TAKIM ME REKTORIN E UNIVERSITETIT TË KIETIT DHE PESKARËS PROF. CARMINE D’ILIO DHE PROF. PAOLO INNOCENTI

TAKIM ME REKTORIN E UNIVERSITETIT TË KIETIT DHE PESKARËS PROF. CARMINE D’ILIO DHE PROF. PAOLO INNOCENTI

Ditën e premte, më datë 20 qershor 2014, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari priti në një takim Rektorin e Universitetit të Kietit dhe Peskarës “G. D’Annunzio” të Italisë, Prof. Dr. Carmine D’Ilio dhe Drejtorin e Shërbimit të Kirurgjisë Patologjike dhe Shkollës së Specializimit në Kirurgji të Përgjithshme, Prof. Dr. Paolo Innocenti.

Universiteti i Kietit dhe Peskarës “G. D’Annunzio” është një universitet publik i njohur në Itali me një kapacitet prej rreth 30.000 studentësh dhe një profilizim të theksuar në shkencat mjekësore, i cili është krijuar në vitin 1965 dhe përbëhet nga 2 kampuse studimi (në Kieti dhe në Peskara), 12 fakultete dhe 14 Departamente.

Takim-me-Rektorin-Carmine-D-Ilio

 

Në këtë takim morën pjesë Zv. Rektore Prof. Dr. Anyla Bulo, Zv. Rektor Prof. As. Arben Gjata, Zv. Rektore Prof. As. Suela Këlliçi dhe përfaqësues të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë e ndryshme për bashkëpunim dhe shkëmbim të eksperiencave në arsimin e lartë, ndër të cilat mund të përmenden shkëmbimi i studentëve dhe pedagogëve midis dy universiteteve, kualifikimi i stafit akademik duke ofruar bursa trajnimi në fusha me rëndësi të veçantë për të dy institucionet, ofrimi i programeve të përbashkëta të specializimeve afatgjata në fushat mjekësore. Gjithashtu, u shpreh dëshira e përbashkët për konkretizimin e propozimeve të këtij takimi me një marrëveshje bashkëpunimi mes dy universiteteve.

Rektori Carmine D’Ilio u njoh nga Rektori Ali Refatllari rreth ecurisë akademike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe u shpreh mjaft entuziast për të krijuar një frymë bashkëpunimi, duke e vlerësuar punën universitare dhe shkencore të deritanishme të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe gjithashtu duke u impenjuar për ta vazhduar më tej atë me një bashkëpunim sa më të ngushtë të dy institucioneve të arsimit të lartë.

 

Foto-nga-takimi-me-Rektorin-Carmine-D-Ilio

 

Gjithashtu, më datën 21.06.2014, në auditoriumin “Galileo Galilei” të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë nën frymën e bashkëpunimit konkret u zhvillua një leksion i hapur nga Prof. Dr. Paolo Innocenti me temë “Roli i Robotikës në Kirurgjinë Onkologjike”. Në këtë leksion morën pjesë pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe mjekë urologë, kardiokirurgë dhe kirurgë të përgjithshëm të shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Prof. Innocenti theksoi me këtë leksion se e ardhmja e kirurgjisë është robotika dhe se ne jemi të gjithë pjesë të një proçesi që është duke u informatizuar dhe në një të ardhme të shpejtë do të vazhdojë të ofrojë përmirësimin dhe modernizmin e specialiteteve në fushat mjekësore.

 

REKTORATI 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *