HOMAZH PËR DR. SHK. VELI TOTO

HOMAZH PËR DR. SHK. VELI TOTO

Me hidhërim të thellë, njoftojmë se më datë 4 qershor 2016 u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare mjeku i shquar dhe drejtori historik i Spitalit Ushtarak Dr. Shk. Veli TotoUniversiteti i Mjekësisë, Tiranë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Dr. Shk. Veli Toto dhe ndan me familjen Toto dhimbjen për humbjen e të dashurit të tyre. 

 

Dr. Shk. Veli Toto ishte ish drejtori i Spitalit Ushtarak, në vitet 1972-1991, dhe kolonel në pension. Ai lindi më 21 prill 1929 në qytetin e Gjirokastrës. Në vitin 1955 përfundoi studimet e larta për mjekësi, duke u diplomuar “Mjek i Përgjithshëm” në Pragë të Republikës së Çekisë. Në vitin 1959-1960 u specializua për kirurg Urolog pranë një mjeku çek dhe më pas u specializua në Republikës Popullore të Kinës në vitin 1969. Ai ka punuar si mjek ushtarak ne Kavajë, Sazan dhe Tropojë.

Në vitet 1972-1991, ai ka kryer detyrën e drejtorit të Spitalit Ushtarak dhe që në këtë periudhë ka pasur emërtimin Instituti i Kërkimeve Mjekësore Ushtarake (IKMU). Dr. Toto ka qenë kryetar i Këshillit Shkencor të IKMU, anëtar i Këshillit Shkencor te Fakultetit te Mjekësisë dhe kryeredaktor i “Buletinit të Mjekësisë Ushtarake”. Në vitin 1980 mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe në vitin 1983 ai u vlerësua me titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Dr. Totot ka udhëhequr aktivitetet shkencore dhe mbrojtjen e disertacioneve të mjekëve të spitalit dhe gjithë punën shkencore të institucionit. Në periudhën e drejtimit të tij prej 19 vitesh, spitali ushtarak ka qenë institucion mjekësor prestigjioz i mirëfilltë ushtarak, duke ruajtur emrin dhe traditën e trashëguar.

Nën drejtimin e tij dhe pas vitit 1973 Spitali Ushtarak kishte shënuar arritje mjaft te mëdha. U rrit në shkallë të lartë puna kërkimore e shkencore në të gjithë sektorët, shumë mjekë u specializuan brenda dhe jashtë vendit dhe mjaft prej tyre ishin pedagogë të Fakultetit te Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Me këmbënguljen dhe iniciativën e tij u bë e mundur që me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 149, datë 14.09.1973, Spitali i Përgjithshëm Ushtarak u emërua Institut i Kërkimeve Mjekësore Ushtarake (IKMU). Krijimi i këtij instituti ngriti në një nivel më të lartë emrin dhe prestigjin e spitalit ushtarak veçanërisht në drejtim të punës kërkimore, shkencore dhe eksperimentale, me metoda të reja diagnostikimi, mjekimi dhe bashkëpunimi të gjërë me të gjitha institucionet shkencore të vendit. 

Me mjaft vlera janë shumë botime mjekësore shkencore të Dr. Veliut ku vlen të përmenden midis tyre monografia e vitit 1983 “Mbi diagnostikimin dhe mjekimin e fistulave urogenitale” dhe libri i fundit i tij “Historia e shërbimit shëndetësor shqiptar” i botuar në vitin 2005.

Dr. Veliu u nda nga jeta duke lënë një boshllëk të madh në familje, miqtë dhe shokët me te cilët punoi një jetë të tërë. Doktor Veliu i përket plejadës se shkëlqyer dhe traditës më të mirë të mjekëve ushtarakë të viteve 1960-1990 duke lënë një emër dhe kontribut të madh dhe të paharruar në mjekësinë ushtarake dhe Spitalin Ushtarak. Ai do mbahet mend si emblema e drejtuesve të Spitalit Ushtarak, institucionit më prestigjioz të mjekësisë ushtarake, por dhe mjekësisë shqiptare.

Gjatë gjithë periudhës së punës së tij dhe deri në fund të jetës, ai u shqua për një ndershmëri dhe korrektësi shembullore, familjar model, i thjeshtë, i dashur dhe njerëzor.

Dr.Veli Toto la një emër të madh dhe do të kujtohet me respekt në memorien e brezave të kuadrove të ushtrisë dhe të mjekësisë ushtarake për humanizmin dhe vlerat morale të larta që i bëjnë nder atij dhe familjes së nderuar dhe të respektuar.

I paharruar qoftë kujtimi i Tij.

Ngushëllime të sinqerta,

 

               REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 14.06.2016

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *