhuroi Rektorit Prof. Dr. Roberto Lagalla një dhuratë simbolike me stemës zyrtare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin dhe angazhimin e treguar të Rektorit Lagalla në finalizimin më së mirë të marrëveshjes së bashkëpunimit.

Rektori Prof. Dr. Roberto Lagalla u shpreh se u ndje mjaft i kënaqur dhe i nderuar nga vizita e delegacionit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe theksoi, edhe një here, angazhimin e tij personal në realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat u nënshkruan në marrëveshjen e bashkëpunimit. Ai vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe miqësinë e mirë, të krijuar mes dy universiteteve dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Universitetit të Palermos për të asistuar Universitetin e Mjekësisë, Tiranë në zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tij. Gjithashtu, Rektori Prof. Dr. Roberto Lagalla, në emër të Universitetit të Palermos, i dhuroi Rektorit Prof. Dr. Ali Refatllari një dhuratë simbolike tradicionale të qytetit të Palermos si mirënjohje dhe vlerësim për bashkëpunimin mes dy universiteteve.

Në fund të takimit, Rektorët shqyrtuan mundësitë e një bashkëpunimi afatgjatë mes dy Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në zhvillimin e konferencave të përbashkëta, pjesëmarrjen e dy universiteteve në kërkime shkencore me ekspertë të fushave përkatëse, ligjërata, seminare, shkëmbimin e literatures dhe materialit kërkimor në fushën e interesit të përbashkët dhe promovimin e botimeve të shkencore. Ky bashkëpunim synon rritjen e cilësisë dhe shkëmbimin e eksperiencave në arsim dhe përfshin angazhimin serioz të gjithë strukturave të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në zhvillimin dhe implementimin e projekteve ndërmjet fakulteteve, studentëve dhe kërkuesve shkencor. Rektorët ranë dakord për shkëmbime vizitash, axhenda të përbashkëta bisedimesh dhe konsultime të vazhdueshme mes tyre dhe grupeve të punës të ngritura në dy universitetet për finalizimin e projekteve të nënshkruara në marrëveshje, si dhe vazhdim e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.

 

FOTOT E VIZITES SE DELEGACIONIT DHE NENSHKRIMI I MARREVESHJES SE BASHKEPUNIMIT MES UNIVESITETIT TE MJEKESISE DHE UNIVERSITETIT TE PALERMOS

                                         

                               REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

Përditësimi i fundit: 26.05.2015

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *